ODEON/ 'Brio' e Orion Shimës, kundrimi i pikturave përçon muzikë

21:35, 16/03/2024
A+ Aa A-

Piktori Orion Shima i njohur për stilin e veçantë, ekspozitat e harshme që përcjellin mesazhe universale, për koloritet e forta që krijojnë një harmoni të papërshkrueshme në ambientet e galerive e te vizitorët.

i ftuar në emisionin “Odeon” në Syri Tv ka rrëfyer suksesin e ekspozitës së fundit të çelur në Galerinë e Arteve të Bukura (FAB).

\Artisti i tregoi gazetares Egla Xhemalaj, se shkëndijat e para të ekspozitës lindën në ambientet e Operas, kur shpirti ishte paqtuar duke dëgjuar muzikë simfonike. Në pavetëdijen e tij gjithmonë ka ngritur krye, pasioni i dikurshëm për muzikën, së cilës një periudhë kohe i dedikoj pambarimisht dashurinë për instrumentin e pianos.

“Dashuria për muzikën është e kahershme. Sigurisht, si çdo fëmijë, si çdo prind që kishte dëshirën t’i ushqente fëmijët me një lloj vegle muzikore, kam bërë katër vjet piano në një kohë shumë të hershme të timen, pastaj sigurisht që isha i prirur të merresha me pikturë edhe hoqa dorë. Hoqa dorë nga piano në kuptimin e zhvillimit të instrumentit për t’ju përkushtuar më shumë pikturës, ndoshta dhe pa vetëdije në atë kohë.

Ajo gjurmë ka ngelur tek unë, si një memorie e vogël e fëmijërisë, por dashuria për muzikën ka ardhur sigurisht më vonë, në kuptimin e të ndjerit dhe të kuptuarit akoma më mirë emocionin, thelbin dhe tërësinë e të gjithë zonës muzikore, duke u njohur më mirë me kompozitorë, më historinë e muzikës në përgjithësi, duke kaluar e duke shijuar etapa të ndryshme, që vet muzika i përcjell si fenomen i historisë së muzikës dhe pastaj sigurisht si një moment shumë personal i ndijimit dhe i të shijuarit të muzikës, që në kohë dhe në momente të ndryshme të përcjell ndjenja të jashtëzakonshme.

Kjo ka qenë pak a shumë lidhja ose filli që në fund, unë besoj se çdo njeri e ka me muzikën. Spuntoja e ekspozitës ka filluar ose ka nisur më saktë kështu. Unë jam një shijues frekuentues i Operas, më saktë i muzikës simfonike dhe ngacmimi i parë ka ardhur në sallën e saj, duke shijuar tingujt e një simfonie. Aty ka qenë ajo ‘Eureka’ e parë e shkëndijës që do krijonte më pas gjithë ekspozitën, edhe gjithë këtë rrugëtimin që do ndiqnin veprat, të cilat ishin sa sfiduese nga ana teknike, po aq edhe konceptualisht. Duhet të ndërtohej një fill midis këtyre dy arteve, që flasin gjuhë të ndryshme, por që në fund i lidh bukuria dhe ndjenja.

Nuk ka qenë e lehtë. Ka kaluar momente të vështira, po shijimi dhe vështirësia që krijonte vet tema, për të gërshetuar tingullin që në vetvete ka ngjyra, me tingullin real që prodhon instrumenti ose gjithë gama e instrumentave muzikorë, ishte përplasje e bukur dhe sfiduese për mua. Në këtë pikë, unë e gjeta shumë interesante dhe shumë sfiduese me veten për t’u marr pikërisht me këtë gjë, dhe pastaj dalëngadalë ajo filloi të sendërtohet në vetvete dhe të krijoj njëra pas tjetrës veprat ose imazhet që kryesisht i ndërtoja së pari në kokë”, tregoi Shima në “Odeon”.

Orion Shima u ndal gjatë te cikli i fundit piktorik, që ka mahnitur shijuesit e arteve pamore, ndërsa foli në “Odeon” edhe për rrugëtimin e gjatë artistik, mësimëdhënien, marrëdhënien me të atin, piktorin Alush Shima e për ndryshimin e shijeve të vizitorëve kur shohin një ekspozitë në galeri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco