Shtetet e Bashkuara janë shumë pranë një fitoreje të madhe në Kupën e Botës 2026, teksa kanë mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-0 ndaj Australisë në sfidën e Grupit D.
Amerikanët e nisën ndeshjen në sulm dhe gjetën golin e parë në minutën e 11-të, kur mbrojtësi australian Cameron Burgess devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë epërsinë skuadrës vendase.
Skuadra amerikane vazhdoi të kontrollonte lojën dhe dominoi posedimin e topit gjatë pjesës më të madhe të fraksionit të parë.
Australia tentoi të reagojë, me Harry Souttar që iu afrua barazimit pas një goditjeje me kokë, por mbrojtja amerikane largoi rrezikun në momentin vendimtar.
Goli i dytë erdhi në minutën e 45-të. Pas një aksioni të gjatë dhe një kontrolli nga VAR për pozicion jashtë loje, Alex Freeman përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe e dërgoi në rrjetë me kokë për rezultatin 2-0.
Pak sekonda para pushimit, Sergino Dest ishte pranë golit të tretë, por portieri australian Patrick Beach realizoi një pritje spektakolare për të mbajtur gjallë shpresat e skuadrës së tij.
Australia e mbylli pjesën e parë edhe me dy kartonë të verdhë për Jordan Bos dhe Alessandro Circati, ndërsa SHBA-ja tregoi superioritet të qartë si në posedim ashtu edhe në rastet e krijuara.
Me këtë rezultat, amerikanët po hedhin një hap të madh drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt, ndërsa Australia do të ketë nevojë për një reagim të fortë në pjesën e dytë për të shmangur humbjen.
GOLAT
https://streamff.pro/v/09ca0695
https://streamff.pro/v/997c616a
© SYRI.net