Institucionet shtetërore të formohen sa më parë

Institucionet shtetërore të formohen sa më parë

09:32, 19/11/2019

Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje Albin Kurti, së bashku me anëtaren e kryesisë, Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, njëherit anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Agim Bahtiri, priti në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems, e cila ishte e shoqëruar nga zëvendës shefi i misionit, Peter van der Bloemen dhe zyrtarja e Lartë për Sundimin e Ligjit në këtë ambasadë, Venera Ramaj.

Ambasadorja Willems e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së institucionet shtetërore të formohen sa më parë. Ajo u interesua për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofroj mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian.

Kryetari Kurti e njoftoi Willems se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune, dhe politikat që zbusin pabarazinë. Kurti përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesionalqë do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.

Willems, tha se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE). 

Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër Korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.

Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin për projekte konkrete në të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco