Kurti është i detyruar të ulet në tavolinë me Serbinë për të dialoguar

Kurti është i detyruar të ulet në tavolinë me Serbinë për të dialoguar

18:15, 03/03/2021

ndidati për kryeministër, Albin Kurti, partia e të cilit doli fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit, në vazhdimësi ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është nder prioritetet e para të qeverisjes së tij.

Këtë e konfirmoi edhe të martën pas takimit me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në anën tjetër ky i fundit tha se pret nisje të shpejtë të dialogut si dhe çështja e arritjes së marrëveshjes nuk është çështje vitesh por muajsh.

Por, njohës të politikave në vend, vlerësojnë se jo domosdoshmërish deklaratat se dialogu nuk është prioritet i parë ndikojnë në mos nisjen e shpejt të dialogut me Serbinë.

Ata vlerësojnë se Kosova nuk mund t’i shmanget dialogut në momentin që Brukseli apo Uashingtoni do të bëjnë ftesë për rikthimin në tryezën e bisedimeve.

Profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj, ka thënë për lajmi.net se nuk e sheh problem këtë çështje për shkak se BE-ja nuk ka bërë hapin e domosdoshëm, siç ka bërë administrata Biden, duke theksuar se epilogu përfundimtar i dialogut duhet të nënkuptojë njohjen reciproke.

“Nuk i kuptoj këto deklarata si të kundërta, përkundrazi mendoj se njohja e Serbisë nuk është jetike ndërsa zgjidhja e problemeve të punësimit, drejtësisë dhe pandemisë është jetike, prandaj nuk shoh probleme aq më parë kur BE nuk ka bërë hapin e domosdoshëm siç ka bërë administrata Biden duke theksuar se epilogu përfundimtarë i dialogut duhet të nënkuptojë njohjen reciproke”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa, analisti Arton Demhasaj duke folur për lajmi.net ka thënë se më krijimin e institucioneve të reja, Kosova e ka të pashmangshme uljen në tavolinën e bisedimeve.

“Mendoj që  nuk është nevoja me u deklaru ose me thënë deklarativisht që ne dialogun e konsiderojmë si prioritet të parë, për shkak se ne brendapërbrenda mund të konsiderojmë prioritet të ndryshme, të cilat mund të jenë të rëndësishme për vet qytetarët e Kosovës. Por, në anën tjetër, në momentin kur të konstituohen të gjitha institucionet e Kosovës dhe vjen ftesa qoftë nga Brukseli apo Uashingtoni që ne të kthemi në tavolinën e dialogut, atëherë ne nuk kemi alternativë tjetër. Dhe nuk ka nevojë që kjo të konsiderohet prioritet i parë, i dytë apo i gjashtë, por thjesht në momentin kur ofrohen kushtet me u kthy në tryezë të dialogut ne nuk kemi alternativë tjetër dhe duhet të kthehemi dhe kjo mendoj që ka me ndodh. Sapo të krijohen institucionet mendoj se Brukseli dhe Uashington kanë me u koordinu mes vete dhe kanë me ftua takime për vazhdimin e dialogut, mendoj që qeveria e Kosovës ka me qenë në atë tryezë dhe nuk ka me pas tendenca për me iu shmangë, kështu që pa marrë parasysh deklarata që tash bëhen, në momentin e krijimit të institucioneve ajo ka me ndodh. Edhe ka me pas dialog”, ka thënë Demhasaj.

Ndërsa sa i përket deklaratave të Lajçak se arritja e marrëveshjes  është çështje muajsh dhe jo vitesh, Demhasaj ka thënë se çështje është problematike për shkak se nuk dihet se çka do të ketë në tryezën e bisedimeve.

“Ndërsa për punën e arritjes së marrëveshjes brenda muajsh mendoj që kjo është pak problematike me thënë sepse  nuk e dim se çka ka me pas në atë tryezë dhe sa kanë më arritur palët me u përafruar në qëndrimet e tyre për më pas tendencë për më arrit një marrëveshje të tillë, pra kjo mbetet të shihet”, ka thënë Demhasaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco