Sugjerimi i Papës: Kisha Katolike mund të bekojë çiftet e të njëjtit seks

Sugjerimi i Papës: Kisha Katolike mund të bekojë çiftet e të njëjtit seks

08:35, 03/10/2023
A+ Aa A-

Papa Françesku ka sugjeruar se do të ishte i hapur që Kisha Katolike të bekonte çiftet e të njëjtit seks.

Duke iu përgjigjur një grupi kardinalësh që i kërkuan atij qartësi për këtë çështje, ai tha se çdo kërkesë për bekim duhet të trajtohet me "bamirësi baritore".

"Ne nuk mund të jemi gjyqtarë që vetëm mohojnë, refuzojnë dhe përjashtojnë," tha ai.

Ai shtoi, megjithatë, se Kisha ende i konsideronte marrëdhëniet e të njëjtit seks "objektivisht mëkatare" dhe nuk do të njihte martesën e të njëjtit seks.

Kërkesa ishte një nga çeshtjet e dërguar Papës përpara një mbledhjeje globale njëjavore për të diskutuar të ardhmen e Kishës që do të fillojë në Vatikan të mërkurën.

Në Kishën Katolike, një bekim është një lutje ose përgjërim, që zakonisht bëhet nga një shërbëtor, duke i kërkuar që Perëndia të shikojë mirë personin ose njerëzit që bekohen.

Peshkopët në një numër vendesh, duke përfshirë Belgjikën dhe Gjermaninë, kanë filluar të lejojnë priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks, por pozicioni i autoriteteve të Kishës mbeti i paqartë.

Në vitin 2021, pas një kërkese të ngjashme për sqarim, zyra doktrinale e Vatikanit vendosi kundër lejimit të praktikës.

Duke iu përgjigjur kërkesës së fundit, Papa tha se Kisha e kupton martesën si një "bashkim ekskluziv, të qëndrueshëm dhe të pazgjidhshëm midis një burri dhe një gruaje" dhe duhet të shmangë "çdo lloj riti apo sakramenti që mund të kundërshtojë këtë bindje".

Por ai shtoi se “kur kërkohet një bekim, është shprehja e një lutjeje ndaj Zotit për ndihmë, një lutje për të jetuar më mirë”.

"Maturia baritore duhet të dallojë në mënyrë adekuate nëse ka forma bekimi, të kërkuara nga një ose më shumë persona, që nuk përcjellin një koncept të gabuar të martesës," tha ai.

Duke u duk se sugjeronte se kërkesat për bekime duhet të shqyrtohen rast pas rasti, ai tha se "vendimet që mund të jenë pjesë e kujdesit baritor në rrethana të caktuara nuk duhet domosdoshmërisht të bëhen normë".

"E drejta kanunore nuk duhet dhe nuk mund të mbulojë gjithçka," tha ai.

Ai shtoi se Kisha duhet t'i trajtojë gjithmonë marrëdhëniet e saj me njerëzit me "mirësi, durim, mirëkuptim, butësi dhe inkurajim".

Në shkurt, një votim i figurave të larta në Kishën e Anglisë mbështeti propozimet për të lejuar lutjet e bekimit për çiftet e të njëjtit seks.

Lëvizja do të nënkuptonte se një çift i të njëjtit seks mund të shkonte në një kishë anglikane pas një ceremonie ligjore martesore për shërbime që përfshijnë lutjet e përkushtimit, falënderimit dhe bekimin e Zotit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco