Kryeministri dhe pasqyra e tij

Kryeministri dhe pasqyra e tij

12:59, 31/12/2023
A+ Aa A-

Nga Denada Hysa

Teksa po ndiqja Kryeministrin e vendit tim në konferencën e shtypit të fundvitit përballë gazetarëve (Pasqyra e punës së Qeverisë përgjatë vitit 2023), duke dëgjuar “arritjet” e njëpasnjëshme të Qeverisë dhe progresin “gjigant” që kishte bërë vendi nga “fitorja në fitore”, gati po më dukej vetja se isha shtetase e Luksemburgut, Zvicrës apo e vendeve skandinave.

Më dukej se përgjatë vitit kisha jetuar në parajsë por që nuk e kisha kuptuar. Sipas kryeministrit të vendit tim, viti 2023 ishte viti më i mirë i tre dekadave të fundit në ekonomi, fushën e sigurisë, shërbimeve publike, investimeve të huaja, të ardhura të larta, rënie e papunësisë, hapja e vendeve të punës, turizëm, investime të huaja, madje edhe aeroporti i Rinasit kishte fluksin më të lartë në rajon baraz me Beogradin. Kantieret e ndërtimit gumëzhijnë - tha kryeministri, madje u mburr që po mbushte arkën e Shtetit nga gjobat ndaj atyre që kishin bërë qoftë edhe 1 metër katrorë ndërtim pa leje dhe se kishte mbledhur 5.5 milion euro nga tre kompani dhe priste të mblidhte edhe 10.5 milion euro të tjera nga nëntë kompani të tjera.

Rritjen më të madhe sipas kryeministrit e kishte sektori i turizmit duke thithur 3.2 miliard euro. Me pak fjalë,  sektori privat ku operojnë subjekte private të pavarura nga Qeveria të cilat i paguajnë taksa Shtetit prej të cilave mbahet dhe paguhet edhe Qeveria.

Çfarë suksesi? Investimet e huaja kishin arritur në 1 miliard euro (pa llogaritur investimin e Qeverisë Italiane në kampin e refugjatëve afrikanë në Shëngjin).

Ndër arritjet e Qeverisë kryeministri përmendi edhe kreditë e garantuara për policët, ushtarakët, mjekët dhe çiftet e reja për shtëpi. Shifra ishte 1000 shtëpi sipas kryeministrit. Me pak fjalë, ju kishte garantuar të marrin borxh. Të marrësh borxh dhe të garantojë qeveria është arritje sipas Kryeministrit dhe atij që merr borxh i përmirësohet jeta. KRYEVEPËR!

Pozicioni ndërkombëtar sipas kryeministrit ishte në nivelet më të larta se asnjëherë, megjithësë procesi i aderimit në Bashkimin Europian ka stopuar. Por kryeministri nuk denjoi të jepte përgjigje për ndihmën e munguar të Shtetit për 26000 fëmijë jetim prej të cilëve vetëm më pak se 1000 përfitojnë ndihmë sociale.

Kryeministri nuk foli për çmimet e larta që çdo ditë rriten. Nuk foli për shpopullimin e vendit e cila është edhe arsyeja pse statistikisht papunësia ka rënë. Shqiptarët po ikin kështu që të papunë natyrisht që sot ka më pak se dje. Kryeministri nuk foli për gjendjen e mjeruar të arsimit. Nuk foli asgjë për të rinjtë. Kryeministri nuk foli për mega aferën korruptive të Inceneratorëve (tha: nuk punoj në Komunale). Kryeministri e mbrojti ish-ministrin e tij, 2 metroshin Ilir Beqja i cili rrëzoi “postulatin” e kryeministrit që dikur ishte shprehur se nuk mund të jetë hajdut një njeri 2 metra (në atë kohë i referohej vetes). Kryeministri e quajti opozitën të shpartalluar, një “federatë palësh” ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe se në Parlament nuk kishte një situatë për marrëdhënie bipartizane por se në Parlament kishte shumë partizanë dhe shumë ballistë. Kryeministri u shpreh shpesh se nuk ndërhynte në punën e Drejtësisë kur i përmendeshin vartësit e tij të dorëhequr, të hetuar, të arrestuar dhe të burgosur. Ndërsa në pyetjen që ju bë lidhur me vendimin e Gjykatës për liderin e opozitës Dr. Sali Berishës, i cili ndodhi pikërisht në kohën e zhvillimit të kësaj konference, Kryeministri gjeti rastin të sillte në vëmendje 21 Janarin 2011. “Nuk do të ketë drejtësi, tha ai, pa u gjykuar 21 Janari dhe pa u vënë para Drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre”. Kryeministri për 21 Janarin foli gjatë, siç bën gjithmonë kur i nevojitet kjo ngjarje për përfitim politik. Madje shpjegoi edhe se cili standart ndaj njerëzve me pushtet duhet të vendoset duke u gjykuar 21 Janari. Kryeministri harroi se “nuk ndërhynte në punën e Drejtësisë”! Tha e ç’nuk tha Kryeministri i vendit tim në konferencën e fundvitit përballë gazetarëve. Ajo çka unë kuptova më mirë se gjithçka ishte se: “Ka ditë kur shikojmë veten në pasqyrë dhe ndihemi të kënaqur me atë që shohim. Ka ditë kur pasqyra na tregon një imazh që na bën të ndihemi të pakënaqur. Ndërsa kryeministri i vendit tim është i lumtur çdo ditë me atë që sheh në pasqyrë.”

Një njeri me pushtet të pakufizuar është i kënaqur çdo ditë me atë që sheh në pasqyrë. Mbase nuk është. Kushedi?

Sa për hurdhrën z. Kryeminstër...Hudhra përmban të paktën një duzinë antioksidantë që, përveç forcimit të sistemit imunitar, ulë kolesterolin, shkatërron mpiksjen e gjakut dhe ndihmon në mbrojtjen kundër sëmundjeve kronike, natyrisht që do e duash shumë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco