Më 5 qershor filloi Lufta e Vlorës

Më 5 qershor filloi Lufta e Vlorës

09:14, 05/06/2020

Më 5 qershor të vitit 1920 filloi lufta e shqiptarëve për çlirimin e Vlorës.

Lufta e Vlorës ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore, njoftoi Muzeu Historik Kombëtar.

Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O. Haxhiun.

Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye, i cili më vonë u zëvendësua nga Q. Koculi.

Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta.

Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë.

Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.

Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare.

Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920.

Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco