Pse duhet që e gjithë shoqëria të reagojë për projekt-vendimin e qeverisë për studentët e mjekësisë?

Pse duhet që e gjithë shoqëria të reagojë për projekt-vendimin e qeverisë për studentët e mjekësisë?

13:52, 13/07/2023
A+ Aa A-

Qemal Çejku/

Studentët e mjekësisë janë maturantët ekselentë të sistemit arsimor në vend. Nëse qeveria në 10 vite nuk ka ditur të hartojë politika që këta studentë të bëhen elita e nesërme e mjekësisë dhe baza e një sistemi për të prodhuar kërkime shkencore dhe sistem normal dhe të kërkuar shëndetësor, atëherë mund të themi që ka dështuar si qeverisje.

Mjekët dhe mësuesit janë baza e një shoqërie për shërbimet publike. Largimi i tyre, kryesisht i mjekëve, është tregues i mungesës së dëshirës dhe politikave normale të një shoqërie, si dhe humbje e shpresës së një sistemi shëndetësor,  ndërkohë që sëmundje të ndryshme e të reja janë në rritje çdo ditë.

Po, këta studentë sot janë në kushte jo shumë të përshtatshme për të nxjerrë më të mirën e tyre, me godina pa kushte normale. Ndërtohen spitale, por pa ambiente për studentët, librat e tyre janë të pa përditësuara (nëse mund të quhen libra ato fotokopje të palidhura dhe që janë të njëjta me ato të shumë viteve më parë e me përkthime që sjellin vetëm lodhje) e studentët janë të detyruar të kërkojnë në internet dhe në faqe zyrtare botërore për mjekësinë (për fatin e tyre të mirë janë njohës të një gjuhe ndërkombëtare se informacionet në shqip janë të pakta) . Fakulteti i Mjekësisë ofron mësimin në godina ekzistuese që datojnë më e reja para 20 vitesh, pa laboratorë modernë si në lëndët bazë Anatomi, Mikrobiologji etj ashtu dhe në lëndët klinike.

Nga viti në vit bie numri i studentëve ne universitete, por numri i studentëve të mjekësisë është në rritje. Qeveria duke parë kërkesën e madhe për t'u bërë mjekë, ka hartuar një projekt - vendim diktatorial duke detyruar elitën e arsimit në Shqipëri që t'i mbyllë brenda me pretekstin që kemi nevojë për mjekë apo që janë edukuar me taksat e popullit. Por a është e sinqertë dhe normale koha do ta provojë.

Studentët, mjekët sipas një studimi të “Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale” ikin për arsye të faktorit ekonomik, pra për të përmirësuar  standardet e jetesës, për faktorë edukativë, ndjekje të arsimit jashtë vendit, për shkak të kushteve  të papërshtatshme të punësimit në Shqipëri, etj. Askush nuk ik larg familjes dhe vendit të tij nëse këta faktorë do të ishin normalë.

Qeveria duhet të shqetësohet kur 62% e të diplomuarve në mjekësi në 2018-2022 synojnë të ikin, por jo të hartojë ligje në kafene pa u konsultuar me grupet e interesit. Po t'i hedhim një sy pagës, nëse paga e një mjeku në Shqipëri është afërsisht 900 euro , në Gjermani është 4000 mijë euro. Ndërkohë që kemi numrin më të ulët të mjekëve për frymë banorësh 1.2 mjekë për 1000 banorë.  Sistemin në kapitalizëm e rregullon paga dhe sistemi i mirë arsimor e jo ligjet e urdhërat antikushtetues dhe të pakonsultuar me askënd.

A duhet të ngremë alarmin kur shohim që nga Shqipëria ikin talentet? Apo duhet të kthehemi në butakë dhe të pranojmë çdo gjë që bën partia dhe sigurisht e miraton populli me “votë”.

Dy të tretat e mjekëve janë të integruar në vendet pritëse, kjo do të thotë që vërtetë studentët dhe mjekët tanë janë në lartësinë e duhur pasi ata mësojnë dhe gjuhën në kohë të shkurtër, por ata kurrë nuk heqin dorë nga Shqipëria, janë aktivë me shoqata shqiptare të  vendeve ku jetojnë.

Këtyre studentëve sipas anadollakëve me pushtet, nuk duhet t'u jepet diploma, pasi ata duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri, e natyrshëm lind pyetja: Këta mjekë a do të licensohen për ushtrim profesioni të mjekut? Apo do të qarkullojnë diplomat nga zyra në zyrë sekret sikur të jemi në kohën e "qoftëlargut"?!

Por këta nuk i vendosin fre marrëzisë pasi do të përcaktojnë një kuotë financiare për ata që nuk firmosin  marrëveshjen në fjalë, kuotë financiare që duhet ta paguajnë për të mësuarit kryesisht autodidakt se universiteti pak u ofron: pedagogë që shkojnë sa në operacion në spitalin shtetëror, sa në privat, sa në leksion dhe studentë që vërdallisen me orare të çrregullta pa pasur mundësi as të punësohen me kohë të pjesshme, pa llogaritur pastaj mjetet që i njohin vetëm teorikisht. Po për universitet jo publike si është menduar? Apo mos ndoshta “ajo ishte loja”, që të prodhojnë studentë për këto universitete.

Kur ju “dhimbset” mjekësia pse propagandojnë “shëndetësinë falas”? Po t'u referohemi statistikave, shqiptarët shpenzuan një rekord prej mbi 100 milionë eurosh në spitalet private në 2021, rritje kjo 25% çdo vit.

Në të dhënat që Banka Botërore  jep për vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka performancën më të keqe, pasi banorët shpenzojnë nga xhepi për shërbime shëndetësore më shumë se të gjithë, ndërsa shteti ka shpenzimet më të ulëta për frymë për sistemin e shëndetësisë vetëm 3.6% të GDP. Mos ndoshta duhet parë e hartuar politika njerëzore nga këto të dhëna dhe jo nga tavolinat e ftohta prej betoni pa njerëz? Nëse doni shërbim shëndetësor edhe në zonat e thella, provoni diçka më motivuese.

Doni apo nuk doni ju, këta me apo pa diploma do të ikin dhe do të ingranohen në sisteme të ndryshme të vendeve pritëse, por pasi të ndodhë kjo, do të reklamojnë për suksesin e tyre dhe sigurisht do të merren me "skype" për kontributin e tyre në sistem siç ndodhi në kohën e pandemisë.

 Kur një qeveri braktis popullin dhe ai vazhdon e “voton” (sigurisht me para dhe kërcënime të vendit të punës) në Shqipëri mund ta quajmë normale, por kur ajo cënon ekslentët e rinj dhe studentët, duhet të shpresojmë se kësaj qeverie i ka ardhur fundi.

Nëse sot kërcënohen mjekët e rinj, nesër do ta kenë radhën inxhinierët, IT-të, mësuesit... Nuk keni parë gjë akoma...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco