Papa Piu XI ose Papa i kulturës i lidhur dyfish me shqiptarët

Papa Piu XI ose Papa i kulturës i lidhur dyfish me shqiptarët

10:57, 10/12/2023
A+ Aa A-

Nga Ndriçim Kulla/

Kriza  e  komunikimit e priftit jezuit në Shkodër At Valentinit arriti kështu  në kulmin e saj. Dhe nuk është për t’u çuditur që i ndodhi kështu. Shqipëria e vitit 1922 kur Zef Valentini erdhi për herë të parë në vendin tonë ishte një vend i trazuar,  me përplasje të mprehta politike, shoqërore,  kulturore. Por  këtu  duhet  thënë  se kjo krizë komunikimi nuk ishte një gjë që po i ndodhte vetëm atij, apo vetëm misionarëve të huaj katolikë që vinin në Shqipëri. Të gjithë intelektualët shqiptarë që vinin në atdhe nga Perëndimi, kanë kaluar një krizë të tillë shpirtërore, shumë prej tyre nuk e kapërcyen dot atë dhe u larguan  nga vendi. Faik Konica është emri më i shquar që të vjen ndërmend  ndër këta njerëz.  Gjatë dhjetë vjetëve që At Valentini qëndroi pothuajse pa ndërprerje në  Shqipëri   (1932-1942)  këtë   krizë   komunikimi  e  kaluan edhe vetë të dërguarit  e Selisë së Shenjtë,  Nuncët  Apostolikë (ambasadorët)  e Papës në Shqipëri.   

 Në 1928, në kulmin e krizës së komunikimit të At Valentinit në mjedisin shqiptar, dhe pas dy vjetësh të tjerë qëndrimi  në Shqipëri,  atij  i  duhej  të  shkonte  përsëri  në  Itali,  në  Chieri, për  të  bërë  periudhën dyvjeçare  të  studimeve për  teologji, sipas rregullave të Shoqërisë  së Jezuit. Ai kishte vendosur  që të kërkonte transferimin nga misioni  i tij në Shqipëri në një vend tjetër. Kjo do të kishte qenë një humbje e pariparueshme për  kulturën shqiptare. Studimet për  teologji  vazhduan  deri në 1930, vit në të cilin  normalisht At Zef Valentini duhet të kthehej në Shqipëri.  Gjatë kësaj periudhe qëndrimi  në Itali ai u dorëzua prift, një hap i rëndësishëm ky për një person që kishte hyrë  në Shoqërinë  e Jezuit.  Sidoqoftë këtu kemi  një periudhë disi të errët  në jetën e Valentinit, se ai nuk  erdhi  në Shqipëri deri në 1932. Pikërisht në vitin 1932, kur kishte kërkuar që të transferohej  si misionar  në një vend tjetër, duke e lënë detyrën që kishte  marrë  në Shqipëri,  rasti apo më saktë Providenca  e solli që të takonte Papa Piu XI .Çdo anëtar i Shoqërisë së Jezuit përgatitet  për të qenë një misionar,  atje ku Papa  do të vendosë ta dërgojë atë. Në vitin1922, kur Zef Valentini, që tanimë ishte bërë anëtar i Shoqërisë së Jezuit, ishte i gatshëm për të marrë përsipër detyra si misionar, në Vatikan ishte zgjedhur një Papë i ri, Piu XI. I quajtur më parë Ambrogio Damiano  Achille  Ratti  ai kishte  qenë një studiues dhe bibliotekar i njohur.  Papa Piu XI ishte ai që e bëri shenjt Thomas More-n (Tomas Morin),  filozofin e famshëm, autorin e librit  “Utopia”,  duke  bërë  me  këtë  një  gjest  kuptimplotë të përkushtimit të kishës  ndaj  dijes dhe kulturës  në veçanti. Për këtë  Piu  XI do të themelonte Akademinë Pontifikale të Shkencave në 1936, pikërisht një vit pas kanunizimit të Thomas More. Kuptohet se ky Papë ia kishte idenë rëndësisë së një lloji të veçantë misionare, asaj kulturore. Ishte në sajë të frymës që krijoi  Piu XI që At Zef Valentini erdhi në Shqipëri si misionar kulturor. Këtë e ka pohuar njëfarësoj vetë ai në një shkrim  me rastin e vdekjes së Papa Piu XI, në 1939, të cilin e quan “Papa i kulturës”.  Në këtë shkrim,  me titull  “Pius XI si e njofta un…” At Zef Valentini tregon për një audiencë (takim)  që Pius XI i dha atij në 1932:

Kur   e pash  (ishte   ba  shtatëdhjetëepesë vjecar), ndejun  në polithronë përpara tryezës së gjanë së “studimit privat”, m’u  duk krejt ndryshej: hieje atnore e pagjtë, e dashtun, pak e lodhun, shëje duarsh të randa, shikim pak i trishtueshëm.

Ai ndejun, un  nder giuj  të  mëdhaj bri  Ti. Fjalët  e Tija  më biejshin së nelti, së lergu, si prei  qielle; un s’guxojshe me e këqyrë.

Më pyeti:

-Ti pra kënke me zyrë  në…

-Në Shkodër, Shëjtni- i përgjegja tue çue syt.

Çka më pa!Kishte ndrrue fetyrë: i gjalë si bdër fotopgrafina! E nisi hollë e hollë tue më përvetë,ishte sjellë kahë unë,pak si i përkulun mbi mue ,tue m’i ngul ata sy ,si thue thithë fjalët e mia.

Përfundoi. Vetë me gjikime të kadalshme e të prehta.

U çova, bana  gjenufleksjonin; me i puthë kambën si e ka riti, ishte  vshtirë pse kishte truesen perpara: më dha dorën me ja puthë. Ja putha, e bana  kinse  me dalë.  

 Por  Ai dorën teme e kishte  në dorë të vet e s’më  la. Nisi me kallxue kujtimet e tija të vjetra: kur ishte  prift i ri e studimtar i ri, e shkruente mbi Shqipni e mbi histori të sai n’atë “Giardinetto di Maria” të D. Tedeschi-t, tue ndihmue temelimin e Misionit Shetitës Shqiptar të P. Musati-t  e të P. Pasi-t.

Ikallzova dishka permbi veprimin kulturuer t’ institutevet e të botimeve  katholike të Shqipnis: Ishte  rinjallë bibliothekari i dikurshëm, shëndritte Papa  i Madh  i Universiteteve Kishtare, i Konstitucjonit “Deus scientiarum Dominus”!

Pesë  minuta kishe  ndejë nder giuj  tue  folë për  punë, njizet minuta më ndali në kambë tue më mbajtë doren në doren e vetë të gjanë tue folë kulturë shqiptare!

Dola  me të tanë nji program në mende time. 

 Këtu nuk mund të mos pyesim se çfarë u bë me dilemat që kishte pasur At Valentini para se të hynte në takimin me Papën për misionin  e tij në Shqipëri,  çfarë u bë me dëshirën  e tij për t’u transferuar  nga Shqipëria  në një vend tjetër? Të gjitha këto u zhdukën, ashtu siç zhduknin shenjtorët një sëmundje të keqe, me një mrekulli. Me At Valentinin u bë një mrekulli, por ne nuk mund ta themi këtë fjalë në kuptimin e plotë që i jep Kisha Katolike,  se kjo  nuk  është njohur  zyrtarisht si një mrekulli, por ne nuk kemi besim se këtu  nuk ka një mrekulli. Tanimë At Zef Valentini ishte më i vendosur se kurrë të kthehej si misionar në Shqipëri,  madje ai e dinte dhe se çfarë duhej të bënte: Krizën ai do ta kapërcente  duke i vënë vetes detyra edhe më të madha se ato që kishte  pasur në fillim.  Nuk  do të ishte thjesht  mësues, por një misionar  i vërtetë  kulturor, do të krijonte një revistë kulturore, do të kërkonte të rrezatonte kulturë  jo vetëm te nxënësit e tij, por në të gjithë Shkodrën,  madje në të gjithë Shqipërinë. “Dola me të tanë nji program në mende time.” thotë At Zef Valentini për largimin e tij nga takimi  me Papa Piu XI. Një nga gjërat  që të bën përshtypje në këtë ngjarje  të madhe është  se Papa  Piu  XI bisedon  me  At  Valentinin sikur  ky  i fundit  të ishte një shqiptar!  Papa Piu XI, dashamirësi  i madh i shqiptarëve,  u kënaq  nga takimi  me At Valentinin sikur  të kishte  takuar  një shqiptar.  E pra, kjo ishte një bisedë mes dy italianëve, dy klerikëve katolikë që e donin shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa shqiptarë  kanë pasur me njëri-tjetrin biseda kaq të vlefshme  për kulturën shqiptare  sa kjo mes këtyre dy italianëve, nga të cilët  njëri  ishte Papë dhe tjetri  një at jezuit misionar?

At Valentinit që ecte në galeritë  e Vatikanit i vinte ndër- mend historia  e një misionari tjetër të madh jezuit në Shqipëri, që kishte qenë këtu para tij dhe kishte themeluar Kolegjin Saverian,  At Luigi Mazza. 

Biseda me Papa Piu XI dhe shembulli  i Atë Luigi  Mazza dhe i njerëzve  si ai, duhet ta kenë bindur  At Valentinin që ta provonte edhe një herë sfidën e misionarit në Shqipëri. Është një fat i madh për kulturën shqiptare. Ata që e njohin katërçipërisht veprën  e At Valentinit në korpusin e plotë të saj, e kuptojnë mirë se sa e madhe dhe e pazëvendësueshme  do të kishte  qenë humbja nëse jezuiti i ri do ta kishte braktisur Shqipërinë. Koha tregoi  se asnjë nga misionarët e tjerë  bashkëkohës  të tij  nuk  mund ta zëvëndësonte atë si misionar kulturor.Duket që At Zef Valentini është shumë mirnjohës ndaj Papa Piu Xl që e yshti të mos heq dorë nga misioni në Shqipëri. Kjo kuptohet nga mënyrë se si ai e përfundon këtë shkrim përkujtimor për Papa Piu Xl :

Kam pasë rasë ma  vonë me e njoftë edhe  pa folë me të. Nder kërkime të shumta nëpër vizare kulturore të Romës për  të xjerrë kujtimet e kohvet kur  Shqipnija tjetër mik  të  vërtetë s’pat posë Papvet, nji  gja  e vejshe oroe: në kurrnji qanderr tjeter kulturore nuk gjejshe rregullim, sherbim, perkrahje e ndimë, vegla, pasuni, materjali, aq të mira e të mëdhaja sa nder institute papnore: Bibliotheka e Arkivi   Vatikan,   Kongregacjoni i Studimevet, Universiteti Gregorjan, Institut Orjental.

E gjithkund m’ipej me pa nji rrasë mermeri. Piu XI temeloi, Piu XI vendoi, Piu XI pasunoi, Piu XI rregulloi.

E atëherë më dukej  se e shifshe prep me sy e ndiejshe me vesh

Papën e Kulturës.

Më dukej se nën hieje të ti punojshem

Fjalia e fundit ku At Valentini thotë se i  dukej  se në Shqipëri  punonte  nën hijen e Papa Piu XI është kuptimplotë. Pasi e kemi  njohur  lexuesin  me artikullin e cituar  më lart  të At Valentinit, ne nuk mund të mos bëjmë pyetjen  se vallë cili shqiptar,  qoftë edhe katolik, e ka përshkruar në mënyrë  kaq të ndjerë dhe me kaq mjeshtëri  një takim  me Papën në Vatikan? Me këtë nuk dua të them se shqiptarët  që kanë pasur rastin të takohen  me një Papë në Vatikan  nuk e kanë ndjerë thellë këtë rast të madh të jetës së tyre,  por të ndjesh dhe të kesh shtysën për të përshkruar nuk janë e njëjta gjë.

Në kohën që At Zef Valentini shkruante kështu për Papa

Piu XI ai nuk mund ta dinte se ky  Papë kishte  dhe një lidhje tjetër speciale me shqiptarët. Piu XI ishte Papa që shpalli shenjtore  Therese de Lisieux,  murgeshën  karmelitane franceze e cila vdiq në moshën 24 vjeç nga tuberkulozi, në 1897. Papa Piu XI e bëri këtë gjë në 1925, tre vjet para se Anjeze (Gonxhe) Bojaxhiu të bëhej murgeshë.  Anjeza, e frymëzuar nga kjo shenjtore,  mori emrin e saj, sipas rregullave të urdhrit  fetar që kërkonte që murgeshat e reja të merrnin  një emër të ri. Kështu që Piu XI është dyfish  i lidhur  me shqiptarët. 

Si Anjeze Bojaxhiu,  ashtu dhe Zef Valentini zgjodhën misionarinë, fillimisht  të  dy  në  fushën  e  kulturës. Më  pas Nënë Tereza u përqendrua  në fushën e bamirësisë si të thuash materiale, për lehtësimin sadopak të privimeve  materiale  të të varfërve, të plotësimit sadopak të nevojave të tyre për ushqime dhe ilaçe,  të shuarjes  së urisë  dhe kurimit të sëmundjeve  të tyre.  Sigurisht  që qëllimi  i Nënë Terezës  nuk  ishte vetëm që të lehtësonte  sadopak vuajtjet  fizike  të njerëzve,  çfarë janë në fund të fundit  uria  dhe sëmundjet,  por e bënte këtë edhe për t’i bërë njerëzit  që të kthenin  fytyrën nga Zoti, që të ngjallte virtytin në shpirtin e tyre dhe t’i bënte të ndiqnin shembullin e bamirësisë. At Valentini zgjodhi rrugën e asaj që ndoshta mund të quhet  si filantropi  kulturore, ndonëse mua  më pëlqen  më tepër termi “misionari  kulturore”. Si ndodhi që Kisha Katolike pati si figurën e saj më të madhe në shekullin XX Nënë Terezën, bamirësen  materiale, si të thuash,  dhe nuk  u lartësua  figura e një misionari kulturor si At Valentini? Ne guxojmë të themi se ndoshta misionaria së cilës i hyri At Valentini i përket shekullit XXI,  dhe ai i parapriu  kurorëzimit të saj. Shekulli XXI  me siguri do të na japë një misionar  kulturor katolik të kalibrit të

Nënë Terezës.  Në këtë këndvështrim At Valentini shfaqet si një pionier.

Fakti që At Valentini zgjodhi kulturën si fushën e misionit të tij, dhe iu përkushtua kësaj deri në fund të jetës, nuk do të thotë aspak se ai ishte i pandjeshëm  ndaj vuajtjeve  të njerëzve për shkak  të mungesave materiale. Aq më tepër ai nuk mund të ishte indiferent  për këto lloj vuajtjesh  se e kishte  kaluar  një përvojë të tillë në familjen e tij të varfër. Padova dhe në përgjithësi krahina  venete e kohës kur lindi dhe u rrit Zef Valentini qenë një mjedis i përshtatshëm  për të vërejtur  këto lloj fenomenesh sociale. Krahina venete së cilës i përkiste Padova ishte pjesa më e varfër e Italisë së Veriut.  Polarizimi social në këtë trevë ishte më i dukshëm  se në pjesët e tjera të Italisë së Veriut.  Kur Zef Valentini arriti në një moshë të pjekur, kur edhe bëri zgjedhjen për fushën e tij të misionarisë, ai ishte i vetëdijshëm për pasojat që sillte polarizimi social. Mund të kishte zgjedhur  që t’i lehtësonte  ato sadopak me bamirësi.  Por ai besonte se ai vetë mund të arrinte rezultate më të mëdha duke bërë misionarin kulturor, sa ç’do të kishte arritur  duke u përqendruar në llojin e misionarisë bamirëse,  që më pas mori  kuptim  të plotë  me veprën dhe emrin e Nënë Terezës.

Në audiencën  e tij  të parë  pasi u zgjodh  Papë,  në mars

2013, Shenjtëria  e tij, Papa Francesco  I shpalli  moton  e tij që është: “Një Kishë  e varfër për të varfrit”.

Kjo moto e Papës jezuit është e ngjashme me atë të Nënë Terezës, e cila të mos harrojmë  është frymëzuar dhe përgatitur nga jezuitët.  Në qoftë se kjo  moto  është e drejtë  sa u përket të mirave  materiale, në rastin  e kulturës  që ka krijuar Kisha Katolike  në shekuj,  kjo moto meriton  të thuhet:  “Një Kishë e pasur për të varfrit”. Kultura është pasuria më e madhe që Kisha Katolike  grumbulloi dhe e ndau me bujari  gjatë 2000 vjetëve. At Valentini ishte shembulli  i atyre  klerikëve që krijuan këtë pasuri  të pamasë  dhe e shpërndanë  bujarisht  atë për  popujtdhe individët  që do t’u duhej kohë të kuptonin vlerën e kësaj

dhurate.  Në rastin e Valentinit, shqiptarët  ende nuk e kanë kuptuar  plotësisht,  për vetë rrethanat në të cilat  kaloi  vendi ynë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco