Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

'Mos u tremb, biri im, unë e di se tani je strofull ku flenë bashkë luani dhe pëllumbi'

'Mos u tremb, biri im, unë e di se tani je strofull ku flenë bashkë luani dhe pëllumbi'

10:50, 28/08/2023
A+ Aa A-

Tregim nga Kim Mehmeti

LUANI DHE PËLLUMBI

Fytyra i është mbushur me puçrra. Aty i është mbledhur lëngu i fëmijërisë, i cili ngadalë ngjizet e bëhet djersë djaloshare. Edhe poret e lëkurës së fytyrës i janë bërë më të dukshme: janë zgjeruar nga fara e rinisë së hershme nga do të mbijnë shenjat e burrërisë së ardhshme. I janë ngatërruar edhe gjërat që e bëjnë të lumtur me ato që dikur e hidhëronin.

Në të herë ngjallet fëmija lazdrak që gjithmonë i vë në sprovë ata që e duan, herë ai djaloshi në ardhje që ka vendosur të bëhet banor në qenien e tij dhe që dëshiron të shpallë të paprekshëm territorin e vet djaloshar.

O Zot, jemi në hall me dyshin në djalin tonë, i cili nuk na lejon ta përkëdhelim as si fëmijën e dikurshëm në të as si rinoshin që është nisur të na vijë. Ai ngjitet nëpër shkallët e shpirtit fëmijëror që të arrijë deri te majat e hutesës trupore nga ndryshimet e befta që ndodhin me të.
Im birë më ngjan si akrobat, i cili ecën nëpër tel: në dorë mban shtagën e gjatë të hamendjes nga të shkojë; drejt prehrit të nënës që të qetësohet në ngrohtësinë aq të dashur, apo rrugëve të jetës nga do ta prijnë epshet dhe ëndrrat djaloshare.

Unë rri anash telit nga ecën ai, ashtu si i ka hije babait të brengosur, i cili nuk di vallë duhet ta mbajë që të mos rrëzohet, apo ta lërë që të mësohet të arrijë baraspeshën mes shpirtit dhe trupit.

Më dhimbset: i ka shputat shumë të njoma dhe mund t’i gjakosen. Nuk janë ende të mësuara të shkelin mbi telin e hollë të vetmisë që të thellohet në mish.

Muskujt e trupit të tij ende sapo kanë filluar të marrin formën e shigjetës që duhet të flatrojë drejt fatit të jetës. Në sy i është lëshuar mjegulla e pranverës jetësore, e cila ngadalë ia mbulon livadhet fëmijërore si dhe majat e jetës nga është nisur të ngjitet.

Në vend të xixave të dikurshme, bebëzat i shkëlqejnë nga vetëtimat që shpërthejnë në largësi të udhëtimit plot ëndrra. Ia shoh vetëm ylberin e heshtur djaloshar, i cili i ngjallet në formë të buzagazit të trembur në cep të buzëve. Shtrëngatë, furtunë e vërtetë ka kapluar ndjesitë e tij.

“Sa i mjerë jam, askush nuk më do mua!” – klith në të fëmija duke mos dashur ta dëgjojë djalin epshor, i cili ngjallet heshturazi në qenien e tij dhe përnjëherë e ka vështirë të bindet se duhet të mësojë edhe të dojë e jo vetëm ta duan.

“Ki kujdes, me djalin ndodhin gjëra të çuditshme!” – më thotë gruaja. E unë e di se pse ai tani aq shpesh e fut dorën e majtë në xhepin e pantallonave: nga frika se të tjerët do hetojnë se muskujt e tij janë bërë të ndjeshëm ndaj paraqitjeve të jashtme.

Ka filluar të ecë paksa i përkulur. Thuajse i turpërohet rritjes së ngutshme. Apo ndoshta mbi supe e ka rënduar malli për lirinë fëmijërore si dhe frika nga fluturimi nëpër qiellin e vetmisë.

Kanë filluar t’i mbijnë edhe leshra nëpër gjoks. I është bërë një vizë e hollë në mes të kraharorit, në gropëzën që ndan anën e ndjesive me atë të epsheve. Edhe këmbët i janë mbuluar me qime të zeza, janë bërë livadh i pranverës së hershme.

E di, ai fare nuk e kupton nga u mblodhën aq Un-a në të, të cilët trokasin në derën e qenies së tij, e hutojnë me britmat dhe kërkesat që çdonjëri prej tyre të bëhet shenja e tij njohëse. Dhe fillon lufta e pamëshirshme në shpirtin e tij nga e cila do dalë fitimtar ai Uni që do të arrijë ta ngulë flamurin njohës në kështjellën e qenies së tij nga edhe do të kumtojë lajmin e rëndësishëm e do të bërtasë: Unë jam ky që do të keni tani e jo ai lazdrani i dikurshëm i mamit dhe babit.

“Dua të mbetem në kraharorin e ngrohtë të nënës dhe s’dua asgjë më tepër!” – ngufatet në thellësitë e shpirtit të tij klithja, të cilën do ta thotë, por zmbrapset posa më vëren mua përderisa mundimshëm shtirem se nuk i dëgjoj britmat në kështjellën e qenies së tij, të cilën e kanë sulmuar të gjithë ushtarët që duan ta pushtojnë: grindaveci, përtaci, lazdrani, intriganti, hajduti i mundshëm, një i pafytyrë, një i urtë dhe skofiar…, të gjithë sa njeh e s’njeh burrnia duan të bëhen shenjë njohëse e burrit të ardhshëm, i cili posa është futur në malin e djaloshërisë nga do të dalë ose si princ që sundon vetveten, ose si shërbëtor, i cili i është nënshtruar vetvetes.

“Mos lësho pe, shtrëngoi fort dizgjinët e epsheve dhe kujdesu që ajo karrocë – trupi – me të cilën shëtit shpirti yt, të mos përballet me shumë gropa!” – dua t’i them, por balli i tij tani më i vrenjtur, është bërë fortifikatë që nuk lejon askënd të vizitojë qiellin e imagjinatës së tij.

Edhe kur bie në gjumë, tani nuk lë asnjë pjesë të rupit të shpaluar si dikur, por mbulohet deri në fyt. Dhe as që pret puthjen time dhe të nënës. Thuajse e ka kapluar frika se kur ta shohim atë që tani bëhet djalë, nuk do të njohim fëmijën që puthnim dikur, se kur të përballemi me ato sytë e tij të përgjumur, në bebëzën e tyre do të shohim bubullimat dhe vetëtimat e shkaktuara nga hutesa djaloshare.

Dhe sa herë që shkoj në dhomën e fjetjes që ta puth duke i dëshiruar gjumë të ëmbël, ai i zgjatë duart thuajse do të ma bëjë me dije të mos i afrohem aq afër sa dikur kur ishte i mitur, thuajse ka frikë se do të mund t’i dëgjojë pëshpëritjet e mia të qeta:

“Mos u tremb, biri im, unë e di se tani je strofull ku flenë bashkë luani dhe pëllumbi!” (Kim Mehmeti, Marrë nga përmbledhja me tregime 'Mosha e lajmeve të këqija')
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco