Letra e Hapur - Arsyet për mosmiratimin e projektligjit për Legalizimin e Kanabisit

Letra e Hapur - Arsyet për mosmiratimin e projektligjit për Legalizimin e Kanabisit

08:32, 20/07/2023
A+ Aa A-

Nga Akil Pano - Letër e Hapur! Drejtuar Deputetëve Socialistë në Kuvendin e Shqipërisë.

Arsyet për mosmiratimin e projektligjit për Legalizimin e Kanabisit.

Kërkova dëgjesë publike në komisionin parlamentar i cili ‘shqyrtoi’ projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor, me shpresën se mund t’i ndikoja pozitivisht anëtarët e komisionit në mënyrë që ky projektligj të mos miratohej, por më thanë, “je vonë”.

“Dëgjesat kanë kohe që janë mbyllur. Kryeministri e ka pyetur një herë popullin përmes pyetësorit online dhe ‘populli ka folur.’”

Lidhur me pyetësorin, faktet flasin se kanë dhënë mendimin e tyre vetëm 14.5% e Shqiptarëve nga të cilët 61% janë shprehur pozitivisht për legalizimin e kanabisit.

Pyetja që kam është: a mjafton!? A është e mjaftueshme që pak më shumë se gjysma e 14% të Shqiptarëve të merren si referencë për të legalizuar atë që deri tani që shkruaj është krim!?

Historia na kujton që ka pasur momente në historinë e shoqërisë njerëzore, kur kombe të caktuara kanë dakordësuar luftën, genocidin, spastrimet etnike.

Mbi këtë premisë a mund ta marim si pikë referimi mendimin e shprehur të një pakice të shoqërisë për legalizimin e çka deri tani konsiderohet vepër kriminale në Shqipëri?

Sot ndodhem përpara dyerve të mbyllura të kuvendit. Pas tyre qëndrojnë përfaqësuesit socialistë që s’duan të dëgjojnë mendimin e një Shqiptari, babai, burri që sheh disa rreziqe të lidhura me legalizimin e kanabisit.

Me sa duket për socialistët ka ardhur koha për aksion politik dhe mua s’më mbetet asgjë veçse t’i drejtohem anëtarëve te Kuvendit te Shqipërisë me anë të kësaj letre të hapur, fjalët e së cilës nëse do të rezultojnë të pafuqishme për të tjetërsuar vendimin e socialistëve që me patjetër duan që kanabisi të legalizohet, shpresoj dhe lus Zotin që këto fjalë të mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën e tyre.

Të dashur deputetë socialistë, përfaqësues të zgjedhur të popullit në Kuvendin e Shqipërisë!

- Legalizimi i kanabisit është një e keqe e madhe.

Tema mbi legalizimin e kanabisit filloi rreth dhjetë vite më parë, ku unë kam qenë i ftuar përballë përfaqësuesve të së majtës në disa debate televizive.

Në atë kohë , pra viti 2014, ndërsa vendi ishte i mbushur me kanabis, në debatet televizive ju jeni përpjekur ta lidhnit legalizimin e kanabisit me aspektin pozitiv të uljes se krimit, çka për mua ishte një dialektikë jo vetëm e palogjikshme, por në thelb me një problem moral.

Problemi ishte se veprimtaria kriminale që lidhet me kanabisin, nuk ka lidhje me përdorimin e tij për arsye mjekësore, por siç dihet lidhet me përdorimin e tij si ‘bar’ kënaqësish dhe varësie. Si rrjedhojë: si do të ulte nivelin e krimit kur nuk kishte lidhje me krimin për këtë arsye?

Propozuesit socialistë të ‘legalizimeve të mëdha’ e shohin legalizimin e ‘barit’ si një anije shpëtimi, mundësi përfitimesh ekonomike dhe taksimi, punësimi, hapje tregu, por kryesorja është:zhvillimi i sektorit të turizmit të kënaqësive (këtu përfshihet legalizimi i kanabisit dhe prostitucionit/shtëpive publike, për të cilin kam folur jo pak dhe e kam quajtur ‘legalizimi i dhimbjes’) dhe sa herë është folur për njërën, aq herë është folur dhe për tjetrën në debatet televizive.

Është njëlloj sikur kemi thënë: Legalizimi i krimit minimizon krimin dhe legalizimi i dhimbjes(në rastin e prostitucionit) minimizon dhimbjen.

Por që krimi të lihet krim dhe të legalizohet, kjo përjashton logjikën. Si rrjedhojë, kërkesa që parashtrohet është; përpjekja për të parë të keqen jo si të keqe (këtu kemi problemin moral) dhe për te gjetur mënyra si mund të përftohen të mira nga e keqja (që s’duhet të jetë më e keqe).

Është njëlloj sikur themi: Pse mos të legalizojmë vrasjet (vendosim me ligj që vrasja nuk është krim) kështu kemi mbërritur në pikën ku mund të shpallim Shqiptarët të lumtur dhe vendin të lirë nga krimi. Në momentin që vrasjen se konsiderojmë më krim, krimi nuk ekziston, pavarësisht se vrasjet vijojnë!

E vetmja mënyrë që e keqja të legalizohet, është të mos shihet më si e keqe. Kjo është arsyeja pse përpara hartimit të projektligjit mbi legalizimin, kanabisi u prezantua si ilaçi mrekullibërës.

- Jo çdo aktivitet që premton përfitime financiare është një e mirë për shoqërinë. Mjaft të marim si pikë referimi vitin 97’ i cili kulmoi në dramën më të madhe shoqërore pas komunizmit, sepse shumica vlerësoi më shumë përfitimet financiare, se sa dëmet e paimagjinueshme ndaj njeriut, familjes dhe shoqërisë, që bashkëlidheshin më këto përfitime.

-Legalizimi i kanabisit, pasuron xhepat e nje pakice dhe varfëron shumicën. Legalizimi i kanabisit do të pasurojë 3-4 familje, por do të varfërojë tokën e mbjellë me kanabis. Do të orientojë ekonominë në drejtimin e gabuar dhe do të jetë pengesë për kultivimin e kulturave të tjera bujqësore nga fermerët vendas, çka do të çojë në rritjen e kërkesës për produktet bujqësore të importit. Kjo çon në rritjen e çmimeve të produkteve për qytetarët, pra rritjen e varfërisë së tyre.

Në vend që të ndërtoni qindra hektarë plantacione kanabisi, pse nuk i vini në ndihmë fermerëve vendas me mbështetje dhe subvencione, me orientimin e politikave kombëtare për rritjen dhe lulëzimin e produkteve vendase? Pse nuk ndihmoni fermerët Shqiptarë të gjejnë treg ndërkombëtar për shitjen e produkteve të tyre sezonale? Pse nuk ndihmoni në ndertimin e magazinave frigoriferike për fermeret që në sezonin e prodhimit përshkak të mungesës së tregut hedhin në kanale prodhimet e mundit të tyre ?

Në vend që sot të diskutoni kanabisin, pse nuk flisni për domaten, shalqinin, agrumet, mollën, dardhën, shegën, ullirin, arrorët, etj!?

Me kanabisin ju s’do të fitoni asgjë, pasi ata që do të fitojnë do të jenë vetëm një pakicë e pakicës nga mesi juaj.

Përkundrazi, me kanabisin ju do të humbni gjithçka që ende ka mbetur e mirë dhe e virtytshme në ju!

Sot humbni respektin dhe mbështetjen e shumicës së popullit, por mbase kjo është gjëja e fundit që doni të mendoni, duke harruar që dy vitet e mbetura në mandatin tuaj kalojnë shpejt. Dhe katër vitet në vijim pas tyre kalojnë shpejt. Kështu konsumohen orët biologjike të njeriut dhe në fund…. po të jemi me fat, vështrojmë mbi fëmijët e rritur dhe dëshirojmë të kemi pranë vetes nipër e mbesa. Me kanabisin ju rrezikoni fëmijët tuaj, pasardhjen e tyre.

Miq socialistë! Vendimi që do të merrni sot i ekspozon fëmijët dhe të rinjtë Shqiptar ndaj së keqes duke ia prezantuar të keqen si të mirë, ‘helmin’ si ‘bar mrekullibërës shërimi.’

Legalizimi i kanabisit promovon trafikimin e drogës. I njëjti fenomen ndodhi në Holandë dhe Gjermani me legalizimin e prostitucionit.

Legalizimi i kanabisit nuk e kontrollon industrinë e drogës, por në të kundërt, e përhap atë më shumë. Rrit mundësinë e mbjelljes, kultivimit dhe shpërndarjes ilegale të kanabisit në tregun vendas. Nuk i mbron përdoruesit dhe vartësit, por i ekspozon ata më shumë. Rrit numrin e përdoruesve në moshat më të vogla dhe gjithashtu rrit kërkesën e tregut.

Proverbi i lashtë Biblik na kujton të vërtetën e pamohueshme e cila shpall:

“Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund të çon në shkatërrim.”

Politikat dhe ligjet që në thelb relativizojnë të keqen, ose më keq akoma, e legalizojnë atë, janë politika të cilat shembin themelin e shoqërisë.

Nëse refuzoni të jeni llogaridhënës për vendimet që do të merrni sot, ju siguroj që nesër duke vështruar mbi fëmijët tuaj do të ndiheni përgjegjës, por nesër është vonë. Sot merrni vendimin e duhur. Zoti ju mban përgjegjës!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco