Meta për ‘La Stampa’: Europa është diagnoza e duhur për minën që po rrezikon Ballkanin

Meta për ‘La Stampa’: Europa është diagnoza e duhur për minën që po rrezikon Ballkanin

20:04, 13/09/2017

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës në Itali, ka dhënë një intervistë për një nga gazetat më të mëdha të vendit fqinj, ‘La Stampa’.

Në këtë intervistë meta ka folur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe rëndësinë e madhe që ka anëtarësimi në BE për venin dhe qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë kreu i shtetit shqiptar ka folur gjithashtu dhe për radikalizmin në Ballkan si dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët.

Intervista e plotë:

1. President, në ç'pikë është procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në ç’pikë janë reformat që keni ndërmarrë?

Presidenti Meta: “Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim, pas zgjedhjeve tona të përgjithshme dhe qeverisë, filluam zbatimin e reformës së re të drejtësisë. Tani shpresojmë që vendimi i BE-së për të hapur negociatat do të vijë sa më shpejt”.

2. Pse është e rëndësishme për Shqipërinë të hyjë në Evropë?

Presidenti Meta: “Sepse ne jemi evropianë, ne jemi një vend dhe një popull evropian. Për shumë dekada kemi qenë një nga vendet më të izoluara në botë dhe natyrisht më të izoluarit në Evropë. Aspiratat e vendit për një të ardhme evropiane është ende shumë e fortë dhe popullore. Ne dëshirojmë një të ardhme prosperiteti dhe paqeje për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin dhe e vetmja gjë që mund të na bashkojë në bashkëpunimin e ardhshëm është perspektiva e përbashkët evropiane. Evropa është perspektiva e përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit. Nëse kjo perspektivë do të dështonte, vendet tona do zhyteshin si në të kaluarën në problemet e vjetra të nacionalizmit dhe kufijtë mes shteteve, duke u kthyer në një të kaluar që nuk ishte aq paqësore. Ky argument dëshmon edhe rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të integrimit tonë.”

3. Sipas një studimi të Transparency International të vitit 2016, Shqipëria është e treta në Evropë për shkallën e korrupsionit të klasës së saj politike. Ndër reformat më të rëndësishme të iniciuara nga qeveria e Tiranës në kuadrin e anëtarësimit në BE është edhe ajo e Drejtësisë: Çfarë po bëni konkretisht dhe çfarë në veçanti në lidhje me korrupsionin?

Presidenti Meta: “Unë besoj se korrupsioni duhet të luftohet përmes sistemit gjyqësor të vendit. Për këtë arsye, sistemi gjyqësor duhet të jetë me integritet dhe i besueshëm. Dhe reforma jonë filloi nga verifikimi i figurave të sistemit të drejtësisë, prokurorëve, zëvendësprokurorëve, gjyqtarëve. Është një reformë e fortë që shkon në drejtim të transparencës dhe mbështetet fuqishëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, por dhe nga shoqëria civile dhe mediat. Ne shpresojmë që me zbatimin e verifikimit, tashmë të filluar, së shpejti do të kemi institucione të forta dhe të besueshme në luftën kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të paligjshme në vend. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të forcojmë ligjin dhe institucionet, por gjithashtu do të krijojmë një mjedis të mirë biznesi për investimet e huaja”.

4. Shqipëria është një kolonë e NATO-s në Ballkan. Shumë tregues sugjerojnë se rajoni po përjeton një fazë të radikalizimit të fortë islamik, në Bosnje, Kosovë dhe në vetë Shqipërinë. Këtë verë isha në Shkodër, në veri, dhe disa mësues katolikë më thanë se po përjetojnë një tension të ri dhe deri tani të panjohur nga ana e studentëve myslimanë. Çfarë po bën Shqipëria për të mbajtur nën kontroll rizgjimin fetar me vokacion xhihadist?

Presidenti Meta: “Së pari, fenomeni i radikalizimit të të rinjve nuk ka të bëjë vetëm me vendet ku jetojnë myslimanët. Është një fenomen që po zgjerohet edhe në vendet shumë të zhvilluara të BE-së. Ne jemi në një moment të rëndësishëm në të cilin ndodhin fakte dhe keqdashje për ata që duan të përdorin fenë për qëllime të tjera. Por unë mendoj se Shqipëria nuk është vendi ku kjo dukuri është shqetësuese. Kemi një harmoni dhe bashkëjetesë fetare që na dallon, por kjo harmoni dhe bashkëjetesë duhet të ruhen në të ardhmen me përkushtim, sepse nuk është një dhuratë e garantuar përgjithmonë. Presim që dikush që do të përpiqet ta sulmojë këtë bashkëjetesë, por ne gjithashtu e dimë se kjo është një bashkëjetesë e fortë dhe e qëndrueshme. Me pak fjalë, nuk vërej shqetësime serioze. Është e qartë se kemi një bashkëpunim të madh në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht me Italinë. Ne e dimë se siguria juaj është siguria jonë dhe se terrorizmi nuk është problem i kufizuar në zonën e Adriatikut, por i përhapur në të gjithë Mesdheun, është një fenomen i ri që u rrit shumë mbas “pranverave arabe”. Është një provë e rëndësishme e BE-së për stabilitetin e rajoneve fqinje”.

5. Shqipëria dhe Italia kanë një marrëdhënie historike e të konsoliduar. Në ç’mënyrë po bashkëpunojnë Tirana dhe Roma në luftën kundër terrorizmit xhihadist, pasi gjurmët e radikalizimit të disa xhihadistëve italianë, siç është Maria Giulia Sergio, çuan në Shqipëri në rrugën e një rrjeti të rekrutimit në të cilin u përfshi, midis të tjerëve, imami Bujar Hysa, i cili tashmë ndodhet në burg? Si e monitoroni, pas mbylljes së rrugës ballkanike dhe pjesërisht të asaj libiane, që të mos rinisë trafikimi i emigrantëve përgjatë rrugës së Adriatikut dhe, përmes këtij trafiku, edhe infiltrimi i terroristëve të mundshëm xhihadistë?

Presidenti Meta: “Destabilizimi i Sirisë, Libisë dhe vendeve të tjera të rajonit ka krijuar një valë të madhe migrimi në BE. Ballkani ishte një nga rrugët kryesore. Shqipëria është zotuar të japë kontributin e saj modest dhe për këtë ka punuar mirë dhe ngushtësisht edheme vendet fqinje, veçanërisht me Italinë. Ne ishim të vetëdijshëm se nëse emigrantët do të vinin tek ne, ata do të na përdorin si një urë për të kaluar. Kjo është arsyeja pse ne kemi filluar një partneritet të fortë me Frontex-in dhe kemi një mision të tyre në kufijtë tanë. Numri i emigrantëve që hyjnë në Shqipëri është shumë i vogël dhe ne kurrë nuk kemi regjistruar raste kur jemi përdorur si urë. Bashkëpunimi me Italinë ka qenë i shkëlqyer.”

6. Ju jeni presidenti i shtatë i Shqipërisë postkomuniste. Çfarë ka mbetur nga komunizmi në vendin tuaj, për të cilin hyrja në tregun global ka përjetuar rritjen grduale të PBB-së, por edhe numrin e të papunëve dhe familjeve të varfëra?

Presidenti Meta: “Nuk ka dyshim se përveç ndryshimit të madh në të cilin jemi protagonistë, ne ende kemi probleme sociale dhe ekonomike. Në vitet '90-të nuk ishim vetëm një vend me pesëdhjetë vite prapambetje të trashëguar nga komunizmi, por kishim hasur edhe probleme të mëparshme. Shqipëria ka një potencial ekonomik për zhvillimsi dhe për një të ardhme më të mirë. Duhet të lëvizim në mënyrë që indeksi i rritjes ekonomike të ndihmojë edhe familjet në vështirësi. Ne do të bëjmë më shumë për arsimiminsi dhe për zhvillimin e tyre. Të thuash se po mundësojmë një ndryshim të madh, nuk do të thotë të mohojmë problemet ekzistuese.”

7. Po sikur proçesi i pranimit në BE të tejzgjatet? A keni frikë se brezat e rinj shqiptarë do të zhgënjehen, ashtu siç ndodhi në Turqi?

Presidenti Meta: “Nuk do të jetë i tillë rasti shqiptar, ne do donim të ishim gjithmonë porta e Evropës. Natyrisht, ka pak pakënaqësi për faktin se pretendohet për më shumë shpejtësi, por gjithkush i kupton vështirësitë objektive. Dhe problematikat me të cilat po përballohet Evropa në këto vite nuk ndihmojnë: kriza ekonomike, migrimi, terrorizmi. Gjithsesi Evropa është aspirata jonë e vetme.”

8. Islami shqiptar, që ka kaluar përmes ateizmit shtetëror të Hoxhës, është tradicionalisht më “laik” dhe “perëndimor” sesa islami tjetër rajonal. Çfarë ka ndodhur që në dhjetë vitet e fundit është shfaqur edhe në mesin e të rinjve shqiptarë shtysa xhihadiste?

Presidenti Meta: “Unë besoj se bashkëjetesa ndërfetare dhe harmonia kanë qenë historikisht të forta në Shqipëri dhe kanë garantuar mbijetesën e kombit tonë më shumë se njëqind vjet më parë. Është e vërtetë se komunizmi ka goditur rëndë të gjitha bashkësitë tona fetare, por për 25 vjet ne kemi përjetuar procesin e kundërt: kthimin e e lirisë tek njerëzit, duke përfshirë këtu edhe atë fetare. Por për Shqipërinë demokratike kjo nuk përbën asnjë rrezik. Unë mendoj se rreziqet nuk vijnë nga fetë, por nga keqpërdorimi, ose manipulimi i feve. Duhet t’u kushtojmë vëmendje shtresave sociale dhe zonave më të dobëta të vendit për të dhënë arsim më të mirë, perspektiva dhe shpresë më të mirë profesionale, sepse ata që kanë shpresë, nuk bien viktimë e asnjë grupi radikal.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment