Haki Çako paralajmëron vartësit: Asnjë tolerim për policët e përfshirë në kultivimin e kanabisit

Haki Çako paralajmëron vartësit: Asnjë tolerim për policët e përfshirë në kultivimin e kanabisit

16:20, 28/03/2017
A+ Aa A-

Policia e Shtetit ka nisur punën për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, duke zhvilluar konferenca rajonale në të gjitha qarqet.

Në kuadër të këtyre takimeve, drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut dhe me praninë e përfaqësuesve të pushtetit lokal, kryepleqve të fshatrave, përfaqësuesve të institucioneve, drejtuesve të Policisë së Qarkut Shkodër, si dhe Specialistëve të Policisë së Zonave .

Kreu i policisë theksoi se do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në çdo sipërfaqe toke që vjet kanë qenë të kultivuara me lëndë narkotike kanabis sativa.

“Për ta parandaluar këtë fenomen që në embrion,  sivjet ne kemi filluar që në fillim të vitit me masa radikale dhe maksimale.  Çdo punonjës policie ka marrë përgjegjësitë e veta, por edhe çdo strukturë dhe ­çdo drejtues policie ka marrë përgjegjësitë e veta të përcjella qartazi, me një mesazh të qartë nga Kryeministri i Shqipërisë, nga Ministri i Punëve të Brendshme, nga Drejtori i Policisë se kjo punë ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Kjo përgjegjësi sa do të jetë përgjegjësi institucionale për këdo, do të jetë edhe përgjegjësi personale, pse jo edhe familjare.

Ka një precedent të krijuar pozitiv, i cili bën të përgjegjshëm çdo punonjës policie, i cili me vetëdeklarimin e tij, do të marrë përsipër të pasqyrojë integritetin e vet në raport me një nga misionet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit që është lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, por jo vetëm përgjegjësinë për vetveten, por edhe përgjegjësinë për të gjithë familjarët, dhe duhet të përcjellim përgjegjësinë, se çdo shkelje e ligjit e një familjari, është dhe përgjegjësi e një punonjësi policie në mënyrë të veçantë, i cili përpara se të jetë punonjës policie, është një qytetar, i cili duhet ta ndiejë përgjegjësinë e një bare dhe një shkelje të tillë të ligjit. Çdo pëllëmbë toke, çdo sipërfaqe e kultivuar ose e identifikuar në mënyrë të proceduar gjatë viteve të kaluara, do të bëhet objekt i një kontrolli intensiv të pashkëputur nga të gjitha strukturat e Policisë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Duke marrë shkas nga implikimi i policëve në kultivimin e kanabisit, kryepolici Haki Çako ka paralajmëruar të gjithë punonjësit e policisë se nuk do të ketë tolerime për asnjë oficer që zbulohet i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Po kështu, ndëshkime të ashpra do të ketë edhe për ata punonjës policie që me mosveprimet e tyre tolerojnë apo lejojnë kultivimin e drogës në vend.

“Shumica jonë e ka mëse të qartë se prej vitesh të tëra, shumë individë, shpeshherë mbarten me rekorde kriminale për shkak të ndodhjes ose implikimit në veprimtari të paligjshme, sikurse është kultivimi apo trafikimi i lëndëve narkotike.

Nuk po diskutoj për punonjësit e Policisë të cilët e kanë marrë mesazhin në mënyrë kategorike. Çdo punonjës Policie, i cili jo vetëm që nuk përcjell informacion, jo vetëm që nuk reagon, por me inaktivitetitin e tij mund të sjellë pasoja të tilla që lejon ose toleron kultivimin, pa vënë në dyshim pastaj individë ose punonjës policie të cilët me ndërgjegje bëhen pjesë e implikimit dhe pjesë e organizatave të strukturuara kriminale, nuk kanë vend në polici dhe ashtu sikurse e përmendi edhe sot Ministri i Punëve të Brendshme, do t'i nënshtrohen të gjithë "Vettingut", si një nga detyrat kryesore që është çështja e integritetit”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako. /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco