SYRI TV/ Reporterë pa kufij për lirinë e medias, gazetarët përballen me sulme politike

13:31, 03/05/2024

Shqipëria është vendi I fundit në rajon dhe Europë përsa i përket gjëndjes së lirisë së shtypit. Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar indeksin vjetor të lirisë së shtypit ku vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore të njëanshme. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar. Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale duke politizuar rregullatoret e medias apo duke emëruar në krye të medias publike, siç është rasti i Radio Televizionit Shqiptar, një aleat të partisë në pushtet. Gazetarët kritikë shpesh u nënshtrohen sulmeve të krijuara për t'i diskredituar ata nga të dyja palët politike, dhe kanë vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet shtetërore, aksesi në të cilin mund të kufizohet edhe më shumë nga një centralizim i fundit i komunikimeve qeveritare.

 

Raporti thekson se mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve dhe përpjekjet politike për diskriminimin e tyre mund të inkurajojnë sulme të tjera.

 Gazetarët që mbulojnë demonstratat dhe operacionet policore ndonjëherë janë viktima të dhunës policore. Por krimi i organizuar përfaqëson një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve. Megjithëse policia kohët e fundit ndërmori hapa për të hetuar sulmet kundër gazetarëve, mosndëshkimi për këto krime, i kombinuar me përpjekjet politike për të diskredituar gazetarët, ka krijuar një klimë që ka të ngjarë të inkurajojë sulme të mëtejshme.

 

 

Raporti evidenton rastin e gazetarit Elton Qyno të cilit ju sekuestruan materialet nga prokuroria duke shënuar një shpërfillje të angazhimeve ligjore ndërkombëtare që lidhen me mbrojtjen e konfidencialitetit të burimeve. Po kështu përmendet edhe sulmi me armë ndaj selisë së Top Channel ku mbeti i vrarë një roje sigurie.

 

Raporti thekson se pronësia e pjesës më të madhe të peizazhit mediatik shqiptar është e përqendruar në duart e vetëm katër ose pesë kompanive. Financimi shtetëror përfaqëson një burim kryesor të të ardhurave për median, por shpërndarja e tij e errët dhe diskriminuese ngre dyshime për shitje influence, thekson raporti.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” thekson se liria e shtypit po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco