SHBA-ja thotë se trupat ruse kanë hyrë në një bazë që ka ushtarë amerikanë në Niger

SHBA-ja thotë se trupat ruse kanë hyrë në një bazë që ka ushtarë amerikanë në Niger

12:19, 03/05/2024
A+ Aa A-

Personeli ushtarak rus ka hyrë në një bazë ajrore në Niger që është duke strehuar trupa amerikane, i ka thënë agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë i mbrojtjes i ShBA-së, lëvizje që vjen pas vendimit të qeverisë ushtarake të shtetit afrikan për t’i dëbuar forcat amerikane.

Oficerët ushtarakë që po e udhëheqin vendin e Afrikës Perëndimore i kanë thënë ShBA-së që t’i tërheqë rreth një mijë pjesëtarë të personelit ushtarak nga Nigeri, shtet që deri para puçit të vitit të kaluar kishte qenë partner kyç në luftën e Uashingtonit kundër kryengritësve që kanë vrarë mijëra njerëz dhe kanë detyruar miliona të tjerë që të shpërngulen, raporton agjencia “Reuters”.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti, tha se forcat ruse nuk po përziheshin me trupat amerikane, por po përdornin një hangar të ndarë në Bazën Ajrore 101, e cila ndodhet afër Aeroportit Ndërkombëtar “Diori Hamani” në Niamey, kryeqytet i Nigerit.

Lëvizja e ushtrisë ruse i vë trupat amerikane dhe ruse afër mes vete në kohën kur rivaliteti ushtarak e diplomatik mes dy shteteve është gjithnjë më i ashpër për shkak të luftës në Ukrainë.

Kjo lëvizje gjithashtu ngre pyetje rreth fatit të objekteve amerikane në Niger pas tërheqjes.

“[Situata] nuk është e mrekullueshme, por e menaxhueshme në rrafshin afatshkurtër” – tha zyrtari amerikan.

Kur u pyet për raportimin e agjencisë “Reuters”, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, minimizoi çfarëdo rreziku ndaj trupave amerikane ose mundësinë që trupat ruse të mund t’u afrohen pajisjeve ushtarake të ShBA-së.

“Rusët janë në një kompleks të ndarë dhe nuk kanë qasje te forcat amerikane ose qasje në pajisjet tona” – tha Austini në një konferencë për gazetarë në Honolulu.

“Unë jam gjithnjë i përqendruar te siguria dhe mbrojtja e trupave tona... por tash për tash, unë nuk shoh një problem domethënës këtu në aspektin e mbrojtjes së forcës sonë” – shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Ambasadat e Rusisë dhe Nigerit në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë detyruar që t’i largojnë trupat nga disa shtete afrikane pas puçeve ushtarake që kanë sjellë në pushtet grupe të interesuara për t’u distancuar nga qeveritë perëndimore.

Përpos largimit të pritshëm nga Nigeri, trupat amerikane janë larguar edhe nga Çadi ditëve të fundit, ndërsa forcat franceze janë dëbuar nga Mali dhe Burkina-Faso.

Në të njëjtën kohë, Rusia po synon që t’i fuqizojë marrëdhëniet me shtetet afrikane. Mali, për shembull, viteve të fundit është bërë njëri nga aleatët më të ngushtë afrikanë të Moskës. Grupi rus i mercenarëve “Wagner” ka dislokuar pjesëtarë atje për të luftuar kundër kryengritësve xhihadistë.

Rusia i ka përshkruar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si “nën zero” për shkak të mbështetjes ushtarake e financiare të Uashingtonit për Ukrainën në përpjekjen e saj për t’u mbrojtur nga forcat pushtuese ruse.

Zyrtari amerikan tha se autoritetet e Nigerit i kishin thënë administratës së presidentit Joe Biden të ShBA-së se rreth 60 pjesëtarë të personelit ushtarak rusë do të jenë në Niger, por zyrtari nuk ka mundur ta vërtetojë këtë shifër.

Pas puçit, ushtria amerikane i zhvendosi disa prej forcave në Niger nga Baza Ajrore 101 në Bazën Ajrore 201 në qytetin Agadez. Nuk qe menjëherë e qartë se çfarë pajisjesh ushtarake amerikane kanë mbetur në Bazën Ajrore 101.

Shtetet e Bashkuara e kanë ndërtuar Bazën Ajrore 201 në pjesën qendrore të Nigerit për një kosto prej më shumë se 100 milionë dollarësh. Nga viti 2018, kjo bazë është shfrytëzuar për t’i vënë në shënjestër me dronë të armatosur luftëtarët e ISIS-it dhe grupit të lidhur me “Al-Qaeda”-n, “Jama’at Nusrat al-Islam wal Muslimeen”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco