Sondazhi/ Berisha apo Basha, kë preferojnë shqiptarët? Berisha mund thellë Bashën

22:45, 14/02/2022

Lideri historik i demokratëve Sali Berisha ka mundur thellë kryetarin e shkarkuar të Partisë Demokratike, bazuar në gjetjet e sondazhit të kompanisë italiane ‘Euromedia Research’. Mbështetja në radhët e zgjedhësve të Partisë Demokratike është 3 herë më e lartë për ish-kryeministrin Berisha krahasuar me Lulzim Bashën. Nga sondazhi del se deputeti Basha preferohet më shumë se Berisha, vetëm nga votuesit e Partisë Socialiste   

SYRI TV

Syri Televizon ka porositur një sondazh pranë kompanisë italiane ‘Euromedia Research’ për të matur shkallën e mbështetjes që gëzojnë lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kryetari i shkarkuar i kësaj partie Lulzim Basha.

Sondazhi është kryer nga ekspertja italiane Alessandra Paola Ghislieri, e cila është mjaft e njohur në Itali për faktin se kryen sondazhet për llogari të ish-kryeministrit Italian Silvio Berlusconi.

Të dhënat e këtij sondazhi u publikuan gjatë emisionit Çim Peka Live në Syri Televizion.

Për realizimin e këtij sondazhi janë zhvilluar 1 mijë intervista me qytetarë të cilët kanë bindje të ndryshme politike.

Bazuar tek gjetjet e këtij sondazhi ish-kryeministri Sali Berisha ka një avantazh të thelle sa i përket mbështetjes krahasuar me deputetin Lulzim Basha.

Mbështetja e zotit Berisha është 3 herë më e madhe në radhët e mbështetësve të PD.

Bie në sy fakti që Lulzim Basha është i preferuar nga individët e intervistuar të cilët janë votues të Partise Socialiste.

Më konkretisht qytetarët janë ftuar të japin mendimet e tyre pozitive për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

Në nivel kombëtar 37.5 % kanë mendim pozitiv për Berishën, krahasuar me 18.7% për Bashën.

Image

Nga zgjedhësit e Partisë Demokratike 73.5 % kanë mendim pozitiv për Berishën kundrejt 25% për Bashën.

Nga zgjedhësit e PS 13.6 % kanë mendim pozitiv për Berishën ndërsa për Bashën 19%.

Nga zgjedhësit e LSI 42.2 % për Berishën kundrejt 7.5% për Bashën.

Nga zgjedhësit e partive të tjera 51.7 % për Berishën kundrejt 3.4%  për Bashën.

Ndërsa nga të pavendosurit dhe zgjedhësit abstenues 24.6 për Berishën dhe 14 % për Bashën.

Të intervistuarit janë ftuar që të shprehin me një fjalë të vetme cila është pika e fortë dhe e dobët në Partinë Demokratike.

Në përgjigjet e tyre lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha konsiderohet pikë e fortë për Partinë Demokratike ndërsa përçarja cilësohet prej tyre si pikë e dobët.

Image

Të pyetur në mënyrë direkte se cilën rrymë politike mbështesni, të Sali Berishës apo të Lulzim Bashës, të intervistuarit përgjigjen si më poshtë.

Image

Të pyetur se çfarë i trembeni më shumë apo cila është frika juaj më e madhe, të intervistuarit renditin si problemet më të mëdha Varfërinë dhe Papunësinë.

Image

Vetë ekspertja italiane Alesandra Ghislieri, e ftuar në emisionin Çim Peka Live shpjegoi metodologjinë e ndjekur për realizimin e këtij sondazhi.

Zonja Ghislieri tha se nga gjetjet e sondazhit, mbështetja për zotin Berisha në radhët e Partisë Demokratike është disa herë më e lartë se sa ajo për Lulzim Bashën, ndërkohë që Basha preferohet më shumë në radhët e socialistëve.  

Gjetjet e këtij sondazhi u komentuan në studio nga diplomati Agim Nesho si dhe nga analistët Adri Nurellari dhe Enton Abilekaj.                 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco