Më 19 shkurt 1879 lindi në Shkodër Luigj Gurakuqi

Më 19 shkurt 1879 lindi në Shkodër Luigj Gurakuqi

08:34, 20/02/2023
A+ Aa A-

Më 19 shkurt të vitit 1879, lindi në Shkodër nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe qeveritari, Luigj Gurakuqi.

Si rrallëkush, Gurakuqi mundi të përjetojë në pozitën e ndërvepruesit qendror disa prej ngjarjeve më kulmore të historisë së vendit tonë, në hyrje të shekullit të kaluar. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës: Gjergj Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit. U zgjodh nënkryetar dhe anëtar i Komisionit për Njësimin e Alfabetit. Më 1909-n, në cilësinë e drejtorit të së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, kontribuoi në kristalizimin e arsimit mbi baza kombëtare.

Në 1912-n, u angazhua në mënyrë të intensifikuar në organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mëvetësia, u komunikua në deklaratën e formuluar nga Ismail Qemali, të shkruar prej Gurakuqit. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, u zgjodh ministër i Arsimit. Më 1913-n, mori pjesë në Konferencën e Londrës.

Në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës, iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Durrësit (1918), prej nga ku u vendos rikthimi i tij në krye të Ministrisë së Arsimit. Udhëhoqi revolucionin e qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, ra viktimë e një atentati.

Në foton e përzgjedhur, shfaqet Luigj Gurakuqi duke dalë nga Parlamenti. Ndërsa, gjenden në format dokumenti edhe disa prej faqeve të shkëputura nga "Abetar i vogël shqyp mas abevet t'Bashkimit e t'Stambollit me tregime n'dy dialektet".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco