Aktori francez Gérard Depardieu do të gjykohet për sulm seksual

Aktori francez Gérard Depardieu do të gjykohet për sulm seksual

08:47, 30/04/2024
A+ Aa A-

Gérard Depardieu do të gjykohet për sulme seksuale të dyshuara gjatë një xhirimi filmi, thonë prokurorët francezë.

Prokurorët kanë njoftuar se aktori francez Gérard Depardieu do të përballet me një gjyq penal në tetor për sulmet e dyshuara seksuale në vitin 2021 ndaj dy grave në xhirimet e një filmi.

Kjo vjen pas lajmit të djeshëm se aktori 75-vjeçar ishte arrestuar nga policia për t’u marrë në pyetje në Paris.

Avokati i Depardieu, Christian Saint-Palais, nuk pranoi të komentonte për gazetarët përveçse të thoshte se aktori nuk ishte më në paraburgim.

Zyra e prokurorit publik të Parisit tha në një deklaratë se aktori është “thirrur të paraqitet para gjykatës penale” pas marrjes në pyetje.

Një gjyq do të fillojë në tetor "për sulme seksuale që mund të jenë kryer në shtator 2021" kundër "dy viktimave, në xhirimet e filmit The Green Shutters", thuhet në deklaratë. Nuk përmenden emrat e viktimave të supozuara.

Gazeta franceze Le Parisien ka raportuar se një dekoratore filmi 53 vjeçe ka pretenduar se Depardieu e kapi atë dhe ia ka përkëdhelur belin, barkun dhe gjoksin gjatë xhirimeve për Les Volets verts (The Green Shutters), sipas avokates së gruas, Carine Durrieu Diebolt, kur ajo paraqiti ankesën në prokurorinë e Parisit në shkurt.

"Ai e kapi atë, e futi mes këmbëve dhe ia preku trupin deri në gjoks. Ajo u ndje plotësisht e pafuqishme, e paaftë për t'i shpëtuar këtij kurthi."

Aktori ka mohuar më parë akuzat kundër tij në një letër të hapur të botuar në Le Figaro në tetor 2023.

Ai denoncoi një “linçim” të orkestruar nga “gjykata e medias”.

“Nuk mund të pranoj më atë që kam dëgjuar dhe lexuar për veten time gjatë muajve të fundit. Mendova se nuk më interesonte, por nuk munda", ka shkruar ai. "Unë kurrë nuk kam abuzuar me një grua."

Një çështje e veçantë u ngrit nga aktorja Hélène Darras, por u pushua nga prokurorët për tejkalimin e statutit të kufizimeve.

Depardieu është akuzuar gjithashtu nga më shumë se një duzinë gra të tjera për ngacmim, përkëdhelje ose sulm seksual ndaj tyre. Atij iu dorëzuan akuza paraprake për përdhunim dhe sulm seksual në vitin 2020 pas akuzave nga aktorja Charlotte Arnould.

Në atë rast, gjykatësi hetues përfundoi hetimin e tij më 17 prill dhe ia transferoi dosjen zyrës së prokurorit publik të Parisit “për të shqyrtuar dhe përcaktuar hapat e ardhshëm në procedurë”, tha zyra e prokurorisë dje.

Depardieu shihej prej kohësh si një ikonë kombëtare në Francë dhe çështja e ka përçarë skenën kulturore franceze. Ai ka qenë një ambasador global i filmit francez dhe ka gëzuar famë ndërkombëtare me disa role në Hollywood.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco