Qëndrimi i Kosovës në dialog dhe deklarata e ambasadorit Hill

Qëndrimi i Kosovës në dialog dhe deklarata e ambasadorit Hill

17:57, 24/08/2022 Nga Meliza Haradinaj
A+ Aa A-

Ndonëse radhitjen e 6 kapitujve do e kisha renditur ndryshe sipas rëndësisë dhe rrjedhës së zhvillimeve, qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës në dialog përgjithësisht është për tu lavdëruar dhe përkrahur nga të gjithë njëzëri dhe pa dallim.

Megjithatë, 3 kritikat e mia mbi atë që na shpalosi kryeministri Albin Kurti janë si më poshtë:

AGJENDA: Agjendën e takimit të nivelit të lartë të dialogut nuk mund ta përcaktojë vetëm BE-ja si ndërmjetësuese. Nga përvoja në të kaluarën, komentet e të dyja palëve rreth temave në agjendë janë marrë parasysh dhe është gjetur një zgjidhje e ndërmjetme. Prandaj është gabim i madh që KM Kurti ka pranuar që në agjendë si pikë ë dytë të jetë gjendja aktuale në veriun e Kosovës, e cila është çështje ekskluzivisht sovrane e Republikës së Kosovës dhe në versionin më të keq: çështje e sigurisë për të cilën kujdeset KFOR-i dhe assesi nuk na duhet mendimi apo propozimet e Vuçiçit dhe bandave kriminale të tij!

2. ANËTARËSIMI: Tek kapitulli 1 i propozuar nga KM Kurti, nuk e kuptoj pse është kërkuar “anëtarësimi i plotë në organizata ndërkombëtare” si kapitull i marrëveshjes finale me Serbinë, gjë për të cilën nuk na duhet pëlqimi i Serbisë dhe rrjedhimisht është e dëmshme të propozohet si temë në dialog. Anëtarësimi (përveç abrogimit të Rezolutës 1244 dhe anëtarësimit në OKB - përmes heqjes së vetos së Rusisë/Kinës) është proces që nuk varet nga Serbia, dhe kjo është dëshmuar disa herë në operacione diplomatike të anëtarësimit në të kaluarën!

3. KRIMET E LUFTËS: Tek kapitulli 2, anashkalohen krimet e luftës dhe nuk përmendet fare gjenocidi i Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, dhe kjo është çasje tërësisht amnistuese dhe shpërfillëse, sidomos në këtë kohë kur krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë!

Opozita të vazhdojë konstruktivitetin dhe të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë nësë ka ide të tjera që do i kontribuojnë përmirësimit të kualitetit të qëndrimit zyrtar të RKS.

Imagjinoni sa dinjitoze, madhështore, e shpresëdhënëse do të ishte po t’i shohim të gjithë pozitë, opozitë, e ekspertë të flasin njëzëri përballë armikut të përbetuar, Serbisë.

Imagjinoni sa i dobët do ishte Vuçiçi përballë jehonës së fuqishme të zërit të Kosovës për drejtësi, barazi, pavarësi, dhe paqe përfundimtare. Asnjë presion e asnjë kompromis i mundshëm nuk do na mposhtte. Fundja, pas mbi 20 vjetësh dialog, elita politike kosovare ia ka borxh këtë gjë qytetarëve të Kosovës. Unitetin pra!

Sa i përket deklaratës së ambasadorit Hill rreth qëndrimit të Kosovës në dialog, dua t’ua rikujtoj një rregull bazik në leximin e mesazheve diplomatike:

‘Mos harro se prej nga vjen pala tjetër’.

Ambasadori Hill është Ambasador i SHBA në Serbi, dhe mes detyrash të tjera, është edhe thellimi i bashkëpunimit mes vendit që përfaqëson dhe vendit pritës. Për lavdata të palës sonë, ne kemi ambasadorin fuqiplotë të SHBA në Kosovë, dhe i cili do të mund të kualifikojë si të përgaditur apo jo palën kosovare – gjithnjë sipas lupës së interesave SHBA-Kosovë!

Uroj që pas takimit të sotëm, politika kosovare pozitë e opozitë të flasë njëzëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco