Shqipëria, autokracia Elektorale në zemër të Evropës

Shqipëria, autokracia Elektorale në zemër të Evropës

17:11, 24/02/2024
A+ Aa A-

Nga Pranvera Shehaj

Në përpjekje për të dokumentuar arsyet e klasifikimit të Shqipërisë në dhjetë vitet e fundit si autokraci elektorale sipas çdo indeksi ndërkombëtar, ky shkrim konsiston në identifikimin e  ngjarjeve, metodave dhe mekanizmane ndër më të bujshëm që kanë goditur e traumatizuar deri sa kanë paralizuar dhe vrarë funksionimin normal të demokracisë, ndofta tranzitore e të çalë, por së paku sërish demokraci.

Ia nisim me përdorimin e marrjes së pushtetit në vitin 2013 nga e majta, për t’i shpallur luftë të hapur biznesit të vogël e të mesëm, veçanërisht në vijën bregdetare dhe jo vetëm, duke nisur masivisht një fushatë prishjeje dhe zhdukjeje të godinave pa leje e me leje ndërtimi, nën premtimin e rremë të rritjes së hapësirave publike. Sot më 2024? Çdo centimetër tokë dhe grimcë rëre ështe e zënë nga biznese të ringritura, në të njëjtat vende dhe më shumë, me pronarë të ndryshuar si për tokën edhe për godinën. Shembull ndër shumë shembuj? Vlora, qyteti ku prej fillimit të së famshmes Lungomare deri tek Kalaja, vija bregdetare është ose betonizuar, ose është e zënë në krejt sipërfaqen e saj me biznese private. Projektet në letra janë gati për më tej. Shpronësimi, goditja dhe represioni mbi një kastë pronarësh, për të shtetëzuar fillimisht pronat e tyre, e për t’ua rishpërndarë nje grupi fare të vogël manjatësh aksionerë me pushtetin është klasike e një qeverie autokrate. Të tillë praktikë pa dhe po sheh në një dekadë mbarë vendi. Sot për sot, dy çështje demaskojnë raportin e pushtetit të majtë autokrat me pronën private: (1.) Himara (hot topic), aty ku shpronësimi, grabitja e pronës dhe interesa të fuqishme ekonomike kanë sakrifikuar të drejtat e njeriut me çështjen Beleri, dhe marrëdhëniet diplomatike me një vend anëtar të BE-së; (2.) Arrestimi i ish-kryeministrit, ish-presidentit, dhe liderit të forcës më të madhe opozitare në vend, Sali Berisha, për një ligj mbi rikthimin e pronës, ligj i cili i dha atij fitoren në programin elektoral të vitit 2005. Autokracitë dhe urrejtja e tyre ndaj pronës private dhe pronarëve nuk pyesin për kurbanët që sakrifikojnë.

Vazhdojmë me demonstrimin e forcës brutale të shtetit policor. Është e vërtetë se në definicionin klasik të shtetit, monopoli i ushtrimit të forcës brenda një territori të caktuar i jep atij identitetin si shtet, por po aq është thelbësore që forca të ushtrohet në funksion të mbrojtjes së çdo qytetari brenda territorit ku shteti vepron. Qeveria, e cila sot, vendin në zemër të Evropës e të vendosur në një nyje strategjike gjeopolitike - që në kushtet e një jete politike normale e të demokratizuar, do t’i sillte përfitime të çmuara në çdo dimension të saj, - e ka radhitur në radhë me shumicën e vendeve të kontinentit afrikan e ka përdorur uniformat e shtetit jo vetëm për të nxjerrë prej leckash nga banesat e pronat me një arrogancë e urrejtje anti-njerëzore qytetarët,por ka arritur deri tek vrasje shtetërore si ajo e Klodian Rashës, e cila u pasua me makabritetin e arrestimit, përndjekjes dhe keqtrajtimit të qindra adoleshentëve dhe të rinjve, të cilët protestuan për të kërkuar marrjen e përgjegjësisë për atë vrasje shtetërore. Përveç episodeve të herëpashershme ku dhuna policore, ka demaskuar edhe narkotizimin e policisë së shtetit, dëshmia më flagrante dhe demonstrative deri në arrogancë e forcës brutale policore si identifikuese e autokracisë, është dhuna masive në cdo protestë a manifestim publik opozitar përmes përdorimit të gazit lotsjellës, shkopave të gomës e mjeteve që nuk kursesin jo vetëm qytetarët, por edhe median, kërcënimeve direkte dhe indirekte me vendet e punës para dhe pas protestave. Krahasim me perëndimin që aspirojmë? Po bëhen javë që Gjermania, fle dhe zgjohet me kamionët e fermerëve në rrugët kryesore simbol të Berlinit dhe qyteteve më të mëdha të saj, por asnjë episod dhune, agresioni dhe represioni nuk është parë mbi protesuesit, grevat e të cilëve vazhdojnë të paralizojnë përditshmërinë e vendit. Përkundrazi ministri i financave Christian Lindner minimalisht respektoi protestën e tyre duke u vetëofruar për një fjalim publik përpara protestuesve.

Fenomen kyç i autokracive elektorale si Shqipëria është dhe mbetet organizimi i zgjedhjeve elektorale formale, të cilave u mungojnë të gjithë mekanizmat që do t’i bënin ato të drejta dhe të lira. Edhe pse lidhur me të drejtën për zgjedhje të lira, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është shprehur në nenin 45, pika 4, ndërs Kodin Zgjedhor në pikën 2 të nenit 3, një autokraci nuk druhet as nga autoriteti i Kushtetutës e as nga komponentët ligjorë të saj. Përpos dëshmive reale, episodeve dhe pse jo të gjitha të raportuara në media, zhvillimi i zgjedhjeve vetëm formalisht dhe të gjymtuara masivisht nëpërmjet shit-blerjes së votës, frustrimit, përdorimit të administratës publike, intimidimit dhe disavantazhit të informacionit për kundërshtarin, dëshmohet në të gjitha raportet e OSBE-ODIHR, ku më të ashprat janë ato të 2019, 2021 dhe 2023, me emërues të përbashkët si: “Partia qeverisëse përfitoi avantazhe të rëndësishme nga të qenit në pushtet, duke përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative. Kjo u amplifikua edhe nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media.”Dëshmia e fundit e krimeve masive elektorale? Zgjedhjet e vitit 2023, qytetarët shqiptarë që votuan koalicionin opozitar, gjetën atje emrin e një kryetari tjetër nga ai të cilin kishin mbështetur përgjatë fushatës elektorale, konrektisht z. Berisha. Përfundimi? Vetëm një sistem ilegjitim antidemokratik, i tipit autokraci elektorale, ngrihet mbi zgjedhje elektorale ilegjitime.

Manipulimi publik përmes kontrollit të informacionit. Një ish-ministër i financave i akuzuar nga drejtësia formalisht e ristrukturuar pas thuajse një viti largim nga vendi dhe organet e kësaj drejtësie, për të cilën do flasim pak më poshtë, deklaroi në një nga të paktat media në mbrojtje të kauzave opozitare se të pakta janë mediat në Shqipëri të paushqyera nga afera e inceneratorëve, skema korruptive më galopante në 34 vite shtet ligjor shumëpartiak. Autokracitë elektorale si Shqipëria ndërtohen mbi tentakula të konsoliduara të kontrollit të medias dhe informacionit, të cilat në Shqipëri dëshmohen prej korrupsionit të televizioneve publike dhe private, institucioneve të kontrollit të medias, parapërgatitjes dhe censurës të çdo kronike televizive deri te përdorimi i institucioneve të drejtësisë për kërcënimin e gazetarëve. Demonstrativ e përtej kufijve është rasti i gazetarit Elton Qyno, persekutimi politik i të cilit përmes strukturave të drejtësisë nga partia rilindase në pushtet provokoi reagimin e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias drejtuar kryeprokurorit të SPAK. Të tjera raste janë ato të prekjes fizike të gazetarëve, kërcënime dhe diskriminim i hapur ndaj gazetarëve të TV anti-qeveritare, deri tek frustrimi dhe intimidimi përmes batutave bulliste me karakter seksist në studio televizive e jo vetëm.

Kalimi i ligjeve pa asnje procedurë, shkelja e Kushtetutës, mosfunksionimi i parlamentit, dhe paralizimi i institucioneve. Mohimi i komisioneve ligjore parlamentare prej muajsh, i vetmi mekanizëm në fakt që i lejon opozitës të ushtrojë ndikimin e saj në parlament, kalimi i ligjeve me votim unanim një partiak dhe në shkelje flagrante të procedurave të parashikuara në Kushtetutë, njohja e marrëveshjes për emigrantët me qeverinë italiane nga Gjykata Kushtetuese, e cila si rrallë në historinë politike post-komuniste lë në mëshirë të fatit Kushtetutën e vendit, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore nga Presidenti i Republikës në shkelje flagrante të Kushtetutës sipas çdo analize juridike, ligji për studentët e mjeksisë dhe pengmarrja e diplomave si dhe komunikimi në terr e arrogancë me studentët, janë të gjitha disa prej copëzave të panoramës së zezë që përzien shkeljen e të drejtave të njeriut me dhunimin e shtetit ligjor.

Tronditja e themeleve të parlamentarizmit në Shqipëri është shoqëruar nga reforma në drejtësi, rrëzimi i fasadës së drejtësisë të reliktë me pretendimin e të qenurit e korruptuar, për ta zëvendësuar me një drejtësi të kristaltë, a thua se një autokraci elektorale paska qenë e aftë t’i japë jetë brenda saj një gjyqësori krahasimor me vendet demokratike. Për të kuptuar fizionominë e re, mjafton t’i referohesh Matt Palumbo në librin e tij: “The man behind the curtain: Inside the secret network of George Soros”, i cili demaskon hapur skemën e kapjes së institucioneve të drejtësisë (dhe jo vetëm) në vendet e ish-bllokut komunist. Metoda është e thjeshtë: propaganda punon fort për krijimin e një tymnaje intensive mbi kastën e korruptuar në çdo institucion të shtetit ligjor, për të krijuar alibinë e zëvendësimit të saj jo vetëm me një kastë të korruptuar, por edhe të nënshtruar. I gjithë sistemi pra përqëndrohet në funksion të interesave personale dhe ideologjike të autokratit. Struktura e re e drejtësisë së SPAK-ut në Shqipëri, e marketuar fort nga kombëtarë e ndërkombëtarë, në fare pak vite punë duket se nuk ia ka dalë ta ruajë fasadën e reputacionit të dëlirë duke patur qartazi atë që shkencërisht do të quhej “selection bias”, i.e., gjykimi, dënimi anti-ligjor dhe në kundërshtim me Kushtetutën, deri edhe persekutimi i zgjedhur me qëllim asgjësimin jo vetëm të forcës opozitare në vend, por edhe spastrimin e konkurrencës për autokratin. Arrestimi i liderit të së djathtës Berisha, jo vetëm ka goditur parimisht dhe literalisht themelet e shtetit ligjor, por është sot burimi kryesor i kalimit të vendit thuajse në sistem njëpartiak. Është e vërtetë se praktikat makiaveliane janë të preferuarat e autokratëve dhe spastrimi i rrugës drejt monopolizimit të pushtetit është qëllimi final i tyre, por ne nuk jemi Italia e disa shekujve më parë dhe Rama nuk është as një prej princërve të atyre viteve. Autokrati dhe SPAK-u mjaft të kujtojnë se sot, Donald Trump me disa akuza mbi supe, hetohet i lirë, me të drejtën e plotë për të bërë fushatë elektorale e me shumë shance të rimarrë presidencën e SHBA-së. Së fundmi, zaptimi i drejtësisë, - e cila ndëshkon mbi bazën e interesit dhe axhendave politike kombëtare e ndërkombëtare dhe jo mbi bazën e respektimit të shtetit ligjor, Kushtetutës dhe interesit qytetar për të ndaluar korrupsionin masiv aktual si për shembull në rastin e inceneratorëve, - instrumentalizimi i parlamentit, marxhinalizimi i pluralizmit, injorimi, denigrimi dhe përdorimi njëvetjak i Presidentit të Republikës, ndodhën dhe ndodhin në dekadën e fundit të një shteti në zemër të Evropës, shtet infantil e komb i lashtë, që ka lënguar dhe lëngon nga nevoja për demokraci.

Si përfundim, duhet thënë se autokracia elektorale majtiste në Shqipëri ka arritur kulmin me cënimin e sigurisë kombëtare, në aferën transoqeanike McGonigal. Nëpërkëmbja e interesit kombëtar ka vegjetuar si hije jo vetëm në gjyqe ndërkombëtare, të cilat mbahen ende përtej kufijve përsa kohë SPAK nuk i ka prioritet në axhendën etalon të drejtësisë, por edhe në procese diplomatike të cilave u bëhet karshillëk nga Tirana me nisma paralele. Shembulli konkret, Procesi i Berlinit vs Open Balkan. I pari, kërkesë, plan dhe iniciativë e Angela Merkel për integrimin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin rajonal dhe intensifikimin e marrëdhënieve të të gjitha vendeve të rajonit. I dyti, një iniciativë e axhendave paralele, e faktuar në tryeza që dëshmojnë se si manjatët me projekte për minimin e demokracive dhe zhdukjen e ideologjive të djathta, u imponohen, blejnë dhe marrin peng liderë autokratë, të verbuar e të dorëzuar katërcipërisht në paranojat e pushtetit.

 

Referenca:

European Centre for Press & Media Freedom (ECPMF). Albania: SPAK must respect source protection in case of journalist Elton Qyno. January, 2024.

Palumbo M. The man behind the curtain. Inside the secret network of George Soros.Liberatio Protocol; 1st edition (21 Dec. 2021)

Raporti përfundimtar i Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. OSCE. Varshavë, 2019; 2021; 2023.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco