Protesta e maturantëve/ Studenti i shkruan Shahinit: Ndoshta mund të të flas pak rëndë...

Protesta e maturantëve/ Studenti i shkruan Shahinit: Ndoshta mund të të flas pak rëndë...

23:07, 19/06/2020
A+ Aa A-

Letër e hapur drejtuar Ministres së Arsimit.

E dashur Besa,

Akoma nuk po arrij të kuptoj reagimin tënd për çështjen e maturës shtetërore. E lexova statusin tënd, e rilexova, përsëri e përsëri. Ndër rreshta prisja ndonjë ndjesë publike, jo të drejtpërdrejtë sigurisht, por të paktën tërthorazi. Në vend të kësaj ndjese gjeta diçka që nuk di si ta quaj.

Po i them vazhdimësi.

Vazhdimësi e paraardhëses tënde, që gjatë brohoritjeve të studentëve vendoste gishtat në vesh, e kësisoj asgjë nuk hynte në tru. Njejtë dhe ti me çështjen e maturantëve.

Vazhdimësi e filozofisë së qeverisë ku ti bën pjesë, e cila nuk heq dorë nga gabimi derisa e kthen në faj dhe ndjesa është një fjalë e përjashtuar nga fjalori, e për të mbushur zbrazëtinë që krijon, zgjateni e stërzgjateni në fjalimet tuaja të pakuptimta, si për të na treguar shprehjen "po i bie gjatë se nuk kam kohë t'i bie shkurt".

Vazhdimësi e mendësisë së kryeministrit tënd (fatkeqsisht dhe timit) ku sa herë ka probleme që lidhen me ministrinë apo qeverinë, tenton ta kanalizojë debatin drejt universiteteve dhe përrallës së bukur se ato janë autonome. Në rastin tënd, kjo kundervënia jote ndaj ndonjë pedagogu të gjuhës shqipe ngjan akoma më keq se hakërrimi i kryeministrit ndaj dekanëve të universiteteve publike dikur. Kjo sepse ti as të kopjosh nuk di.

Vazhdimësi e bisedës tonë pas emisionit në Top Show, ku ti aq krenare më tregove se kishe zbritur në bodrumet e FGJM, por nuk iu përgjigje pyetjes time se si mund të më flisje për biblioteka online kur ke parë se në çfarë kushtesh janë laboratorët. Ndërsa sot nuk i përgjigjesh pyetjes se si mund të vazhdosh të flasësh e të mos thuash asgjë.

Ndoshta mund të të flas pak rëndë, e për këtë më vjen keq, por nuk mund të qëndroj i heshtur kur shikoj ministren e arsimit të vendit tim tek tregohet jashtëzakonisht e papërgjegjshme për problemet që e kanë mbytur digasterin që ajo drejton, e i duket krejt normale që për këto probleme të akuzojë kë t'i dalë përpara.

Duke pritur për një reflektim tëndin që kurrë nuk do të ndodhë, studenti i Dhjetorit 2018,

Frenkli Prengaj

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco