Ja rezultati final në Kosovë/ Vjosa Osmani shkruan historinë

Ja rezultati final në Kosovë/ Vjosa Osmani shkruan historinë

11:35, 04/03/2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.95 për qind, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën për media tha se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë 48.78% nga 1 milionë e 851 mijë e 927 qytetarë me të drejtë vote.

“Numri i votuesve që kanë votuar brenda vendvotimeve ka qenë 814 mijë e 122 votues, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit me kusht dhe me postë ka qenë 89 mijë e 257”, tha Daka.

Daka shtoi se LVV do ketë 58 deputetë, PDK do ketë 19 deputetë, LDK do ketë 15 deputetë, AAK do ketë 8 dhe Lista Serbe 10 deputetë.

Ndërkohë një rekord historik është arritur nga Vjosa Osmani, e cila ka marë më shumë vota se askush më parë.

Drejtuesja e iniciativës “Guxo” dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, është edhe zyrtarisht është njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura.

38-vjeçarja që mban postin e ushtrueses së detyrës së Presidentit, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë besimin e gjithsej 300 mijë e 788 kosovarëve, të cilët kanë votuar në numrin dy në listën e partisë që drejton Albin Kurti, i cili zyrtarisht nuk ishte pjesë e garës si rezultat i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë në kohën kur mbaheshin zgjedhjet me lista të mbyllura e ku votat që merrte partia i shkonin drejtpërdrejt liderit të partisë, rekordin e njeriut më të votuar në Kosovë e mban ish-presidenti dhe themeluesi i LDK’së, Ibrahim Rugova.

Në vitin 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte marrë 359 mijë e 851 vota apo 45.65 % që ishte përkthyer në 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Atë kohë Rugova kishte lënë prapa Hashim Thaçin me Partinë Demokratike të Kosovës që kishte marrë 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn që me AAK-në kishte marrë afro 62 mijë vota.

Një rekord të tillë votash Osmani e ka marrë pas përplasjeve konsekuente që ka pasur me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, dhe pas vendimit që përfundimisht t’i ndajë rrugët me partinë ku kishte nisur karrierën e saj politike e që së fundi ia kishte dhënë edhe besimin për të kandiduar për kryeministre.

ImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco