Lajçak flet për Kurtin: Është i vetëdijshëm se bashkësia ndërkombëtare pret vazhdimin e dialogut

Lajçak flet për Kurtin: Është i vetëdijshëm se bashkësia ndërkombëtare pret vazhdimin e dialogut

22:41, 01/03/2021

Emisari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe se kjo nuk është gjë e re për të.

Lajçak në një intervistë për RTK-në, ndër tjerash, ka thënë se dialogu për formalizmin e raporteve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Ai ka thënë se një nga arsyet përse e viziton rajonin këtë radhë është pikërisht takimi me Albin Kurtin, që të dëgjojë për planet e tij, përfshirë dialogun dhe gjithashtu t’ia përcjell atij mesazhet dhe pritjet e BE-së dhe shteteve anëtare dhe të bisedojnë bashkë si ta çojnë tutje dialogun.

“Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe kjo nuk është gjë e re për të. Nuk ka qeveri e cila merret vetëm me një çështje. Pikërisht për këtë do të diskutojmë, se si të vendosen prioritetet. Ne tashmë kemi një përvojë me Kurtin si kryeministër. Dhe ai ishte bashkëbisedues konstruktiv. Mbi të gjitha, ishte ai që hoqi tarifat dhe mundësoi nisjen e dialogut. Bashkëpunimi në çështjet shëndetësore gjithashtu dëshmoi një nivel të lartë të qasjes konstruktive. Andaj nuk ka nevojë të krijojmë sensacione aty ku nuk ka vend”, është shprehur diplomati sllovak, para se të niste vizitën treditore në Kosovë.

Intervista e plotë e Lajçakut për RTK-në:

Para konfirmimit se do ta vizitoni Kosovën, ju ishit sulmuar për mënyrën si Kosova është prezantuar në hartën që qëndron në zyrën tuaj. Ju dolët më shpjegim në llogarinë tuja në Twitter, por a mund ta qartësoni sërish se si cila është pozita gjeopolitike e Kosovës në këtë hartë?

Lajçak: Ju e dini se në profesionin tim ne punojmë shumë me harta andaj edhe kërkova nga shërbimet adekuate që të më furnizojnë me një hartë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ata ma sollën hartën. Kjo nuk është një hartë që ka për qëllim ta ofendojë dikë, por është hartë e cila reflekton pozicionin e njohur të Bashkimit Evropian. Sigurisht se nuk kisha për qëllim ta ofendoja dikë ndërsa këto reagime emocionale janë edhe një dëshmi sa ne kemi shumë nevojë për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, pozita e Kosovës nga perspektiva e Brukselit është e ditur. Bashkimi Evropian nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Arsyeja për këtë janë pesëshja mosnjohëse, nga të cilat njëra është Sllovakia – shteti nga i cili vini ju. Si u përgjigjeni zërave kritikë të cilët insistojnë se ju nuk mund të jeni ndërmjetës i sinqertë meqë vini nga një shtet mosnjohës?

Lajçak: Unë kam punuar mjaft gjatë në Ballkanin Perëndimor që ta di se sa të popullarizuara janë teoritë konspirative atje. Ajo çfarë dëgjoj nga Kosova është se unë nuk mund të jem neutral meqë vij nga Sllovakia dhe mbaj anën e Beogradit. Nga Beogradi dëgjoj se nuk mund të jem neutral meqë vij nga Sllovakia dhe në këtë mënyrë dua ta dëshmoj se nuk ia mbaj anën Beogradit dhe rrjedhimisht do të jem në anën e Kosovës. Ajo çfarë dua të them është se unë e përfaqësoj Bashkimin Evropian. Unë i përfaqësoj 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Mandati im rrjedh nga BE-ja dhe më duhet të siguroj se secila anëtare e BE-së ndjen se përfaqësohet mirë në punën që e bëj. Kjo është një gjë. Do ishte shumë joprofesionale nga ana ime që të kem mandat të BE-së dhe t’i promovoj qëndrimet e njërit shtet anëtar apo një grupi të shteteve anëtare të BE-së. E dyta, mos t’i gjykojmë njerëzit në bazë të asaj se ku kanë lindur por në bazë të asaj se çfarë bëjnë. Kemi shumë punë për të bërë bashkë dhe do të kemi mjaft raste për të gjykuar se si ecin punët.

Mirëpo më duhet t’jua shtroj tani këtë pyetje. Ju përfaqësoni 27 shtete anëtare. Sipas 22 shteteve të BE-së, Kosova është shtet i pavarur, ndërsa sipas 5 shteteve tjera Kosova nuk është shtet. Tani, si implementohet ky përfaqësim i juaji i të gjitha shteteve, në përpjekjet e juaja që ta ndihmoni procesin?

Lajçak: Për mua gjëja më e rëndësishme është se të gjitha 27 shtetet anëtare besojnë në ardhmërinë evropiane të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Kjo është arsyeja përse Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asocimit; kjo është arsyeja përse unë jam emëruar dhe kjo është arsyeja përse BE është aktori udhëheqës ndërkombëtar për arritjen e normalizimit të raporteve. Sepse me normalizim Kosova mund të nisë me procesin konkret të integrimit dhe njohjet do të pasojnë. BE nuk njeh shtetet. Kjo është në kompetencë te shteteve anëtare. Bashkimi Evropian duhet t’i reflektojë qëndrimet dhe politikat e shteteve anëtare por BE është partner kryesor. Është mik i Kosovës. BE investon dhe ndihmon shumë, dhe beson në ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është çfarë ne bëjmë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

Do ta vizitoni Kosovën ku do të gjeni një spektër krejt të ri politik si rezultat i zgjedhjeve të mbajtura 2 javë më parë. Tani keni fituesit e qartë dhe këta persona do të jenë bashkëbiseduesit tuaj të ardhshëm në dialog. Sa i lehtëson përpjekjet tuaja që të arrini marrëveshjen, fakti se tani para vetes do ta keni një kryeministër i cili ka përkrahjen e shumicës së qytetarëve?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco