VIDEO-SYRI TV/ ‘Oda Dibrane’, Festivali i Folklorit bashkon trevat shqiptare

VIDEO-SYRI TV/ ‘Oda Dibrane’, Festivali i Folklorit bashkon trevat shqiptare

15:28, 18/10/2021
A+ Aa A-

Është përmbyllur edicioni i 27 -të i festivalit “Oda Dibrane”. 18 grupe me rreth 450 artistë mbushën rrugët e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe për tre ditë me rradhë. “Oda Dibrane” është festivali folklorik më i madh, që zhvillohet në trevat shqiptare. Ai mbledh dhe promovon vlerat folklorike , këngën dhe vallen popullore, ritin dhe alegorinë, vallen humoristike të trevave nga vijnë . Gjeografia e grupeve pjesëmarrëse është nga të gjitha trevat shqip folëse. Ndër të tjera festivali është i veçantë pasi mbahet në dy shtete në Peshkopi (Shqipëri) dhe në Dibër të madhe në (Maqedoni). 

“Oda Dibrane” në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë shqiptare, ku bëheshin kuvende, ceremoni në raste gëzimesh e fatkeqësish, ku shpalosej mençuria dhe urtësia e këtij populli. Oda ka shërbyer ndërkohë edhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku festohej e gëzohej, ku kumbonte kënga apo niste gjëma, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik. Në këtë “Odë”, fjala kishte peshë shumë të madhe. Jo më kot thuhej se: Kur të shkosh në “Odën e Dibrës” duhet të marrësh me vete "një metër, një kandar dhe një thikë me dy presa".

Prof.dr. Isak Shehu dekan i fakultetit të muzikës në Tiranë thotë se janë kriteret strikte, që Oda Dibrane ka vendosur nga fillimi që e kanë mbajtur në këtë linjë suksesi, pa harruar edhe grupet e përzgjedhura me kujdes,  që publiku i ka duartrokitur për tri netë.

Ky festival që nga krijimi ka menduar të risjellë vlerat e folklorit, ritet, këngët alegorike të trevave apo zonave nga vijnë artistët, dhe këtë synim e ka arritur më së miri, duke i dhënë kohës, vlerat e merituara e duke e trashmetuar pasurinë kulturore ndër breza.

Profesori i muzikës në Universitetin e Tetovës  Jeton Pustina , anëtar i Jurisë , tregon se si u rrit Oda Dibrane dhe sot numëron 27 vite. Ai ka luajtur në edicionin e parë si kitarist , më pas ka qenë pjesëmarrës si drejtues i ansamblit të Tetovës, ndërsa  këtë vit është në pozicionin e kryetarit të jurisë.

Në përmbyllje të aktivitetit, drejtori i festivalit Veli Vraniçi foli për vlerat që e mbajnë gjallë këtë festival, si dhe tregoi sa e vështirë është të mbash një festival të përmasave të mëdha.

Në fund në natën e tretë juria ndau disa mirnjohje për artistë , grupe apo këngë të ndryshme. Çmimin e parë e fitoi grupi folklorik "Përparim Tomçini" i Ansamblit Dibra , çmimin e dytë e fitoi Ansamblibli Jahi Hasani nga Gostivari , ndërsa çmimin e tretë e fitoi ansambli Krahu i Shqiponjës i pallatit të kulturës Vlorë, ndërsa grupi folklorik Gjergj Arianiti Mallakastër u vlerësua edhe për kostumografinë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco