Heshtja më e rëndë se plumbi

Heshtja më e rëndë se plumbi

21:40, 06/12/2018
A+ Aa A-

Nga Bardhyl Ermini

Përse nuk reagon enti kulturor Kult? Përse nuk reagojnë shkrimtarët pjesmarrës në konkurim? ( Mbi debatin e hapur për çmimin Kult për letërsinë 2018)

Konkurset letrare janë të lashta sa vetë letërsia. Të parat konkurse datojnë që në epokën homerike, gjatë festivaleve të organizuara kryesisht për nder të hyjnive. Shembullin më domethënës e ndeshim tek kënga VIII e Odiseja, ku vepra letrare duhet të kalonte nëpër disa filtra vlerësimi, nuk duhej të ishte vetëm argëtuese... Konkurset letrare vijuan të ishin të pranishme edhe gjatë periudhës klasike. Veprat më të njohura dhe më të mira të periudhës së lashtësisë u shkruan për t’u paraqitur në konkurset letrare, për t’iu dorëzuar vlerësimit të publikut (pa rënë aspak në populizëm). Kësisoj, konkurset letrare ishin me të vërtetë nxitëse e lëvrimit të artit dhe letërsisë, promovuese e cilësisë dhe e vlerave të tij. Pa këto konkurse,  nuk do të kishim shumë vepra të mëdha të letërsisë së lashtë greke.

Shumë ujëra kanë rrjedhur që nga ajo kohë, jemi të vetëdijshëm, siç jemi të vetëdijshëm se konkurset letrare kanë ndryshuar në çdo gjë: në kohët tona, kurora e dafinave është kthyer në një fletushkë e shoqëruar me një medalje dhe një sasi të hollash. Për të sjellë një shembull tjetër, në konkurset letrare të periudhës së lashtësisë, vlerësuesi ishte publiku, lexuesi, ndërsa në kohët tona është një komision i përbërë nga 5-6 veta, duke lënë shteg për jo pak doza subjektivizmi në vlerësim.

Ky ndryshim i fundit nuk është pa rëndësi. Duke mos përfaqësuar më vlerësimin e publikut, roli i konkurseve të sotme letrare nuk është më nxitës. Veprat e mira letrare të kohëve tona do të ekzistonin dhe pa këto konkurse. E megjithatë, njëlloj si konkurset letrare të periudhës së lashtësisë, konkurset e sotme luajnë rolin e promovuesit të cilësisë dhe të vlerave të artit, duke e afruar lexuesin tek veprat e arrira letrare. Duke e njohur këtë rol të konkurseve letrare, si një lexues besnikë dhe i palodhur i letërsisë shqipe, kisha shumë shpresë se në periudhën e demokracisë, prej tyre do të kishim një promovim të vlerave të vërteta të letërsisë sonë. Pati disa përpjekje pozitive në këtë drejtim në vitet 90, por gjendja erdhi duke u përkeqësuar aq shumë, sa venë edhe tregojnë edhe barcaleta për kulisat e tyre, dhe sot mund ta shpallim me zë të lartë se konkurset letrare në Shqipëri janë promovimi i letërsisë së klaneve, grupeve dhe miqve, shkrimtarëve konform vijës politike të çastit, apo atyre që duket se kryeministri sot, apo ai tjetri dje, i ka “nën sqetull”. Zgjohesh në mëngjes dhe të duket se po jeton në një tjetër diktaturë, atë të klaneve dhe të diktatit të politikës në letërsi e kulturë. Dhe ndonëse ajri është ndotur atje ku nuk mban më, dhe ne po gjallojmë edhe në këtë “helmim”, kur mendoja se asnjë “produkt” konkursesh letrare në Shqipëri nuk do  më trondiste, sërish më shqetësoi shkrimi i Shpëtim Dodajt, botuar tek Syri.net e datës 30 nwntor. Ai thoshte se është kapërcyer kufiri i megasubjektivizmit të komisionit të çmimit kult për letërsinë 2018. Gjykohej vepra e Zija Celës, Besnik Mustafajt, Mira Meksit dhe Ardian Kyçykut. Jam lexues i rregullt dhe e dua veprën e Zija Celës, Mira Meksin e vlerësoj për shkrimin modern dhe mbi të gjitha për gjuhën shumë të pasur shqipe që përdor dhe pasuron ( kam botuar një shkrim vlerësues për “Flutura mes gjinjve” gazeta Dita 11. 01. 2018) kam lexuar edhe poezi të ndjera të Besnik Mustafajit. Me vështirësi e gjeta librin Ati të Kyçykut. Që në faqet e para të tij i dhashë plotësisht të drejtë Dodajt, gjuha jo vetëm ngec keq, aq sa duket se nuk ke të bësh aspak me një vepër letrare, por edhe më la një shije të keqe nga shprehje vulgare dhe poshtëruese ndaj një personazhi femër. Ishin përshkrime të autorit. Nuk arrita të kuptoj se si imitimet e të folurës veriore ishin deformuar ashtu dhe se si përziheshin ca dialekte që nuk ekzistojnë. Me durim të madh e mbarova librin që për fat ishte i shkurtër dhe mbajta po atë mendim të faqeve të para, duke shtuar edhe faktin se subjekti për mua është tërësisht i errët.

?Por ajo që më shqetëson më shumë në këtë debat që është hapur, është se si ky enti kulturor që ka dhënë çmimin Kult për letërsinë nuk po reagon. Përse nuk na tregon publikisht motivin e vlerësimit të librit Ati , përse na krijon terrenin që të mendojmë se një është pjellë një strategji e keqe për të goditur gjuhën shqipe? Përse nuk na shpjegon se si e ka menduar të na diktojë e të na shesë një vepër të tillë si më të mirën e letërsisë shqipe për një vit të tërë, kur në të vërtetë është mbase më e dobta e një viti apo e shumë viteve? Po shkrimtarët pjesmarrës në këtë konkurim pse heshtin? Ata që i kanë vënë përballë këtij fituest. Të jenë konformuar vallë me “ëmbëlsinë” e çmimeve kult që mbase i kanë marrë dikur apo shpresojnç se do t’i marrin në një të ardhme dhe pse ta prishin me ta? Apo i tuten gjykimit publik të librave të tyre në konkurim? Si mund të mbyllin sytë përpara këtij skandali? 

Lexova reagimin e Mira Meksit që thoshte se është tërhequr nga konkurimet. Po çfarë zgjidhet duke u tërhequr në guackën e vetvetes, në vilat a kështjellat ku janë mbyllur? Shkrimtarja në fjalë thoshte edhe se nuk ka sistem gjykimi të vërtetë në Shqipëri. Pyetja ime është, po pse nuk punohet nga të gjithë për ta krijuar këtë sistem? Kanë kaluar afro 30 vjet nga rënia e Murit, çfarë është bërë për këtë? I kam parë edhe përpjekjet qesharake të disa shkrimtarëve nëpër anketime gjoja për të promovuar vlera të letërsisë shqipe. Po si ndodh që me fodullëk u japin mend shqiptarëve për librat që duhet me patjetër të lexojnë nga letërsia shqipe gjatë jetës së tyre dhe thonë broçkulla? Pothuaj të gjithë kam parë që përmendin letërsinë e traditës duke iu shmangur dhelpërisht letërsisë së sotme, ose kur përmendin ndonjë nga letërsia e sotme do jetë patjetër ja miku, ja klani, me ndonjë përjashtim të rrallë. Njëri prej tyre, shkrimtar i njohur, nga dhjetë libra që kish në dispozicion për t’u sugjeruar shqiptarëve, numëronte plot shtatë libra të Kadaresë dhe ç’vinte pas shkrimtarë të traditës. Që shqiptarët t’i lexonin në jetë. Si ta gjykosh këtë? Sigurisht Kadareja është shkrimtari ynë i madh, po si mund të mohoet zhvillimi i letërsisë shqipe? C’është more ky shkrimtar? Servil i paprecedentë, apo mendjemykur? Apo shkrimtar që mohon vetveten? Shikoni në botën e madhe, nxjerrin përherë sisteme referimi të freskëta në zhvillimet dinamike të letërsisë, pse e duan kulturën e tyre, e duan gjuhën e tyre, e duan të ardhmen e kombit të tyre dhe luftojnë për të.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco