Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Fatime Sokoli, magjia e zërit të bjeshkëve, përjetësi në traditën tonë folklorike

Fatime Sokoli, magjia e zërit të bjeshkëve, përjetësi në traditën tonë folklorike

10:17, 13/08/2023
A+ Aa A-

Kujtesë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta të këngëtares.

"Bilbili i Tropojës", Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re, ndoshta pikërisht atëherë kur mund të jepte ende në fushën krijimit, interpretimit dhe virtuozitetit. U nda nga të gjallët e saj për të lënë në eterin e maleve të Dragobisë, gumëzhimën e Valbonës, bashkë me tingujt e saj magjepsës, edhe zërin e saj kumbues.

Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat kur një sëmundje e pashërueshme e ndaloi dhumshëm për të rendur më tej, për t'u ngjitur më lart, për të përmbushur një ëndërr, për të shtytur tej caqet e fatit dhe famës së një malësoreje.

Ajo iku shpejt, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë.

Për brezin e sotëm më shumë se një cak kujtese, asgjë tjetër mund të mos i interesojë nga ky fak. Por Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara të veriut, ajo ishte dhe mbeti në gjenerata një vlerë pasurore e traditës sonë të vyer të folkut.

Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, se në malësi dhe kudo gjetkë në shqiptari, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se ajo nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar fëmijë; për punët e shtëpisë dhe për t'iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën, për të vënë talentin dhe pasionin e saj krijues në panteonin e vlerave foklorike.

Fatime Sokoli ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondit e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit dhe pasurisë shpirtërore të mbrujtur në kohë zezonash dhe ngulmesh ngadhënjimtare për liri, dinjitet dhe ekzistencë.

Ata që qenë të shpërblyer dhe e dëgjuan magjinë e shpirtit të bjeshkëve në një zë qielli, që e njohën, e shijuan perfomimin e saj, dhe e duartrokitën atë, nuk do ta kenë patur të vështirë ta ruajnë në kujtesë.

Ajo, Fatime Sokoli kishte ardhur për të mbetur një emër, një kontribut, një vlerë, një simbolikë e shprehive më të qenësishme të pasurisë sonë shpirtërore kombëtare.

****

Fatime Sokoli u lind në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948 në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Ajo u rrit dhe u edukua me një mishërim të së shpirtshmes së brymosur në lartësi atributesh, për t'u shndërruar në një ikonë të etnokulturës. Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin "Artiste e Merituar", një vlerësim i merituar dhe arritur me shumë punë dhe përpjekje.

Pas shumë vitesh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, këngës dhe shpirtit të saj.

Te shpella e Dragobisë, buçiti zëri i saj për popullin trim të Gjakovës, Aty këngëtarja e Dragobisë, meritoi duartrokitjet e para, që nuk pushuan më pas në Tiranë, Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë, në Kosovë e Maqedoni, në shumë skena të Ballkanit e të Evropës. Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj.

Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër, më shumë se nënë, grua, argate. Ajo provoi duke guxuar, arriti duke u përpjekur, sfidoi duke luftuar, besoi te talenti dhe u shpërblye. Dhe ne sot i detyrohemi një përulje me respekt për veprën që la si testament vlerash, pasioni dhe përkushtimi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco