Tahiri: Nuk ka qenë traditë përjashtimi i zyrtarëve, aq më pak i një kandidateje për kryeministre

Tahiri: Nuk ka qenë traditë përjashtimi i zyrtarëve, aq më pak i një kandidateje për kryeministre

21:03, 03/03/2021

Kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka folur për dështimin e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku ka numëruar disa nga problemet brenda partisë që kanë rezultuar me humbjen e më shumë se 100 mijë votave krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019.

“Isha kundër koalicionit me PDK-në në vitin 2014, isha unë dhe disa të tjerë, por zëri ynë nuk u dëgjua. Ishte koha kur thoshin s’ka koalicion me PDK-në dhe më pastaj ai koalicion ndodhi”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, problem tjetër i LDK-së ishte edhe shkëputja me degët e diasporës.

“Edhe prishja e koalicionit me Vetëvendosjen ishte gabim në sytë e elektoratit. Por tani nuk duhet të humbim kohë më këtë pjesë dhe LDK-ja duhet të përcaktohet për një lidership të ri dhe rikthimi të shpresës, sidomos për të rinjtë”, ka thënë ai në emisionin “Debat” të RTK-së.

Tahiri tutje tha se njëra nga arsyet e thyerjeve të mëdha në elektoratin e LDK-së ishte edhe eliminimi i garës brenda partisë, sepse LDK-ja kishte traditë që nga koha e presidentit Rugova.

“Lidershipi i LDK-së nuk ka ditur ta dëgjojë drejt zërin e votuesve, sidomos të rinjve. Kjo duhet të jetë pika themelore e lidershipit të ri që të merret me problemet e të rinjve. Kjo duhet të jetë pikënisja e rikthimit të LDK-së”, tha Tahiri.


Duke folur për largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja, Tahiri tha se e ka konsideruar gabim përjashtimin e saj dhe se ai ka votuar kundër.

“Nuk ka qenë në traditën e LDK-së përjashtimi i zyrtarëve, aq më pak i një kandidateje për kryeministre. Të gjitha këto gabime kanë bërë që elektorati i LDK-së të zgjedhin një listë jashtë listës së LDK-së. Mendoj që më 14 mars kur të mbahet kuvendi i LDK-së, delegatët do të përcaktohen për rikthimin e LDK-së. Tema më akute tash është rikthimi i LDK-së duke e transformuar komplet lidershipin e partisë. Duhet të ndodh një ndryshim thelbësor”, ka thënë Tahiri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco