Si sot vdiq në Bejrut, një ndër më të shquarit e Rilindjes, Pashko Vasa

Si sot vdiq në Bejrut, një ndër më të shquarit e Rilindjes, Pashko Vasa

08:56, 29/06/2020

Sot përkujtohet 128-vjetori i ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit Pashko Vasa (Shkodër, 17 shtator 1825 - Bejrut, 29 qershor 1892)

Lindi në Shkodër. Kreu mësimet e para në vendlindje dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj.

Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane. Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë.

Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”. Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.

Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L'alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l'usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l'aide d'un maître”, Londër 1887).

P. Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco