VIDEO-SYRI TV/ Shumëngjyrësia e figurës së Naum Priftit, e bija: U dërgua për riedukim në Divjakë

20:08, 05/03/2024
A+ Aa A-

Shkrimtari Naum Prifti është përkujtuar në prag të datëlindjes së 92- të. ‘Rrethimi i bardhë’, një nga dramat më të njohura të autorit rezultoi fatale për të, ngase regjimi diktatorial e dënoi për riedukim për një periudhë 10-vjeçare. Ndonëse prej një viti nuk është mes familjarëve e lexuesve të tij, e bija Rafaela tregon se ai gjeti mënyrën për t’i qëndruar besnik vetvetes në kohë të vështira, e se së shpejti do të vijnë të botuara tregimet e papërfunduara me një tis humori të hollë.

Nga SYRI TV

Personalitet i kulturës shqiptare në të dy kohët, që sprovoi krijimtarinë e tij në disa gjini të letërsisë, shkrimtari Naum Prifti është përkujtuar në prag të datës së lindjes, ndonëse prej një viti ka fluturuar në amshim. E bija Rafaela Prifti tregon se si do kishte reaguar i ati, që shuhej ndër të tjera për  humorin e hollë, nëse do të ishte pranë tyre në këtë përvjetor.

Ndonëse krijimtaria e tij si dramaturg u shenjua nga masa10 –vjeçare për riedukim pasi shkroi dramën ‘Rrethimi i bardhë’, në ‘64 ai arriti të pasuronte krijimtarinë e tij me një sërë veprash të suksesshme deri edhe libretin e baletit ‘Bijtë e shqipes’. Regjimi diktatorial nuk ia zbehu shkrimtarit dëshirën për të shkruar, ndonëse përpjekjet qenë të forta.

Naum Prifti nuk mundi të përfundonte tregimet e mbledhura në Shqipëri dhe përtej Oqeanit, në Amerikën e largët, ku jetoi një copëz jete. E bija thotë se së shpejti do të njohin dritën e botimit.

Janë pothuaj 100 vepra letrare, më shumë seç pa diell autori e dyfishi i gjysmëshekullit të krijimtarisë. ‘Legjenda për Skënderbeun’ , ‘Përralla për një muaj’ e të tjera libra do të vijnë për lexuesin të ribotuara.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco