Zjarret masivë të verës, zjarrfikësit mbjellin 117 rrënjë ullinj

Zjarret masivë të verës, zjarrfikësit mbjellin 117 rrënjë ullinj

12:30, 18/03/2018
A+ Aa A-

Tetë muaj më parë, si pasojë e zjarreve që prekën vendin gjatë stinës së verës, në Krrabë u dogjën një sasi pemësh, të cilat janë zëvendësuar këtë fundjavë nga zjarrfikësit e Tiranës. Duke iu bashkuar nismës për mbjelljen e pemëve, 117 efektivët e shërbimit zjarrfikës mbollën 117 rrënjë ulliri, duke e çuar në 650 numrin e pemëve të mbjella në këtë zonë.

Zjarrfikësve iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Më vjen mirë që 117 zjarrfikësit e Tiranës po mbjellin 117 pemë në një zonë si Krraba, e cila u shkretua gjatë zjarreve të verës. Fakti që zjarrfikësit kthehen jo vetëm për të shuar zjarrin, por edhe për të rimbjellë aty ku zjarri bëri dëm, është besoj fabula më e bukur e këtij qyteti: Ne rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë. Në Krrabë, në total kemi mbjellë rreth 650 pemë, por jemi afër rekordit të 100 mijë pemëve. Çdo qytetar i  Tiranës që ka parë këtë energji magjike në qytet gjatë këtyre muajve, ka edhe pak ditë kohë, deri në 21 mars”, tha Veliaj.

Efektivët e shërbimit zjarrfikës i përballuan me sukses rastet e rënies së zjarreve gjatë verës, duke vendosur në rrezik, në jo pak raste, edhe jetën e tyre. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën e efektivëve, të cilët janë të parët që ndihmojnë sa herë që qytetarët kërkojnë ndihmë. “Zjarrfikësit e Tiranës, siç janë të parët që sa herë ka rrezik, një nevojë, përmbytje, zjarre, bllokime dyersh, aksidente, janë të parët edhe në këtë nevojë të qytetit për oksigjen. Një zjarrfikës e di fare mirë ç’do të thotë mungesë e oksigjenit sepse përballen me situata të vështira. Ndaj, ashtu si një zjarrfikës në momentin e vështirë kërkon oksigjen që të vazhdojë të bëjë punën, ashtu një qytet ka nevojë për oksigjen që të vazhdojë jetën”, u shpreh ai.

Veliaj siguroi se aksioni për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet do të vijojë edhe përtej datës 21 mars, ditë kur bashkia do të zhvillojë një aksion të gjerë për të kurorëzuar mbjelljen e 100 mijë pemëve. “Do të vazhdojmë të mbjellim deri sa të na lejojë moti, por në datën 21 mars duam ta mbyllim me qëllimin tonë të 100 mijë pemëve. Ndaj u them të gjithë qytetarëve: nxitoni, mbillni një pemë poshtë pallatit, poshtë shtëpisë, te vendi i punës, në shkollë, në kopësht, në çerdhe, nëpër parqe, kudo ku keni mundësi për t’i dhënë më shumë oksigjen Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, u shpreh se sa më shumë pemë të reja i shtohen qytetit, aq më shumë oksigjen dhe jetë të shëndetshme do të kenë banorët e saj, ndërsa siguroi se nisma të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen. Aksionit për mbjelljen e pemëve të reja në njësinë administrative Krrabë iu bashkuan edhe studentë të Universitetit “Marin Barleti”, Gines R&M, KOKSH, si dhe nxënësit e shkollës “Nobel”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco