‘Heronjtë’ e heshtur

‘Heronjtë’ e heshtur

12:25, 09/05/2022
A+ Aa A-

Nga Edmond Laçi/

Që nga 24 shkurti i këtij viti, kur nisi lufta në Ukrainë, bota u duk sikur u “shërua” nga Covid 19. Rënia e pritshme pas valës së katërt pandemike, por më tepër pamjet dramatike të konfliktit dhe pasojat e pa precedentë gjeopolitikë-ekonomikë, e zhdukën Covid-in nga faqet e para. Megjithatë krijesat e vogla mikroskopike që ne i quajmë viruse, nuk kishin ndërmend të ndiqnin kontekstet e jashtme. Nga fundi i shkurtit deri dje, vetëm në vendet evropiane, virusi vrau 128 mijë njerëz, ndërsa në të gjithë globin, plot 326 mijë. Vetë Rusisë, nga dita që sulmoi Ukrainën deri në 8 maj, i janë“asgjësuar”më shumë “ushtarë” në shtrat (27.726) prej Covid 19, se sa në frontin e Luftës (24.700, sipas autoriteteve ukrainase). Madje edhe në Shqipëri që duket sikur Covid ka një jetë që është larguar, prej 24 shkurtit deri më sot, janë shënuar 40 viktima.

Në një koincidencë të trishtë, pikërisht në 24 shkurt, Britania e Madhe hoqi të gjitha kufizimet anti-Covid, ndërsa të infektuarit - sipas ligjit - do të “inkurajoheshin të ushtronin përgjegjësi personale” si në rastet kur dikush ishte me grip normal. Që nga ajo ditë e deri më sot Britania e Madhe ka shënuar plot 15.185 viktima. Ndërkohë në 1 shkurt, Danimarka ishte vendi i parë në BE që shfuqizonte të gjitha masat kundër Covid, pavarësisht numrit rekord të infeksioneve. Dhe vetëm në këto tre muaj (shkurt, mars, prill 2022) Danimarka regjistroi 2.492 viktima nga gjithsej 6287 që prej fillimit të Pandemisë. Omicron dalëngadalë “pushtoi” pothuajse pjesën më të madhe të Evropës, duke marrë mijëra jetë të tjera, sidomos në Spanjë, Itali, Francë e Gjermani. Për të vazhduar më tej në kontinentin amerikan, sidomos në SHBA, ku viktimat kaluan pragun 1 milion javën e kaluar. Por edhe në Azi,duke prekur së fundi dy vendet me popullsinë më të madhe në botë, Kinën dhe Indinë, me rreth 2.8 miliard banorë së bashku.

Përshtatja, ndryshimi dhe letargjia e përkohshme para rishfaqjes në një formë tjetër, i mbajnë viruset në këmbë, të gatshëm për të rifituar hapësirën "e tyre" jetike në komunitetet njerëzore. Tashmë që Omicron ka “mësuar” të numërojë, njerëzimi ndodhet sërish në udhëkryq. Sikurse me variantin e parë, po nga Afrika e Jugut kanë dalë në dritë mutacionet  BA 3, 4 dhe së fundi edhe 5 të Omicron. Pavarësisht se dominues është BA2, varianti i Omicron 4 tashmë ka mbërritur në Evropë, madje shumë pranë Shqipërisë, në Italinë fqinje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, variantet e fundit janë disa herë më infektues se paraardhësit. Pak ditë më parë kreu i Organizatës Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se virusi “aktualisht mbetet vdekjeprurës, veçanërisht për të pambrojturit dhe të pavaksinuarit që nuk kanë akses në kujdesin shëndetësor dhe antiviralët”. Sipas tij nuk është momenti për të ulur vigjilencën, pasi “është koha për të punuar edhe më shumë për të shpëtuar jetë”.

Por ndonëse Covid -19 vazhdon të rishfaqet rrretheqark botës, më tepër me një profil “endemik” dhe jo më “pandemik”, duke kërkuar mënyra specifike reagimi sanitar, për momentin duket se askush nuk dëshiron të flasë më për të. Shumë vende, të vëna pas murit nga presioni i qytetarëve të lodhur nga masat dyvjeçare shtrënguese, përpjekjet për t’i shpëtuar recesionit, por edhe pasojat e konfliktit në Ukrainë, kanë hequr pa kufizim të gjitha kufizimet. Madje disa prej tyre kanë pezulluar edhe vaksinat. Ndërkohë vende të tjera, si p.sh. Kina, kanë zgjedhur të mos bashkëjetojnë me virusin. Thelbi i politikës së saj "zero-COVID dinamike" është zbulimi i hershëm dhe masat e reagimit të shpejtë për të ndaluar vazhdimin e përhapjes së virusit në komunitet. Por ndonëse është ende shumë herët për të përcaktuar “fituesin” e politikave anti-covid, dje numri i viktimave në të gjithë botën arriti në 6.276.554, rreth 2 milion prej të cilëve, vetëm në kontinentin e vjetër. Ndaj në këto kohë të trazuara lufte, disa radhë i meritojnë edhe “heronjtë”e heshtur të Covid 19, pavarësisht që tashmë jo më në“faqen e parë”.(CRI)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco