Pse Pjetër Budi shpall botёrisht shqetёsimin e vet pёr paditurinё e njerёzve?

Pse Pjetër Budi shpall botёrisht shqetёsimin e vet pёr paditurinё e njerёzve?

09:55, 27/02/2024
A+ Aa A-

Nga Ndriçim Kulla

Sikundёr shpjegon  edhe filozofi i madh francez, Volter, iluminizmi zë fill nё Angli dhe pёrhapet nё Europё me kontributin e figurave më tё shquara tё kulturёs. Nё Angli kjo pёrputhet me periudhёn pas Revolucionit tё shek. XVII, qё nё thelb u drejtua kundёr absolutizmit.Kёshtu iluminizmi europian shfaqet me ngjyra kombёtare, por krijon edhe njё botёkuptim tё pёrbashkёt qё sendёrtohet nё lirinё e njeriut (falё pёrdorimit tё arsyes, inteligjencёs vetjake), nё refuzimin e absolutizmit dhe nё vlerësimin e tolerancёs. Ndёr mendimtarёt iluministё anglezё spikatin idetё e Deizmit, njё rrymё sipas sё cilёs botëkuptimi fetar nё tёrёsinё e vet duhet dhe mund tё jetё racional, i arsyeshёm. Sipas tyre ky racionalizëm do tё jetё nё gjendje tё refuzojё ato pamje tё doktrinës fetare qё nuk gjejnё shpjegim nga arsyeja e thjeshtё. Tё tilla do tё ishin mrekullitё, dogmat, ekzistenca e njё Zoti personal, etj.

Këto figura fillojnë të shfaqen nga gjysma e dytë e shekullit XVII, pra pas Budit.Nga ana tjetër ato ide të njeriut të emancipuar me anën e dijes dhe kërkimit të së vërtetës, lidhen edhe me spiritualitetin. Ato ide lindin në lashtësi me Sokratin, Platonin, Demokritin e të tjerë. Botëkuptimi i tyre kishte humbur në errësirën mesjetare që mbuloi Europën pas ungjillizimit të popujve perëndimorë. Në shekullin XVII fillon të ringjallet ai botëkuptim i lashtësisë që do të bëhet thelb i iluminizmit europian. Nga ana tjetër humanizmi dhe fryma iluministe në kuptimin e masipërm, ashtë në natyrën e mirëfilltë të njeriut dhe përfaqëson thelbin e urtësisë së tij. Të tillë e nxori në dritë Sokrati pikërisht si  një mendimtar popullor e që Platoni e formalizoi në veprat e veta, por si botëkuptim të Sokratit. “Nëse themi që Budi e parapriu iluminizmin europian, flasim për një element mendimi,  nuk nënkuptojmë filozofinë e formalizuar në traktate të shkruara. Pjetër Budi i ngjan më tepër atij njeriu të urtë si Sokrati. Ai tregoi plagët e kombit të tij pa i përzjerë ato me fenë edhe pse ishte një fetar i bindur. Mjerimi dhe padituria, mungesa e shkollave dhe problemi i gjuhës. Kjo ashtë diagnoza që Budi jep për  vendin e tij.”  1

Ai vendos në themel të botëkuptimit të vet rolin e gjuhës në jetën dhe emancipimin e kombit. E çfaqi këtë bindje edhe kur u kërkonte klerikëve të ndihmonin më shumë për të mësuar fëmijët, sidomos në shkrimin e gjuhës amtare. Pohimi i tij mbi Zotin që lyp gjuhën amtare si mjet të komunikimit me besimtarin, përbën një hap të madh në jetën fetare të popullit. Ai do të lutej në gjuhën e vet e jo në latinishten që edhe besimtarët italianë nuk e njihnin. Duke u kërkuar klerikëve që të bënin meshat në shqip, ai i jep liturgjisë së zbatuar një karakter më njerëzor, pikërisht sepse bëhet më e kuptueshme, pra minimizon natyrën dogmatike të saj. Do të jetë ky një parim i madh iluminist që zë fill në Angli kah gjysmës së dytë të shekullit XVII.  Budi, pra, duke pёrdorur gjuhёn amtare nё tё gjitha shёrbimet liturgjike, krijon mundёsinё qё ajo tё mos vyshket, por tё pasurohet edhe me pikëpamjen fetare tё jetёs sё njeriut. Gjuha, mjeti universal i marrëveshjes njerëzore, ndriçon edhe tё kuptuarit dhe pёrvetёsimin e dijes. Pёr kёtё arsye, edhe nё kёtё këndvёshtrim ai na shfaqet njëherësh si humanist i madh dhe iluminist shumё i hershёm e thellësisht kombëtar.

Kisha predikonte pёrparёsinё e saj nё njohjen e botёs duke zëvendёsuar dijen qё buron nga arsyeja dhe pёrvoja, me dogmёn fetare. Ky botёkuptim e linte nё errёsirёpopullin. Budi shpall botёrisht shqetёsimin e vet pёr paditurinё e njerёzve. Ai shihte pikёrisht te dija dritёn e shpёtimit nga robёria, sepse dija e ndёrgjegjёson njeriun pёr nevojёn e emancipimit, prej nga vjen natyrshёm kuptimi pёr lirinё si kush thelbёsor i ekzistencёs sё njeriut.  Ky ështё parimi mё i rëndёsishёm i iluminizmit europian. Eshtё ai parim qё e shndёrron njeriun nga i urdhёruar, nё qytetar tё lirё. Pra ashtё dija ajo qё i jep dinjitetin njeriut dhe pamjen e qytetarit tё shoqёrive demokratike tё ardhshme.

“Në këtë çeshtje Pjetër Budi është një  qytetar i madh i kombit që e lindi. E shohim  si qytetar sepse u orientua qartë ndërmjet teologjisë dhe filozofisë apo urtësisë popullore. Urtësia e njerëzve që  e rrethonin i thoshte që  dija ashtë forca e Njeriut. Ka një fjalë të urtë të bashkatdhetarëve të Budit: Kur njeriu me penë ndesh njeriun me pushkë, ky i fundit ashtë një qënie e vdekur. Më pas Sami Frashëri do të thoshte: Në do të korrësh mbas një viti, mbill grurë; në do të korrësh mbas një shekulli, ndërto shkolla. Duket gjeniale mënyra se si evindentohet forca e diturisë në këto dy fjalë të urta.” 2

Budi, nga një anë bart parimin e lashtë të kërkimit të së Vërtetës, si çlirim të Njeriut, sikundër vjen nga qytetërimet antike mesdhetare të parakrishtërimit. Nga ana tjetër edhe Ungjilli  i jep po atë vlerë kërkimit të së Vërtetës. Ndryshimi mes tyre qëndron ne faktin që teologjia pretendon primatin e dijes, që në këtë mënyrë çfaqet si një farë dogme. Në botëkuptimin e Pjetër Budit, Liria ashtë e Vërteta. Kërkimi i saj do të kishte kuptimin e luftës me armë kundër pushtuesit. Ndërmjet tyre Budi zgjodhi rrugën e laikut edhe pse ishte një ipeshkëv i kishës katolike. Pra kemi të gjitha arsyet për ta quajtur një qytetar laik të pashoq, n’atë agim të largët të shekullit XVII.Ai nuk shpresoi në mrekullitë që mund të sillnin lutjet drejtuar Zotit, por mendoi dhe  veproi si iluminist i vërtetë në krah të së drejtës për të luftuar kundër pushtuesit dhe despotizmit të tij.

Referencat

1-Albert Frashëri,Shekujve XVI- XVIl,revista Emathia,2014.nr 1

2- Po aty

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco