Përmbytjet apokaliptike/ Ja pse e gjithë bota është në kaos nga reshjet

Përmbytjet apokaliptike/ Ja pse e gjithë bota është në kaos nga reshjet

10:36, 13/09/2023
A+ Aa A-

Nga Peter Amanda, BILD

Dhe tani Libia. Përmbytje alarmante në vendin e Afrikës së Veriut. Mijëra persona të vdekur. Dhjetëra mijëra janë të zhdukur.

Por pse po bie kaq shumë shi në të gjithë botën për momentin?

Spanjë, Las Vegas, Brazil, Greqi, Hong Kong. Në këto ditë shtatori, rekordet e reshjeve ekstreme po bëjnë bujë në mbarë botën.

Klimatologu Dr. Karsten Brandt shpjegon: “Është e qartë se temperaturat e rritura për shkak të ndryshimeve klimatike po ngrohin ciklin hidrologjik. Jo vetëm që uji avullon më shpejt në njësi kohore, por bie edhe më shumë shi në një periudhë më të shkurtër kohore”.

Në Greqi, 754 litra shi për metër katror ranë një ditë nga mesnata deri në orën 20:45. Sasitë e ujit që kanë rënë në rajonin e Tesalisë janë më të mëdhatë që kanë rënë ndonjëherë në vend që kur ka nisur monitorimi i të dhënave.

Shërbimi Meteorologjik i Hong Kongut regjistroi 158 milimetra reshje në një orë- një rekord që nga viti 1884. Reshjet më të mëdha që nga viti 1952 u raportuan në megaqytetin e afërt të Shenzhenit në Kinë.

‘El Nino’ po ndikon në klimën globale- për shkak se Paqësori është kaq i ngrohtë, temperatura e tokës në përgjithësi është më e lartë. Dhe bashkë me të, të paktën indirekt, rajoni i Mesdheut.

Si rrjedhojë, Deti Mesdhe ndër të tjera ka regjistruar temperatura të ujit deri në 31 gradë. Azia Juglindore gjithashtu ka regjistruar temperatura maksimale në det, ndërsa uraganet po mbërrijnë në SHBA përmes Atlantikut të ngrohur.

Eksperti i klimës, Brandt, thotë: “E gjitha kjo siguron që potencialisht më shumë ujë mund të avullojë në një kohë të shkurtër, duke u ngritur lart dhe formuar retë”.

Kurse eksperti tjetër i klimës, Frank Boettcher, shton: “Me rritjen e një grade në termometër, ajri mund të thithë 7 përqind më shumë lagështi. Pra, nëse e ngrohim Mesdheun me 5 gradë, siç ka ndodhur këtë vit, shumë më tepër ujë avullohet dhe kjo çon pashmangshmërisht në reshje më të mëdha shiu. Le të mos kemi iluzionin se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu do të kalojnë. Tani duhet të mësojmë të përballemi me to, në mënyrë që të mos jemi në rrezik”.

Mesdheu është dy deri në tre gradë më i ngrohtë se sa ishte 30 apo 40 vjet më parë, kështu që vlerësohet se ka të paktën 150 deri në 20 përqind më shumë reshje në krahasim me më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco