VIDEO - SYRI TV/ 522 apartamentet e Erdogan janë bosh, banorët: Kemi marrë letrat, jo çelësat

VIDEO - SYRI TV/ 522 apartamentet e Erdogan janë bosh, banorët: Kemi marrë letrat, jo çelësat

17:24, 08/02/2022

Afro një muaj më parë, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan së bashku me kryeministrin Edi Rama inaguruan mbi 500 banesa që do t'u shpërndaheshin familjeve të prekura nga tërmeti. Por edhe sot, pas një muaji ato banesa nuk u janë dhënë familjeve për shkak të burokracive. Por jo vetëm kaq, edhe 4 çelësat që iu dhanë në mënyrë simbolike banorëve, ua morën sërish sapo Erdogan u largua nga Kurbini.

SYRI TV

 

522 apartamentet e bllokut të pallateve të ndërtuar nga qeveria turke në Kurbin vijojnë të jenë bosh, ndonëse do të duhej që në to familjet të ishin futur para fundit të vitit 2021.

Qytetarët ende nuk e dinë se kur do të futen në banesat e reja, ndërkohë që tregojnë se edhe katër familjet, të cilat u pajisjën me shtëpi në 17 janar dhe u vizituan nga presidenti turk, i kanë kthyer përsëri mbrapsht çelësat pa u dhënë shpjegim.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara e justifikon vonesën e shpërndarjes së apartamenteve me procedurat, pasi sipas saj pritet një vendim i Këshillit të Ministrave për shpërndarjen e banesave.

Pas marrjes në dorëzim të lagjes së re dhe inventarizimit të të gjithë pronës nga donatori qeveria turke tek Enti Kombëtar i Banesave, ky i fundit ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Rindërtimit gjithë dokumentacionin përkatës dhe më pas ky Komision ka marrë Vendimin, me të cilin i kërkon Këshillit të Ministrave kalimin në pronësi të gjithë apartamenteve Bashkisë Kurbin.

Për këtë çështje, ditën e mërkurë, datë 9 Shkurt 2022, Këshilli i Ministrave merr vendim për kalimin e të drejtave mbi këtë pronë tek Bashkia Kurbin. Vetëm pas daljes së këtij vendimi, Bashkia Kurbin bën dorëzimin e çelësave të apartamenteve tek banorët përfitues sipas listave të dala nga shorti publik.

Por pavarësisht pritjes, këta qytetarë mund të cilësohen fatlum pasi do të marrin një banesë të re, ndërkohë që ka dhe të tjerë banorë, si Gjyste Gega që deri tani nuk kanë përfituar nga rindërtimi por nuk kanë marrë as bonus qiraje.

Apartamentet e reja në Laç u ndërtuan me donacion të qeverisë turke, të cilat u inauguruan në datën 17 janar nga Presidenti turk, Erdogan.

Gazetar: Martin Marku

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco