Festimet e Vitit të Ri mes shqetësimeve për COVID-19

Festimet e Vitit të Ri mes shqetësimeve për COVID-19

17:17, 01/01/2022
A+ Aa A-

Ndërrimi i viteve u prit në mbarë globin me festime të kufizuara për shkak të pandemisë. Ndërsa vendet e ndryshme raportuan shifra rekord të përhapjes së koronavirusit, shfaqjet me fishekzjarre dhe drita shumëngjyrëshe mirëpritën vitin 2022 nga Nju Jorku dhe deri në Zelandën e Re. Për të parë nga afër uljen tradicionale të sferës në sheshin e famshëm të Nju Jorkut, Times Square, u lejuan vetëm persona të vaksinuar plotësisht.

Festimet e Vitit e Ri u rikthyen në sheshin Times Square të Nju Jorkut. Një vit më parë, festimet u zhvilluan vetëm virtualisht për shkak të pandemisë. Ulja e sferës së famshme u ndoq nga 15 mijë spektatorë të vaksinuar që u lejuan brenda zonës së caktuar, me rregulla si mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës fizike.

Njerëzit në Zelandën e Re ishin ndër të parët në botë që festuan ardhjen e vitit 2022 me një shfaqje dritash në Auckland.

Sidnei e hapi vitin e ri me një shfaqje verbuese fishekzjarresh. Mbrëmjen e ndërrimit të viteve Australia regjistroi numrin më të lartë ditor të të infektuarve nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë.

Dubai e festoi vitin e ri me shfaqjen e zakonshme të fishekzjarreve në zemër të qytetit. Qyteti qëndron i hapur për turistët, por autoritetet kërkojnë që pjesa më e madhe e vizitorëve të ofrojnë dëshmi të një testi negativ për COVID, si dhe të bëjnë një tjetër test në aeroport.

Rusia festoi fillimin e vitit 2022 me një shfaqje fishekzjarresh mbi Sheshin e Kuq të mbuluar me dëborë. Sheshi u mbyll për publikun për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa gazetarëve u lejohej të filmonin fishekzjarret mbi Kremlinin.

Fishekzjarret ndriçuan monumentet e lashta të kryeqytetit grek, ndërsa vendi përballet me infektime rekord nga koronavirusi. Greqia ndaloi festimet publike të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe ka urdhëruar mbajtjen e maskave edhe në mjedise të hapura, për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së variantit Omicron, që ka detyruar qeverinë të shtojë kufizimet ndaj sektorit të turizmit.

Në Paris, shfaqja tradicionale e fishekzjarreve në Harkun e Triumfit dhe bulevardin Champs Elysees u anullua sepse autoritetet donin të shmangnin krijimin e turmave të mëdha. Policia kufizoi hyrjen drejt Champs Elysees dhe konsumi i alkoolit u ndalua në zona të caktuara të Parisit.

Berlini e festoi Vitin e Ri pa fishekzjarret tradicionale në pikën historike të kryeqytetit gjerman, Portën e Brandenburgut. Në vend të saj pati fishekzjarre më të pakta mbi sallën e koncerteve Konzerthaus në sheshin historik Gendarmenmarkt.

Ora e famshme Big Ben e Londrës shënoi Vitin e Ri për herë të parë që nga viti 2017, pas tre vite restaurimesh. Shfaqja e fishekzjarreve mbi kullën e sahatit dhe monumentet e tjera ishte anulluar fillimisht për shkak të kufizimeve ndaj COVID-19, por u rikthye disa orë para mesnatës, së bashku me udhëzimin për të qëndruar në shtëpi dhe për ta parë në televizor.

Mijëra vendas dhe turistë nga e gjithë bota u mblodhën në plazhin me famë botërore Copacabana në Rio de Janeiro për të mirëpritur Vitin e Ri. /Voa/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Molla e dijes01/01/2022 17:20

GEZUAR VITIN E RI 2022! Ja na erdhi viti i ri, të gjithë duke festuar, i urojnë njeri tjetrit, qoftë një vit i gëzuar! Na sjelltë ky vit mbarësi, dhe nga një punë të mirë, paçim suksese e begati, qofshim të lumtur e të lirë! Po s’i patëm këto bekime, s’ka problem, jemi mësuar, veç ”elita” qoftë me nderime, si pasanike përherë adhuruar! Ne tashmë kemi zënë rrënjë, në këtë të tonën varfëri, po qe puna ne hamë dhe bar, që ”elita” të shtojë pasuri! E kështu le t’i i urojmë fat, Ramës kryetarit të qeverisë, u bëftë miliarder e mos u ngoptë, popullin le ta vjedhë e ta telendisë! I urojmë fat dhe Lul Bravës, me vulën dhe selinë e partisë, humbsh përherë e quaji fitore, bëji gropën PD dhe kërmë Salisë! I urojmë mbarësi Like Metës, po e shkarkuan si president, le të kthehet si hero te LSI-a, prej floriri t’i ngrenë monument! I urojmë shëndet Ben Blushit, se para ai ka sa të fshijë qurret, me librat që ka bërë të fshijë sumën, me propaganë partie le të mburret! I urojmë sukses Baton Haxhiut, që me zor të madh i lidh dy fjalë, iu shtoftë rroga mbi 18 milion, dhe si analist në pension të dalë! I urojmë suskese dhe Fevziut, me të ftuarit e tij në emision, të vazhdojë pushteti si përherë, ta ketë studion e tij si sallon! I urojmë pasuri Çim Pekës, pastë rrogën mbi 700mijë lek, përjetësisht qoftë te Zeni TV, bukur e imitojnë si Pim Çekë! I urojmë suksese Xhemi Shehut, u riktheftë në Top kanal, marrtë si të tjerët rrogë me miliona, se Topi ka para plot me fal ! I urojmë suksese Romeo Veshajt, pagën 300mijë lek le ta ketë, se njësoj e ble një makinë Porsche, nga i gjen paratë e di ai vetë! Le t’i urojmë suksese ambsadores Kim, që Shqipërinë tonë po mbështet, ishalla më pak propagandë qeveritare, mos ta trajtojë Ramën si të ishte mbret! Në fund një urim për gjithë shqiptarët, qoftë për ju një vit shumë i mbarë, por po lejuat që t’ju trajtojnë si dele, meritoni të sundoheni nga poltikanë të marrë

Shto koment

Denonco