Valvulë Sigurie për Kosovën

Valvulë Sigurie për Kosovën

Nga Shqiprim Pula - 10/05/2024

Nga Shqiprim Pula

Dikur e drejta zakonore i njihte dhe konsideronte sjelljet e shteteve si doktrinë, siç i njeh edhe e drejta ndërkombëtare publike sot. Doktrinat, kryesisht u zhvilluan nga e drejta ndërkombëtare zakonore. 

Nisur nga praktika e doktrinat shtetërore, janë krijuar parimet fundamentale si 'Pacta Sunt Servanda' që nënkupton se marrëveshjet duhet të respektohen si ligj për palët, dhe 'Rebus Sic Stantibus' që nënkupton se marrëveshjet mund të pezullohen, anulohen, përfundohen apo tërhiqen prej saj. Këtë parim, si valvulë sigurie, e njeh edhe Konventa e Vjenës mbi Marrëveshjet-Traktatet, e 1969-tës.

Padyshim, të aplikuarit e 'Rebus Sic Stantibus' si valvulë sigurie, paraqet një kuptim kompleks, por thirrja në argumentim ligjor dhe pragmatik politik, me konsideratë duhet edhe për Kosovën. 

Si doktrinë e hershme qysh nga e drejta zakonore, shteteve për një marrëveshje apo traktat, u njihet e drejta që për shkak të ndryshimeve e rrethanave politike rrënjësisht të ndryshme nga ato të momentit të lidhjes së marrëveshjes, shteti ka të drejtë t'a pezulloj, anuloj, përfundoj apo të tërhiqet prej saj.

Pra, u mundëson shteteve si palë nëshkruese, një përjashtim të drejtë për t'i ndihmuar në rirregullim të detyrimeve ligjore për shkak të ngjarjeve të shpeshta apo të rënda, që e bëjnë vazhdimin e respektimit të marrëveshjes edhe të padrejtë juridikisht e politikisht. 

Doktrina 'Rebus Sic Stantibus' si valvulë sigurie, është e pranuar si shmangie apo si mosrespektim, nga parimi i përgjithshëm 'Pacta Sunt Servanda'; mbase të kuptuarit e marrëdhënies ndërmjet këtyre dy doktrinave është gurthemeli i zgjidhjes së marrëveshjeve apo traktateve në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përcaktuar se shtetet kanë arritur dakordësi për marrëveshje të tyre për të promovuar stabilitet dhe besueshmëri me detyrime ligjore, e në veçanti, kur palët janë shtete fqinje sikurse në rastin e Kosovës dhe Serbisë.

Doktrina 'Rebus Sic Stantibus' i mundëson Kuvendit Republikan që për shkak të ngjarjeve të rënda e të përsëritura politike, e edhe të agresionit ushtarak nga ana e Serbisë, t'a ndryshoj rrënjësisht thelbin e marrëveshjes (ve) duke vendos interesa të pabarabartë dhe të dëmshme, si zhvillime shkatëruese të rregullimit shtetëror dhe unitar të Republikës së Kosovës. Andaj, thirrja në pretendimin ligjor e politik të jetësimit të kësaj valvulë sigurie, është për domosdoshmërinë e frymës së drejtësisë. 

Në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare mund t'i referohemi përcaktimeve të së drejtës zakonore dhe ndërkombëtare publike mbi detyrimet e zbatimit dhe të drejtën mbi pezullimin, anulimin, përfundimin apo tërheqjen nga marrëveshja me argumentimin se nuk jemi të detyruar t'a zbatojmë marrëveshjen (19 Prill, 2013) duke e shfuqizuar pjesërisht apo në tërrësinë e saj; dhe dakordimin e shprehur publik për marrëveshje (27 Shkurt, 2023) sepse, mungojnë pritshmëritë fillestare dhe se rrënjësisht janë transformuar rrethanat politike e të sigurisë, për t'i vënë theksin fushatës kundër njohjeve dhe anëtarësimeve të Kosovës në organizma ndërkombëtar; tek rëmbimi i dy zyrtarëve policor në Komunën e Podujevës nga xhandarmëria e Serbisë, e mëpas rëmbimi i tre zyrtarëve policor kufitar patrollues në Komunën e Leposaviçit; e duke kulmuar me agresion ushtarak Serb më 24 Shtator, 2023 kundër rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës; të krijuara nga pala Serbe si rrethana të paparashikuara nga pala e Kosovës, rrethana këto, thelbësisht të ndryshme nga koha kur është lidhur marrëveshja.

Prandaj, mbi këto premisa, deklarimi i mëtejmë për zbatim të marrëveshjes (ve) është bërë i rënduar, i vështirë edhe i rrezikshëm, me naracionin "normalizim marrëdhëniesh". 

Doktrina 'Rebus Sic Stantibus' ka një hershmëri prej shekujsh tek traditat ligjore, që ka përcaktuar histori në marrëdhëniet ndërkombëtare e deri tek vendime arbitrazhi që e kanë njohur e zbatuar këtë doktrinë si ligj zakonor. Madje sot, kjo doktrinë është pjesë e shumë jurisdiksioneve të shteteve ndërlidhur me të drejtën ndërkombëtare publike, civile e kontraktuale.

Kështu që, duke i konsideruar si të përmbushura kriteret e 'Rebus Sic Stantibus', mund t'a rishikojmë marrëveshjen apo t'a shfuqizojmë si detyrim të një anëshëm, që i kërkohet shtetit të Kosovës.

Të panumërta kanë qenë rastet që janë studiuar në marrëdhëniet ndërkombëtare që është shfrytëzuar kjo doktrinë e së drejtë ndërkombëtare, disa si në vijim; shtete të Amerikës Latine janë tërhequr nga disa marrëveshje përgjatë viteve 1930 si rezultat e Depresionit të Madh në ShBA;, tërheqja nga disa marrëveshje nga ana e Norvegjisë dhe Suedisë si rezultat i transformimeve politike nga Lufta e Parë Botërore;, shfuqizimi dhe tërheqja e Gjermanisë nga detyrime të Traktati i Versajës pas Luftës së Parë Botërore;, marrëveshja e Londrës e 1915 për pavarësinë e Armenisë u pezullua dhe shfuqizua me marrëveshjen e Lozanës;, apo marrëveshja Clayton - Bulwer e 1919 ndërmjet ShBA dhe Mbretëri e Bashkuar u shfuqizua duke u thirrur në 'Rebus Sic Stantibus'. 

Republika e Kosovës u ftua të filloj një proces dialogu që në Mars 2011 dhe më 19 Prill, 2013 në Bruksel u nënshkrua dokumenti prej pesëmbëdhjetë (15) pikash, gjashtë (6) prej tyre, për Bashkësinë e Komunave Serbe ("zajednicën") e cila në tregun politik vendor, u shit si 'marrëveshje ndërkombëtare' mbi arsyen se Prishtina politike, përkatësisht qeveria atëherë, kishte nxjerr vendim (Ref; Nr.1/126) e në po të njëjtën ditë është votuar një rezolutë (Ref; Nr.04-R-10) me shumicë votash në Kuvendin Republikan si mbështetje të kësaj 'marrëveshje' dhe më pas më 27 Qershor, 2013 Kuvendi Republikan miraton Ligj (Ref; Nr. 04/L-199) mbi Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë - Serbi; që do të krijonin obligime shtetërore për Kosovën, veprime këto të njëanëshme, pra, vetëm nga pala jonë, duke i shkelur kështu postulatet fundamentale mbi marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me tekst identik dhe veprime procedurale analoge ndërmjet shteteve si palë nënshkruese; e poashtu, njëra palë nuk mundet njëanshëm të mungoj apo shtoj ndonjë klausolë.

Prandaj dhe, Prishtina politike përkatësisht Kuvendi Republikan t'a zbatoj 'Rebus Sic Stantibus' si praktikë ligjore, për t'i shpëtuar detyrimeve të ligjit në fuqi. 

Dialogimi me naracionin "normalizim marrëdhëniesh" është bërë edhe më i rënduar, edhe më i vështirë edhe më i rrezikshëm, sepse pa një Serbi të normalizuar NUK ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, e pa Serbi të normalizuar NUK ka as paqe e siguri të rajonit.

Çfarë i duhet këtij procesi për një paqe të përhershme dhe fqinjësi, përmes emisarëve të rrinjë për këtë proces është të transformohet konteksti i dialogut që do të shpiente në një marrëveshje paqeje sikurse ai ndërmjet Sllovenisë e Jugosllavisë (Serbisë) i arritur në Korrik 1991 në Brijone, apo ai ndërmjet Kroacisë dhe Jugosllavisë (Serbisë) i arritur në Gusht 1996 që do të garantonte njohjen e ndërsjelltë (të paktën përfaqësim diplomatik në nivel ambasadash), kthimin e të pagjeturve, dëmet e luftës dhe dëmshpërblimin e viktimave të luftës, për të arritur normalizimin e marrëdhënieve si dy shtete fqinje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco