Kurti drejt kryeministrisë me sytë nga Jerusalemi

Kurti drejt kryeministrisë me sytë nga Jerusalemi

16:29, 03/03/2021 Nga A.R.

Fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Albin Kurti u është përgjigjur në letra falënderimesh kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahy dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Kurti edhe kësaj here nuk e ka përmendur Jerusalemin si vendin ku do të vendoset Ambasada e Kosovës. Për këtë, njohësit e çështjeve ndërkombëtare në vend kanë qëndrime të ndryshme.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti javën e kaluar u gjend në mes dy rrugëve. Ishte kryeministri izraelit ai që e ftoi atë si kryeministër të marrë pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Derisa edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan përmes një letre urimi, i kërkoi fituesit të zgjedhjeve që të shmangë marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë përmes së cilës Kosova kishte vendosur të bëhej një ndër vendet e para që hap ambasadën në Jerusalem e jo në Tel Aviv.

Lidhur me këtë çështje, profesori universitar Bujar Dugolli tha për Syri.net Kosova se Kurti përmes këtyre letrave i ka bërë të qarta qëndrimet e tij karshi politikave ndaj këtyre dy shteteve.

Kurti është shprehur shumë qartë por edhe Vjosa Osmani, që qëllimi i Kosovës është të vazhdojnë marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Izraelit. Ajo që është arritur me ndërmjetësimin e ShBA-ve ka qenë e vetmja pikë që faktikisht në ato zotimet e Uashingtonit që Kurti e ka pranuar, dhe tanimë këtu nuk shoh ndonjë dilemë që nuk do të vazhdojë të zbatohet ajo marrëveshje dhe se njohja e Izraelit është realitet”, tha Dugolli.

Ai po ashtu ka përmendur edhe vonesat e mundshme për inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Izrael, e që sipas Dugollit këto do ta pamundësojnë që një gjë e tillë të ndodh shumë shpejt.

“Inaugurimi i ambasadës do të ndodh kur të është e gatshme Kosova ta bëj atë, sepse ka edhe aspekte tjera që merren parasysh, teknike dhe financiare që duhet të analizohen dhe të shikohen se a janë parashikuar nga Qeveria në ikje”, u shpreh ai.

E për Butrint Berishën nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) Albin Kurti në letrat e dërguara ka paralajmëruar sërish një rishikim të vendimit të Qeverisë në detyrë lidhur me hapjen e Ambasadës në shtetin izraelit.

Kurti ka paralajmëruar një rishikim të vendimit nga Qeveria e kaluar për ta hapur Ambasadën në Jerusalem. Kosova duhet të ketë shumë kujdes në këtë situatë pasi që është shumë delikate edhe nuk varën vetëm relacionet me Turqinë si partner strategjik, dhe Izraelin si shtet njohës i ri, por edhe me relacionet me ShBA-të që realisht e kanë sjell njohjen nga Izraeli”, tha Berisha për Syri Kosova.

Lidhur me komunikimin e dy liderëve botërorë që kanë bërë me fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Albin Kurtit e jo me Qeverinë në detyrë, Berisha nga PIPS ka një shpjegim tjetër.

“Është e qartë që e kemi një Qeveri në detyrë, por brenda disa javëve nuk do të jetë më në detyrë dhe nuk do të marrë vendime të mëdha. E dyta mendoj që letrat që i kanë dërguar kryeministri izraelit dhe presidenti turk, janë letra urimi për rezultatin zgjedhor në të cilat pastaj është shfrytëzuar për tu komunikuar për qëndrimet dhe interesat e këtyre dy liderëve në raport me Qeverinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Madje sipas tij, kjo nuk do të thotë se Izraeli dhe Turqia nuk kanë komunikim edhe me Qeverinë në detyrë.

“Por, nuk do të thotë që këto shtete nuk kanë komunikim të vazhdueshëm edhe me Qeverinë në detyrë edhe nëse ato komunikime nuk bëhen publike. Sidoqoftë është e qartë se Qeveria në detyrë e ka marrë një vendim, siç është hapja e Ambasadës në Jerusalem dhe e sheh si punë të kryer këtë pjesë”, tha Berisha. /Syri.net Kosova

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco