Po sikur ky yll, ah qoftë larg, të bjerë mbi babain që është në Tiranë...

Po sikur ky yll, ah qoftë larg, të bjerë mbi babain që është në Tiranë...

21:58, 21/01/2024
A+ Aa A-

Nga Agim Xhafka

Kur më pyeti nipi, në ç’moshë unë kam përjetuar stresin më të madh, i thashë:

- Kur isha afër 5 vjeç.

Që mos e lija shumë të çuditur vazhdova:

- Mbaj mend në Korçë kishim dalë të prisnim autobuzin që vinte nga Tirana. Unë, gjyshja dhe vëllai katër vjeç, një vit më i vogël nga unë. Mamaja ndenji në shtëpi me motrën që sapo kishte lindur. Babai kishte shkuar me shërbim në Tiranë para tre ditësh ndaj po e prisnim. Kujtoj që nuk më mbante vendi. Kisha gëzim, padurim, ankth. Përzjerë emocionet. Bile dhe më qahej. E ja, erdhi autobuzi, u hap dera, dolën nja tre burra e fap u shfaq babai im i bukur, i qeshur, i gjatë, elegant. U sula drejt tij me atë vrull që vrapoja kur na lëshonin nga kopshti. Ai hapi krahët, më rrëmbeu, më zhyti te gjoksi i tij e atë çast mua më kapi gulshi. Qaja, qaja dhe nuk pushoja. Aq shumë sa babai u përlot në fillim nga që u prek. Më tej më shtrëngoi më fort, por pas ca sekondash u shqetësua për mua.

- Çfarë ke bir? - më tha me zë që i dridhej prej ankthit.

Mua ato çaste më kishte ikur goja. Nuk më delnin rrokjet, ato kishin ngecur te gardhi i dhëmbëve, nuk kërcenin përjashta. Mes lotëve shihja fytyrën e tij, i fërkoja faqet dhe herë qaja e herë buzëqeshja. Më pas u nisëm drejt shtëpisë. Në një dorë ai kishte kapur vëllain, te dora tjetër isha unë. Në çdo dy hapa puthja dorën e tij e isha mbase më i lumturi në botë. Deri sa babai shkoi të flinte unë nuk iu ndava. E putha, i thashë natën e mirë, u ktheva prapë, e putha prapë. Kështu bëra pesë a gjashtë herë deri sa nëna foli gati me inat:

- Ore do shkosh te krevati tënd ti apo të ngrihem e të të fus një pesëshe! Me vrap tani se ta pllavita!

Pas këtyre fjalëve u largova drejt e për gjumë. I qetësuar dhe me mendje të mbledhur.

Kjo ngjarje mbaj mend ka ndodhur në maj. Kur qielli është shumë i pastër sa gati i prek me dorë yjet, kaq afër duken. E pikërisht një yll ma solli stresin që po tregoj. Pashë që u rrëzua nga qielli dhe me shpejtësi mori për poshtë.

- Shihe, shihe, - i thashë gjyshes. - Ku do të bjerë ai ylli që sapo u këput? - e pyeta.

Ajo nga që s’dinte të ma saktësonte i preu drutë shkurt:

- Ou, ai bije larg, shumë larg nga këtu, o bir. Bije andej tutje-tutje, mbase andej nga Tirana, - dhe shtriu krahun drejt horizontit me drejtim nga maja e malit të Ostrovicës.

Fjala “Tirana” më tronditi, më ngurosi dhe frika më kaploi nga koka te këmbët. Po sikur ky yll, ah qoftë larg, të bjerë mbi babain që është në Tiranë, të rrëzohet ky yll mbi flokët kaçurela të tij, mbi buzëqeshjen që nuk i shqitej? Kjo pyetje më la pa gjumë. Jo vetëm atë natë, por dhe të nesërmen deri sa erdhi ora që do shkonim te agjencia, të prisnim autobuzin që sillte babain. Zemra me vrap tak-tak, tak-tak nuk pushonte. Si troku i kalit. Sa e pashë babain në të vërtetë besoja pakëz, po pakëz fare se ai yll mbase mund ta kishte gërvishtur atë, mund t’ja kishte thyer psh një gisht te këmba. Gishtin e vogël mendoja me gjysëm zëri. Kjo qe më e keqja, por jo më shumë. Ai yll nuk do e rrëzonte dot babain tim. Se ai qe shkëmb. Shkëmb përzjerë edhe me hekur, edhe çimento, i thoja vetes. E ja më doli fjala. Ylli që ra nuk e kishte preku aspak babain. Se ylli nuk e rrëzon yllin, i dhashë shpjegim fëminor. Ndaj fjeta me ëndërra të ëmbla mjaltë. Me ëndërra të bardha - të bardha që më ngazëllyen fiks si ajo dita kur në Korçë bie bora e parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco