Erling Haaland jo vetëm që shkatërroi mbrojtjen e Irakut në ndeshjen e parë të Botërorit 2026, por arriti të shkaktojë edhe një fenomen të pazakontë në vendlindjen e tij. Dopieta e sulmuesit norvegjez në fitoren 4-1 të Norvegjisë u shoqërua me lëkundje të lehta të regjistruara nga stacionet sizmike në qytetin e Bergenit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Universiteti i Bergenit, sistemi i monitorimit sizmik evidentoi sinjale të qarta pikërisht në momentet kur Haaland realizoi golat e tij. Të dhënat treguan rritje të aktivitetit në përputhje me episodet më emocionuese të ndeshjes, veçanërisht me dy rrjetat e ‘bomberit’ norvegjez.
Ekspertët shpjeguan se nuk bëhet fjalë për një tërmet të vërtetë, por për vibrime të shkaktuara nga reagimi masiv i tifozëve. Brohoritjet, kërcimet dhe festimet e mijëra njerëzve që ndiqnin takimin krijuan lëvizje të mjaftueshme për t’u kapur nga sizmografët.
Sipas studiuesve, fenomene të tilla nuk janë të panjohura. Në të kaluarën, pajisje të ngjashme kanë regjistruar dridhje të tokës edhe gjatë koncerteve të mëdha apo ngjarjeve sportive me pjesëmarrje masive. Një rast i ngjashëm ishte regjistruar edhe gjatë koncerteve të Ed Sheeran në Oslo, ku entuziazmi i dhjetëra mijëra spektatorëve kishte prodhuar sinjale të matshme.
Në rastin e Norvegjisë, nuk pati asnjë rrezik real sizmik, por pasioni i tifozëve për kombëtaren dhe golat e Haalandit ishte aq i madh sa la gjurmë edhe në aparaturat shkencore. Një mënyrë e pazakontë për të treguar se ‘ylli’ i Manchester City-t vazhdon të bëjë bujë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
© SYRI.net