Dita kur përkujtohet përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça

Dita kur përkujtohet përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça

12:30, 10/01/2023
A+ Aa A-

Më 10 janar përkujtohet lindja e mësuesit, përkthyesit, politikanit dhe historianit Xhevat Korça (10 janar 1893 - korrik 1949).

Xhevat Korça lindi më 10 janar 1893, në qytetin e Korçës, ku kreu dhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin, Zosimea, të Janinës dhe më pas studimet e larta për histori i kreu në Fakultetin e Filozofisë, në Vjenë. Së bashku me studentë të tjerë, njëri prej të cilëve ishte, doktori Jani Basho, i dërguan një letër presidentit amerikan Wilson, mbi çështjen e të drejtave të popullit shqiptar.

Pasi kthimit të Zogut me “Triumfin e Legalitetit” në 1924-ën, ai u detyrua të largohet drejt Jugosllavisë, pasi ishte mbështetës i “Lëvizjes së Qershorit” dhe qeverisë Fan Noli. Në vitin 1925, pas krijimit të “Seminarit për filologjinë shqipe” në Universitetin e Beogradit, u caktua si lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa gjatë viteve1927-28 mbajti kursin “Gjuha shqipe për fillestarë”.

U zhvendos në Austri ku jetoi si emigrant politik dhe iu përkushtua përkthimit të dokumenteve të Arkivit të Shtetit austriak mbi “Historinë Kombëtare Shqiptare”. Më pas u zhvendos në Graz e Rijeka(Kroaci), asokohe pjesë e Italisë.

U kthye në Shqipëri pesë muaj pas pushtimit fashist dhe në vitin 1942 merr postin si Ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, me kushtin që gjuha italiane të hiqej si gjuhë e detyrueshme nga shkollat shqiptare dhe të liroheshin prej kampit të internimit në Itali të gjithë arsimtarët e internuar shqiptarë. Gjatë kësaj kohe, një tjetër kontribut i tij, ishte themelimi i “Institutit të Studimeve Shqiptare".

Pas rënies së qeverisë Kruja, merr fund dhe karriera politike e Xhevat Korçës. Arrestohet së bashku me djalin e tij, në vitin 1945 dhe dënohet nga Gjyqi Special, me dënim me vdekje, vendim i revokuar dhe shndërruar në burgim të përjetshëm. Ndërron jetë në spitalin e burgut të Burrelit, në korrik të vitit 1949.

Një pjesë e madhe e përkthimeve të tij, ndodhen në arkivin e AQSHF-së nga ku, gjithashtu, është veçuar një letër e Fan Nolit, maj 1927, mbi përkthimet e Xhevat Korçës dhe çështje të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco