Ndarja nga jeta të 4 ikonave të Erzenit, Duka me mesazh ngushëllimi

Ndarja nga jeta të 4 ikonave të Erzenit, Duka me mesazh ngushëllimi

10:11, 14/03/2021

Ka qenë një ditë e trishtë ajo e djeshmja për sportin shqiptar dhe në veçanti për klubin e Erzenit. Katër ish-futbollistë të shijakasve u ndanë nga jeta, teksa bëhet fjalë për Sabri Peqinin, Enver Dritën, Hysen Varosin dhe Lulzim Alia. Në lidhje me këtë çast të vështirë ka reaguar edhe presidenti Armand Duka duke dhënë mesazhin e tij të ngushëllimit.

“Kjo e shtunë e 13 marsit na solli kaq shumë lajme të kobshme njëherësh në një koincidencë tragjike. Katër ish-futbollistë të njohur Erzenit janë ndarë sot nga jeta, që të katërt personalitete të padiskutueshme, që kanë bërë histori e që do të mbahen mend gjatë nga sportdashësit shijakas.

Legjenda Sabri Peqini u nda sot nga jeta në moshën 94-vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Ai e nisi karrierën e tij me klubin e Erzenit për t’i ngjitur shkallët e suksesit me shpejtësi e për t’u shpallur më pas disa herë kampion me Dinamon e viteve ‘50. Gjithashtu, Peqini luajti edhe me Kombëtaren shqiptare e më vonë do jepte kontributin e tij si trajner. Një figurë e padiskutueshme e futbollit shqiptar e një mik i mirë, që do të na mungojë shumë të gjithëve!

Enver Drita, një tjetër ish-futbollist i Erzenit u largua nga kjo jetë në moshën 85-vjeçare, por sportdashësve shijakase u ka lënë kujtime e mbresa mjaft të bukura me paraqitjet e tij në fushë. Përveçse një futbollisti virtuoz, ai është pjesë e historisë edhe për faktin se është një nga lojtarët më “fair-play” të futbollit shqiptar. Enveri ishte njeri që mbartte vetëm energji pozitive dhe një sportist model në fushë e jashtë saj.

Jo më pak i rëndësishëm për Erzenin ka qenë edhe Hysen Varosi, i cili u largua nga kjo jetë po sot në moshën 82-vjeçare. Ish-portieri, pjesë e një brezi të veçantë e që më pas do të vazhdonte karrierën si komentator e gazetar sportiv, por gjithnjë duke dhënë kontributin e tij plot pasion për sportin në Shijak. I katërti që u nda sot nga jeta ishte Lulzim Alia në moshën 75-vjeçare. Ai luajti për shumë vite futboll me Erzenin, por la më shumë gjurmë si trajner, duke u shndërruar në një personalitet mjaft të dashur për sportdashësit shijakas. Alia ka drejtuar ekipin e futbollit Erzeni për vite me radhë, duke nxjerrë breza të tërë futbollistësh.

Përveçse një humbje për futbollin shqiptar dhe atij shijakas, është edhe një humbje personale, sepse ata ishin të katër miq të familjes time, me të cilët kemi ndarë momente mjaft të bukura ndër vite.

Dua t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Peqini, Varosi, Drita dhe Alia! I paharruar qoftë kujtimi i tyre!”, shkruan Duka në reagimin e tij.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco