I shpëtuari me helikopter: Lashë gruan në katin e dytë me 120 krerë bagëti

I shpëtuari me helikopter: Lashë gruan në katin e dytë me 120 krerë bagëti

09:13, 03/12/2017
A+ Aa A-

Forcat e Ushtrisë evakuuan dje me mjet lundrues një banor të fshatit Fermë, i cili kishte dhënë alarmin që një natë më parë për shkak të problemeve shëndetësore.

Banesa e tij ishte krejtë sisht e përmbytur në katin e parë, ndërsa forcat e Ushtrisë e patën të pamundur fillimisht ndërhyrjen me anë të helikopterit. Për këtë shkak, Enver Aliaj është arritur të nxirret nga banesa e tij trikatëshe në afërsi të shtratit të lumit (afër Urës së Mifolit) pas rreth 1 orë operacion nga Ushtria. Ai theksoi se kishte kërkuar ndihmë pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore, raporton “Panorama”. Ai doli në tarracën e banesës, por helikopteri nuk është ulur dot aq sa për t’i ardhur në ndihmë e për rrjedhojë forcat e Ushtrisë kanë ndërhyrë më pas me mjet lundrues.

Operacioni i shpëtimit të tij përfundoi me sukses, ndërsa ai shpjegoi se ishte detyruar të linte gruan në shtëpi për të ruajtur 120 krerë bagëti. 

Sa orë keni qëndruar i bllokuar?

Kemi dy ditë në këtë gjendje, pasi deri në katin e parë të banesës jemi të mbuluar nga uji. Lartësia arrin më shumë se 1.5 metra, ndaj jemi ndier shumë të rrezikuar. Ne ishim paralajmëruar për rrezikun, por nuk kemi kujt t’ia lëmë shtëpinë, bagëtinë. Shpresuam se mbase nuk do të kishte përmbytje kaq të madhe. Por situata kaloi jashtë çdo parashikimi. Katet e para të të gjitha banesave këtu janë nën ujë.

Ju kur keni kërkuar ndihmë? Patët probleme shëndetësore që iu drejtuat policisë për ndihmë?

Kam kërkuar ndihmë që në mbrëmjen e së premtes. Erdhi edhe helikopteri, por nuk arriti të ulej, ndërsa tani arritën forcat e ushtrisë që me anë të varkës të më nxjerrin nga banesa. Kisha probleme shëndetësore dhe qëndrimi në mes të ujit më rrezikonte shumë, ndaj edhe vendosa të kërkoj ndihmë.

Ju ndodheshit vetëm në shtëpi? Jo, jo, është edhe gruaja ime. Por ajo vendosi të qëndrojë në banesë, pasi nuk mund të linim 120 krerë bagëti vetëm. U detyrova të lë gruan e bagëtinë që i kemi vendosur në katet e sipërme të banesës. Nuk kishim asnjë zgjidhje tjetër, pasi uji vërshoi dhe niveli u rrit shumë shpejt. Na u rrezikuan bagëtitë të mbyteshin, ndaj i vendosëm në katet e sipërme.

Çfarë dëmesh keni deri më tani? Nuk e di …gjithçka është mbuluar nga uji. Më vonë do të shohim se çfarë dëmesh janë shkaktuar. Fatmirësisht nuk ka pasur probleme në njerëz. Për këtë lutemi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco