Gruaja e parë në historinë e shtetit modern shqiptar që tha 'JO'

Gruaja e parë në historinë e shtetit modern shqiptar që tha 'JO'

23:00, 13/08/2023
A+ Aa A-

Historitë e femrave të guximshme nëpër botë mund të jenë të shumta. Një ndër to është edhe Musine Kokalari, një femër e guximshme, e cila në një sistem të vështirë politik, nuk u tremb. E deshi jetën më të njëjtin pasion dhe luftoi për idealet e saj. Kjo grua ka patur dhe ka një ndikim mjaft të madh në rrjedhën e historisë. Mbase nuk ia doli mbanë të fitonte betejën e saj, por ama ia doli të ndryshonte mënyrën tonë të të menduarit.

Më 8 tetor të vitit 1961, pasi i kishte kaluar të dyzetat, e liruan nga burgu dhe e internuan në një qytet të zymtë në Veri të Shqipërisë, ku vazhdonte të jetonte akoma. Shtëpia ku jetonte nëse mund të quhej e tillë, përbëhej vetëm nga një dhomë e vogël, muret e së cilës ishin të veshura nga lagështia.

Prej kohësh, vuante nga një sëmundje e rëndë, kishte një gjëndër kanceroze në gji. Por kishte vendosur ta donte jetën dhe ta vijonte luftën deri në fund, pa u dorëzuar, ashtu siç kishte bërë gjithmonë. Kohët e fundit gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej. Kishte shkuar në spital në dimër dhe po dilte në pranverë. Ishte fillikat e vetme, nuk kishte askënd...Nuk bëri kompromise. Asnjëherë. Me askënd.

Gjatë gjyqit, në ato pak çaste që iu dha mundësia për të folur, tha:

“Unë s’jam fajtore. Unë s’jam fashiste. Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste. Kam kulturë demokratike. Unë jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem...Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj! Me mua ju doni të dënoni Rilindjen...”

Me këtë vetëmbrojtje dhe me qëndrimin e saj ajo i tha jo komunizmit. I tha jo dhunës, mungesës së lirisë dhe padrejtësive. Dhe vijoi t’i thoshte jo gjatë gjithë jetës së saj. Dhe tani që ishte në shtratin e vdekjes.

Image

Kush ishte Musine Kokalari

Lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco