VIDEO - SYRI TV/ Përkujtohen poetët: Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja

VIDEO - SYRI TV/ Përkujtohen poetët: Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja

15:35, 18/10/2021
A+ Aa A-

Hëna e zbehtë, si fytyra e një të vdekuni, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollet e kristalizuara të katundit, të cilat as frymë nuk marrin. Dhe të vret kjo bukuri e bardhë. Vret shpirtin e malsorit, siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e ftohtë e grues së lakuriqët.

Edhe pse qiejve, Dritëro Agolli dhe Migjeni do të përkujtohen gjithmonë si dy nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe. Në ditën e tyre të lindjes, Akademia e Shkencave  organizoi konferencën “Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja”, për t’u rikthyer dhe një herë kontributit të tyre dhe gjurmëve të pashlyeshme që lanë ata në kanonin letrar. I njohur mirë me veprën e tij në prozë dhe poezi, studiuesi dhe akademiku Ali Aliu përmes një vështrimi të gjerë u ndal te origjinaliteti i krijimtarisë së Agollit dhe fryma që buroi nga jeta dhe populli.

Një copëz e shpirtit të së bijës do të jetë përherë me dorëshkrimet e të atit, megjithëse ato tanimë do të jenë pjesë e Akademisë së Shkencave. Elona Agolli dhuroi “Fletorkën e mesnatës” të babait të saj, institucionit të cilit shkrimtari i dha shumë, ndërsa u shpreh për Syri Tv se ky vendim nuk ishte aspak i lehtë për të.

Lëvizjet e brendshme, shqetësimet dhe kaose të tjera të poetit që vijnë në triptikun e realizuar përgjatë viteve 1990-1996, përballja e njerëzve me periudhën e pas-diktaturës janë disa nga pikat të cilave iu referua profesori dhe Akademiku Ali Aliu, që e cilësoi Agolli si shkrimtarë ne intuitë gjeniale.

E ndërsa mbrëmja binte, lexuesit e përkorë të poezive dhe romaneve të Dritëro Agollit u bënë të gjithë bashkë, në një hapësirë dedikuar artit dhe letërisë për t’u përhumbur në vargje të përshpirtshme dhe tinguj muzike.

Në hapësirën dedikuar artit, ishin ekspozuar kudo librat e kolosit të letrave shqipe. Ndërsa e veçanta e mbrëmjes poetike ishte interpretimi i aktores Ema Andrea, e cila i riktheu dashamirësit e artit, në kohë dhe vende, ndjesi e imazhe magjike përmes poezisë.

E pranishme për të ndjekur aktivitetin ishte dhe Elona Agolli, e cila shijoj bashkë me të pranishmit poezitë e të atit dhe muzikën e përgjedhur nga këngëtari Gjergj Kaçinari.

Poeti që i deshi çdo grimëçast jetës, nuk mund të mos e shprehte këtë edhe në vargjet “Mos vdis”.

E ndërsa aktorja interpretonte poezinë “Kur të jesh mërzitur shumë”, artdashësit recitonin bashkë me të njëzëri..

“Dance me to the end of love” e Leonard Cohen e elektrizoi edhe më shumë mbrëmjen.

Dritëro Agolli thoshte “Poezia si çdo art tjetër, duhet t`u flasë zemrave dhe të bëhet e nevojshme si ajri, uji dhe buka”. Ikja e Agollit është thjeshtë fizike, filli që e mban lidhur me botën është krijimtaria dhe poezitë e romanet e tij, ashtu sikurse dhe shkrimtari kanë një vend të çmuar në letërsinë shqipe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco