Gara për Bashkinë e Tiranës: Fatbardh Kadilli vetofrohet si kandidat i opozitës

Gara për Bashkinë e Tiranës: Fatbardh Kadilli vetofrohet si kandidat i opozitës

13:25, 16/07/2022

“Ky është momenti Bardhi, që ti ose të pohosh Krishtin, ose të mohosh Satanin!”-  Me të tilla nota humoristike, e pyeti  Arian Çani mbrëmjen e djeshme në “Zonë e Lirë”, ish-deputetin demokrat Fatbardh Kadilli “nëse ishte e vërtetë se ti pritesh të jesh sipas gojëdhënave “moderne”, kandidat për kryetar bashkie i Partisë Demokratike në Tiranë, sfidant i zotit Erion Veliaj? A është e vërtetë apo jo?!”

Dhe përgjigja e zotit Fatbardh Kadilli ishte:

“Është e vërtetë që kam kohë, që jam konsultuar me miq të mi në media, me njerëz që kanë interes politik , e kam konsultuar mundësinë e kandidimit si përfaqësues i opozitës përballë Erion Veliajt apo kushdo të jetë nga Partia Socialiste, për garën e bashkisë.  Deri tani ka qenë një konsultim miqsh.

Çani: Pyetja ime është a e ke konsultuar me njeriun kryesor në PD, që quhet Sali Berisha?

Kadilli:  Jo, nuk e kam konsultuar me z. Berisha. Siç e thashë dhe pak më parë, konsultimi im ka qenë me miq, me kolegë politikë, me njerëz të medias, njerëz që kanë interes për zhvillimet e opozitës...

Çani: Po me ndërkombëtarë?

Kadilli: Nuk e kam bërë politikanët nga ndërkombëtarët asnjëherë. Natyrisht që janë faktorë, por jo për këtë projekt që kam unë. Po, unë i kam raportet e duhura, por nuk janë ato raporte që përcaktojnë karrierën politike në Shqipëri. Nuk e kam mbivlerësuar kurrë këtë lloj raporti. Në këtë që flasim, realisht e kam konsideruar dhe kam gatishmërinë dhe veten, dhe emrin tim në dispozicion të një projekti për gjithë opozitën,  për t’u përballur opozita me pushtetin në Tiranë.  Natyrisht, sepse pyete për Berishën...

Çani: Ai është kryetari i Partisë...

Kadilli: Patjetër! Unë besoj se ky projekt që unë synoj të ngre, natyrisht do të ketë besoj edhe mbështetjen e Berishës. Besoj! Por kjo mbetet, ai do të shprehet në momentin e tij, në momentin e duhur.

Çani: Nëse ti merr mbështetjen e Berishës, Bardhi, ke shanse të fitosh përballë nje njeriu që duhet thënë është tmerrësisht i fuqishëm? Ky është mandati i dytë i Veliajt.

Kadilli: Përpara se të shkojmë tek gara, projekti politik që unë synoj të ngjiz është që e gjithë opozita të jetë e bashkuar. E shoh veten si një faktor bashkimi në një projekt ku gjithë opozita e di kush është Fatbardh Kadilli, ku qëndron politikisht, sa luajal ka qenë me forcën e vet politike dhe sa kritik me lidershipin, qoftë me Bashën qoftë me Berishën, sa luajal ka qenë me qytetarin dhe pse është në opozitë. Në të gjitha këto aspekte, unë besoj se arrij të ngjiz diçka. Ky është projekti.

Çani: Pra, do të jesh antimodeli i Erion Veliaj?

Kadilli: Në mënyrë absolute. Njeri më të thjeshtë se të bësh antimodelin e Erionit nuk ka. Prandaj them, peshën e vendos në radhë të parë ngjizjes së një projekti të gjithë opozitës për të qenë projekt fitues. Sepse antimodeli i Erion Veliajt mjaft të jesh një njeri i ndershëm dhe i vërtetë dhe të mos jesh produkt i të tjerëve por produkt i vetes. Të tria këto bëjnë dallim menjeherë me të, por të mos hyjmë që tani në fushatë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco