SYRI TV/ Mbrëmje poetike në Urën e Zogut, rijetëzim këtij monumenti nga 'Europa Nostra'

11:09, 31/03/2022
A+ Aa A-

Ura e Zogut, e cilësuar si një nga shtatë objektet e rralla që rrezikojnë të zhduken, u shndërrua në një vend artistik. Federata Europiane e Trashëgimisë Kulturore, “Europa Nostra”, zhvilloi një mbrëmje “poetike” në këtë urë, me simbolikën e rijetësimit të saj.

Nga SYRI TV

Federata Evropiane për Trashëgiminë Kulturore “Europa Nostra” ka përzgjedhur Urën e Zogut  si një nga sitet në rrezik të Europës. Në këtë mënyrë krijohet mundësia për të mbledhur fonde për mirëmbajtjen e saj. Në këtë kuadër aktivistë të shoqërisë civile nga Kurbini dhe Lezha, organizuan "Art në Urën e Zogut", një pasdite poetike mes autorësh. Aktivistët Emarilda Leti dhe Elton Laska treguan se falë përpjekjeve dhe protestave të shumta "Ura e Zogut", renditet si një ndër 7 objektet e trashëgimisë Kulturore më të rrezikuarat.

Hekuran Koka nga Klubi letrar "Ndoc Gjetja", u shpreh se është shumë e rëndësishme që brezave që vijnë t’u lëmë diçka jo vetëm në letër. Sipas tij rijetëzimi i monumenteve të Kulturë bëhet edhe përmes poezisë dhe artit.

Përmes poezisë të rinjtë dhanë mesazhet e tyre për Urën e Zogut “Monument Kulture.”

Ndonëse janë zhvilluar me dhjetëra protesta e janë mbledhur mbi 7 mijë firma, ende Ministria e Kulturës nuk ka asnjë reagim për mbrojtjen nga shkatërrimi i plotë i Urës se Zogut, një ndër monumentet e rralla për nga arkitetura, shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco