Osman Mula në ‘Odeon’: Jam i shqetësuar për muzikën sot. ‘Festivali i Këngës’ ka produksione të dobëta

18:56, 06/11/2023
A+ Aa A-

Regjisori dhe kompozitori i mirënjohur Osman Mula në një rrëfim për emisionin “Odeon” u shpreh se në Shqipëri mungojnë këngët me tekste, e se mbi të gjitha parapëlqehet imazhi se sa një produkt muzikor me vlerë të lartë artistike. Artisti e ndali fjalën te Festivali i Këngës.

Pyetjes së gazetares Egla Xhemalaj:

Një prej pikave tuaja më të forta e njëkohësisht edhe më të dobëta, e di që po përdor një kontrast, ka qenë Festivali i Këngës. Ju keni dhënë shumë për atë Festival. Një kontribut të çmuar, një kontribut të vyer. Janë shpërblyer këngëtarë, jeni shpërblyer ju me të paktën tetë çmime. Ka qenë një rrugëtimi i ndritur, që ka ravijëzuar ose u ka dhënë aureolën e një mjeshtri të madh. Megjithatë, sot, vitet e fundit kur ju keni krijuar mëvetësinë tuaj në shtëpinë tuaj dhe merreni me art për të ushqyer shpirtin, sot kur e shikoni Festivalin e Këngës i pranishëm në sallë apo pas ekranit të televizorit çfarë emocionesh ndjeni? Si i shikoni produksionet muzikore? Herë pas here është debatuar për tekste që nuk thonë asgjë ose për këngë që nuk kanë tekste? Si i keni parë ju me syrin e një njeriu që ka kontribuuar për kaq gjatë në art?

Osman Mula u përgjigj:

Shqetësimi nuk është vetëm i imi, po edhe i publikut sepse këdo që takoj më thotë: Hë more Osman, ato këngët e dikurshme i këndojmë dhe nëpër gëzime familjare nëpër dasma si nuk këndojmë një këngë sot? Çfarë ka ndodhur? Nuk është se tani nuk bëhen produksione të mira, madje bëhen më të mira seç i kemi pasur ne. Bëhen të masterilizuara, me sterio, bëhen nga aparatura të jashtëzakonshme, nga orkestartorë të shkëlqyer, po kënga si material është i dobët. Veshjen e ka të shkëlqyer, po t’ia heqësh atë veshje dhe t’i thuash bëj një xhiro në breg të detit, thua kjo është ajo që ishte e veshur ashtu, është tjetër gjë komplet.

Po thoni në plan të parë është imazhi dhe muzika mbetet dytësore?

Në logjikën e imazhit të gabuar ranë stacionet televizive.

I prekur nga ajo që ndodh sot me artin dhe artistët në Shqipëri, Mula u shpreh se artistët etiketohen si dajrexhinj e se për t’u bërë pjesë e një projekti artistik duhet doemos të jesh servil i institucioneve shtetërore:

Artistat i quajnë si dajrexhinj, e thonë se ka nevojë ky popull për kllouna. Është fyerja më e madhe. Ky është problemi i parë. I dyti problem është ai i financave. Nuk dinë të financojnë. Duhet të jesh servil që të marrësh honorare apo projekte, e cila është jashtë staturës së artistit. Aty nuk je më artistë.

Kontrolli i shtetit në art dhe politizimi i tij për kënaqësi të pushtetit zhvlerëson artistët:

Ti e ke shkatërruar artin, e ke politizuar. Nuk është më arti i tij, është arti i atij. Në momentin që bëhet arti i atij nuk është më art. Në qoftë se gjithë dyqanet në Shqipëri janë hapur me shumicë, i vetmi dyqan që në atë lagje ka qenë apo në atë rrugë ka qenë ai i disqeve. Ai është mbyllur, ka qenë i vetmi në Shqipëri. Nuk ka një dyqan që ti mund të blesh një Ariola Toskë, mund të blesh një Aleksandër Gjokë. Që këtu ti i ke thënë artistit ti je i ngordhur. Ju duhet të më luteni mua që t’ju ushqejë si ai zogu që fut rrëmbimthi diçka te goja.

Osman Mula tregoi në “Odeon” edhe për rrugëtimin e ndritur si kompozitor i këngëve më të shumëdashura për publikun, për drejtimin shumëvjeçarë të Festivalit të Këngës në pultin e regjisorit, për dashurinë e pafundme për instrumentin e saksofonit, si dhe për pasionin e kahershëm për pikturën që po njeh dritën e telajos vitet e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco