Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Esperanto, gjuhë universale që 'banon' edhe në Shqipëri

Esperanto, gjuhë universale që 'banon' edhe në Shqipëri

10:32, 17/08/2023
A+ Aa A-

Kongresi i fundit botëror në Torino, me mbi një mijë ekspertë dhe entuziastë, theksoi rolin e gjuhës artificiale të krijuar 150 vjet më parë, menduar si gjuhë e aftë për të sfiduar luftërat botërore e propozuar si unazë paqeje dhe mirëkuptimi përtej barrierave kulturore dhe ideologjike. Radio Vatikani shkruan për rolin e esperantistëve katolikë shqiptarë.

Njëri nga esperantistët e parë shqiptarë, pra, ishte Zef Mjeda. Djaloshi, i  frymëzuar nga gjuha e re, pronë e mbarë njerëzimit, duke harruar telat me gjemba që izolonin Shqipërinë socialiste, pati idenë të lidhej me gjithë botën esperantiste. Botë pa kufij!

Gjuhë paqeje, barazie ndërmjet popujve dhe vëllazërie, e aftë të bashkojë njerëz nga e gjithë bota, që vijojnë ta flasin e ta shkruajnë. Ky është "vokacioni" i Esperantos, idioma artificiale e krijuar nga gjuhëtari polak Ludwik Lejzer Zamenhof në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, e cila sot ka ndjekës në të paktën 120 vende të botës, kryesisht në Evropë, Brazil. dhe Kinë.

Shumë prej entuziastëve u mblodhën në Torino ditët e fundit për edicionin e 108-të të Kongresit Botëror të Esperantos, organizuar nga Shoqata Botërore e Esperantos (UEA) në bashkëpunim me Federatën Italiane të Esperantos (FEI). Një takim plot me konferenca shkencore, teknike dhe letrare, që tërhoqi në qytetin piemontez rreth 1300 esperantistë nga 69 kombe. Ndërmjet tyre, edhe shqiptarë, miq të vjetër të kësaj gjuhe me aromë biblike!

Dy fjalë për autorin

Autori i kësaj gjuhe të re, të jashtëzakonshme, që të kujton Kullën e  Babelit, është doktor Ludovik Lazar Zamenhof. Mjeshtri i gjuhëve, shfrytëzoi leksikun e 20 gjuhëve evropiane dhe sajoi me to një sistem gramatikor sa të saktë, aq të thjeshtë. Prandaj Esperantoja u prit me shumë entuziazëm dhe pati përkrahës të shumtë sa në gjirin e elitës kulturore evropiane, aq edhe të asaj punëtore. Edhe pse për ta pëvetësuar nevojitej të paktën dhjetë herë më pak kohë sesa për gjuhët e tjera kombëtare.  Tingëllojnë në të, tri familje gjuhësore, të njohura për çdo folës evropian: ajo latine, gjermanike e sllave. Me fjalët e tyre, përmes parashtesash e prapashtesash, formohen dhjetra fjalë të reja, si për shembull Alban-uj-o – vendi i shqiptarëve, ku ‘ujo’ është prapashtesë, që tregon vendin ku rrin diçka a dikush.

Roli i esperantistëve katolikë

Ndërsa mbetet gjuhë që u përket të gjithëve dhe respektohet nga të gjitha besimet, Esperanto është lidhur gjithnjë ngusht me katolicizmin. Marrëdhënie që nisi në fillim të shekullit të njëzetë dhe u konsolidua pas Luftës II Botërore, kur në vitin 1950 Piu XII, në një audiencë të përgjithshme në Bazilikën e Shën Pjetrit, i përshëndeti në gjuhën e tyre esperantistët që kishin ardhur për ta takuar. Në vitin 1966 - pasi Pali VI kishte njohur rëndësinë e lëvizjes katolike esperanto dhe dobinë e kësaj gjuhe ndërkombëtare në 1964 - Esperanto u pranua zyrtarisht në mesin e gjuhëve në të cilat mund të kremtohet mesha dhe të thuhen lutjet. Me rastin e bekimit Urbi et Orbi të dielën e Pashkëve, Papa dërgon përshëndetje edhe në gjuhën Zamenhof.

Gjatë ditëve të ngjarjes së Torinos, Bashkimi Ndërkombëtar Katolik i Esperantos (Ikue), i udhëhequr nga Presidentja Marija Belosheviç, propozoi një program kushtuar tërësisht esperantistëve katolikë, i cili filloi me një takim lutjesh ekumenike dhe vazhdoi me meshën e përditshme në Esperanto. Një ditë e tërë iu kushtua temës “Esperantistët shtegtarë në viset e Don Boskos”, ku pjesëmarrësit mundën të njihnin nga afër jetën e themeluesit të Salezianëve dhe aktivitetet e ndjekësve të tij.

Ikue (Bashkimi esperantist katolik ndërkombëtar)paraqiti dy vëllime të reja të përkthyera në gjuhën artificiale, në Kongres. I pari, i lidhur thellësisht me temën e takimit, ishte libri i Papës Françesku "Jam unë, mos ki frikë - fjalë për refugjatët dhe emigrantët", botuar nga Libreria Editrice Vaticana 2018. I dyti, shkruar nga Fernando Millán Romeral - Gjenerali i mëparshëm i Urdhrit të Karmelitanëve nga viti 2007 deri në 2019 - paraqet figurën e Shën Titus Brandsma, prift, shenjt mbrojtës i esperantistëve katolikë, i cili vdiq në Dachau dhe u shpall shenjt në 2022 nga Papa Françesku.

Kush e solli Esperanton në Shqipëri

Në Shqipëri  Esperanton e sollën  studentët tanë të Vjenës, Parisit, Romës etj etj. I pari, Dom Lazër Shantoja, prift katolik. Ndonëse shumëkush mendon se i pari ishte koleksionisti i famshëm i arteve, Mark Kakarriqi Ishte viti 1907 kur gjuha esperanto shkeli në Shqipëri, për t’u bërë gjuhë e një numri dashamirësh, gjithnjë në rritje. Meshtarin, i pari që e solli gjuhën e botës në Shqipërinë e vogël, e ndër të parët që u martirizua mizorisht, e ndoqën pas shumë të tjerë, duke nisur nga Cuk Simoni, publicist e përkthyes i famshëm i “Pinokut” të Kolodit, i pasuar nga një aradhe e tërë nga veriu e nga Jugu. Kur esperantistët veriorë u mbyllën në burgje e esperantoja u konsiderua si gjuhë tradhtare, gjurmët e Dom Lazrit e të Cukut i ndoqi mësuesi i thjeshtë Zef Mjeda, që gjuhën e re universale e kishte mësuar në bankat e liceut të fretërve françeskanë. E pikërisht atij iu desh të paguante haraç në emër të gjithëve, për gjuhën e njerëzimit…  ndonëse më vonë u krijua një “klub” me esperantistë.

Mrekulli në gjysëm të rrugës: “Një ngjarje e pabesueshme”

Njëri nga esperantistët e parë shqiptarë, pra, ishte Zef Mjeda. Djaloshi, i  frymëzuar nga gjuha e re, pronë e mbarë njerëzimit, duke harruar telat me gjemba që izolonin Shqipërinë socialiste, pati idenë të lidhej me gjithë botën esperantiste. Botë pa kufij!

E nisi të shkruajë letra në këtë gjuhë e t’i nisë anembanë. Duke mbetur gjatë në pritje të gjegjes. Deri një ditë kur te porta e tij u ndal gazi i Degës së Punëve të Brendshme. Në vend të botës së madhe, të gjitha letrat kishin arritur rregullisht në atë vend martirizimi.

Atje e çuan edhe Zefin, që ëndërronte të shëtiste mbarë botën, e të merrej vesh me një gjuhë të vetme me mbarë njerëzimin. Hetuesi, që gjuhët i kishte zëvendësuar me “mjete të tjera, aspak gjuhësore”, as që kish dëgjuar të flitej për gjuhën universale. Ndaj nuk kishte kuptuar asnjë fjalë nga letrat që shkruante Zefi. E po kështu edhe ata që vuanin dënimin pikërisht pse dinin gjuhë të huaja që, si u thirrën, pohuan se kjo gjuhë nuk ishte as gjermanisht, as italisht, as anglisht, as, as…

Atëherë hetuesi i vuri prangat Zefit e prej tij dëgjoi për herë të parë se po kishte edhe një gjuhë esperanto, me të cilën po merrej vesh mbarë bota. Tradhti e lartë, pra! Që donte t’i kapërcente telat me gjemba e t’i  fliste mbarë botës me një gjuhë që e merrte vesh gjithkush… Ç’e priste burrin, që donte të fliste me botën në gjuhën esperanto?

I tha hetuesi: “Po të falim, veç mos guxo më ta flasësh këtë gjuhë, gjuhë e askujt, e rrezikshme për fatet e kombit!”.

Shpëtoi për mrekulli

Po “esperantisti”, domethënë njeriu i etur për t’i folur botës me një gjuhë pa kufij, guxoi. Deri një ditë kur mundi ta fliste “gjuhën e re, që e merrte vesh gjithkush” me esperantistë të mbledhur nga mbarë bota! 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco