SYRI TV/ BE kundër kërkesës së prokurorëve të SPAK, nuk mbështet zgjatjen e mandatit

13:15, 03/05/2024

Bashkimi Europian del kundër zgjatjes së mandatit për prokurorët e SPAK, një kërkesë kjo e Altin Dumanit dhe prokurorëve të këtij institucioni. Në një sugjerim dërguar Kuvendit, delegacioni i BE del kundër kësaj kërkesë, ndërsa sugjeron emërimin e tyre në Apel. Ky qëndrim i BE vjen në një kohë, kur SPAK ka qenë në qendër të kritikave për shkak të standardeve të shumëfishta në hetime, arrestimet pa prova të liderëve të opozitës apo zvarritjes së dosjeve të korrupsionit për drejtuesit e mazhorancës socialiste

SYRI TV

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë duket se nuk e përkrah qëndrimin në detyrë të prokurorëve të SPAK-ut përtej mandatit 9-vjeçar. Në një raport sugjerues për ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë drejtuar Parlamentit, zyra e BE-së limitohet vetëm në faktin se prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion të emërohen në nivel Apeli në fund të mandatit të tyre.

“Është e arsyeshme që prokurorët specialë në fund të mandatit të tyre të caktohen në nivelin e apelit, meqenëse ata mbulojnë shkallën e parë dhe apelin”, thuhet në dokumentin sugjerues të Delegacionit të Bashkimit Europian drejtuar Kuvendit.

Më herët, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ashtu si edhe paraardhësi i tij, Arben Kraja, kanë kërkuar nga Parlamenti që të amendojë ligjin dhe të shtojë kohëzgjatjen e mandatit të tyre në institucionin e specializuar hetimore.

Por, Bashkimi Europian nuk e vendos aspak në diskutim këtë çështje.

Ky qëndrim i ftohtë i përfaqësuesve të Brukselit vjen në një kohë kur prokurorët e SPAK janë në qendër të kritikave për standard të dyfishta, apo probleme në punën e tyre hetimore.

Kërkesa për zgjatjen e mandatit u bë edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit në KLP, kur edhe lëshoi deklaratën “afërmendsh” gjykata vendosi siç kërkon SPAK.

Gjithashtu kritika ka pasur edhe për hetimet apo masën e arrestit për liderin e opozitës Sali Berisha, në një kohë kur nuk ka ende asnjë provë për t’i ngritur akuzë kryedemokratit dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Por nga ana tjetër, shumë dosje flagrante të eksponentëve të lartë të mazhorancës, përfshirë skandalet e qeverisë dhe bashkisë vijojnë zvarritjet dhe pa akuza konkrete për këta personazhe, ndër të cilat janë edhe afera e inceneratorëve apo dosja “5 D” e drejtorëve të Erion Veliajt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco