Jo thjesht hapi, por imperativi i vetëm

Jo thjesht hapi, por imperativi i vetëm

22:14, 22/12/2023
A+ Aa A-

Dëgjova dje disa zëra, se me vendimin e djeshëm, Gjykata Kushtetuese thjesht i paskësh bishtnuar detyrës.

Prej këndejmi nevoja për të shprehur, se veprimi dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë më i rëndë sesa një bishtnim, apo një mëtim për të qëndruar dorëjashtë.

Po ashtu, është shumë më i rëndë sesa një shpalosje e qartë e të qenit një institucion në varësi të Edi Ramës – çka çdokush me dy pare mend në kokë e ka patur të qartë këtë, jo nga 24 shkurti e këndej, por edhe më herët (në 15 korrik 2021 personalisht e quaja “rahmetlie”); siç e ka patur të qartë se trupa e Gjykatës Kushtetuese ka në përbërje anëtarë të cilët janë larg pritshmërisë dhe lartësisë profesionale që kërkon ky institucion (dhe këtu nuk kam parasysh thjesht atë zonjën që u “betua” tek noterët e Lanës, as partneren e Alibeajt) - në këtë drejtim, me vendimin e djeshëm, Gjykata Kushtetuese thjesht sa e bëri akoma edhe më të qartë paaftësinë dhe mungesën e profesionalizmit, qoftë edhe për faktin se në arsyetimin e saj, duket qartë se nuk arriti të shohë se 1/5 e deputetëve është subjekt in actu dhe objekt in potentia (qoftë sa i përket të drejtës për të shprehur me votë dhënien apo mosdhënien e autorizimit, qoftë sa i përket gjasës se KAPS mund të veprojë me ta njëlloj siç veproi me Doktor Berishën).

Me veprimin dhe vendimin e djeshëm, Gjykata Kushtetuese kreu diçka më të rëndë, u mohoi 1/5 së deputetëve një të drejtë të pakushtëzuar kushtetuese, njëlloj siç po bën prej muajsh Edi Rama, teksa po i mohon opozitës të drejtën e saj kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Me këtë veprim dhe vendim të saj, trupa e Gjykatës

Kushtetuese kreu dy gjëra:

Së pari, përmbysi haptazi Pushtetin e Kushtetutës, dhe e zëvendësoi me Kushtetutën e Pushtetit.

Së dyti, në vend të mbylljes së konfliktit 1/5 deputetëve vs KAPS, krijoi një konflik të ri, konfliktin 1/5 deputetëve vs Gjykata Kushtetuese.

Prej këndej, deputetët të cilët u privuan nga kjo e drejtë kushtetuese, duhet imperativisht ta kundërshtojnë këtë vendim në Strasburg, qoftë sepse kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut, qoftë sepse nuk ka organ tjetër vendor që mund të zgjidhë konfliktin 1/5 e deputetëve vs Gjykata Kushtetuese.

Një hap i tillë do të sillte shumë më tepër sesa thjesht rimarrjen e një të drejte të mohuar, apo nxirrjen lakuriq faqe tërë botës të trupës së Gjykatës Kushtetuese si vegël e verbër e

Ekzekutivit (në vend, është lakuriq qysh kur u konstituua). Rrëzimi i vendimit të Gykatës Kushtetuese në Strasburg do t'i priste udhën krijimit të precedentit, i cili shenjon as më shumë as më pak, por vdekjen kushtetuese të opozitës dhe demokracisë.

Më pas, do të sillte vetiu rënien e trupës aktuale dhe nevojën e ngutshme të riformatimit të saj. Jo turpërimin e saj, të kuptohemi, pasi anëtarët e trupës së Gjykatës Kushtetuese janë po aq të paturp sa edhe Edi Rama.

Nga Salvatore Doda


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco